Pas debateve që janë ngjallur për investimin në Zvërnec, kryeministri Edi Rama thotë se ishte qeveria e tij që hartoi për herë të parë ligjin e zonave të mbrojtura. Rama tha se 25% e territorit sot është zonë e mbrojtur, ndërsa theksoi se kanë anuluar 40 kontrata hidrocentralesh për të mbrojtur Vjosën, e cila sot është e shpallur Park Kombëtar.

“Flitet për zonat e mbrojtura. Ajo që nuk është aspak e mirë është fakti që ngatërrohen gjërat. Ligjin e parë për zonat e mbrojtura e bëri qeveria e PS-së në mandatin tonë të parë. Deri në vitin 2017, Shqipëria nuk kishte ligj për zonat e mbrojtura. Ishim ne që, gjatë mandatit të dytë dhe të tretë, e kemi çuar në 25% sipërfaqen e zonave të mbrojtura të Republikës së Shqipërisë. Një e katërta e territorit është zonë e mbrojtur. Ishim ne që krijuam Agjencinë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura.

Shqipëria është i vetmi vend i rajonit me administratë në të gjithë territorin për zonat e mbrojtura, me 12 parqe kombëtare, 11 peizazhe të mbrojtura dhe 700 monumente natyre. Ishim ne që bllokuam lejet e dhëna mbi shtretërit e lumenjve tanë, ku vetëm mbi lumin magjik të Valbonës kemi ndaluar ndërtimin e 9 hidrocentraleve.

Për shpalljen e Vjosës park kombëtar, bashkë me degët e veta, në një sipërfaqe prej plot 12 mijë hektarësh, kemi anuluar 40 kontrata hidrocentralesh. Në Greqinë fqinje dhe mike, ku ndodhen 17 kilometrat e para të Vjosës, nuk i është dhënë lumit të fundit të egër në Europë mbrojtja që i kemi dhënë ne”, tha Rama.


Lajmi kryesor:

35-vjetori i PS, Rama për Zvërnecin: Xhevahir që duam t'ia vëmë Mesdheut! Ejani verifikoni faktet, po manipuloheni