Rama theksoi se qeveria ka ndarë për buxhetin familjar rreth 440 milionë dollarë, të cilave u shtohen edhe 100 milionë dollarë nga rritja e pagave dhe pensioneve, kjo duke ulur borxhin publik. Sipas kryeministrit, 540 milionë dollarë për buxhetin e familjeve, do të kenë ndikim në rritjen e konsumit.
"Kemi hyrë në një proces ulje të borxhit publik, dhe keni ndarë nga buxheti i shtetit për buxhetin e familjeve, përmes uljes së tatimit të fitimit mbi të ardhurat personale, jo pak, por 440 milionë dollarë, në katër vjet. Të cilat, shtuar edhe 100 milionë dollarë, që do të shkojnë për rritjen e rrogave dhe pensioneve, bëjnë 540 milionë dollarë, që është fare e thjeshtë të kuptohet, kanë pasur dhe do të kenë një ndikim të drejtpërdrejtë në rritjen e konsumit.
Ndërsa qeveria e kaluar, miratoi vetëm 124 milionë dollarë në 8 vjet, në kushtet e një tatim-fitimi që ishte shumë më i lartë, sidomos për rrogat minimale dhe mesatare, sesa është sot. Me këtë që do të bëjmë duke rritur rrogat e pensionet, nuk jemi më vendi me rrogën minimale e mesatare me të ulët në rajon, ndërkohë që jemi vendi me taksën mbi tatim fitimin më të ulët në rajon", u shpreh Rama.
Kryeministri foli edhe për situatën ekonomike, duke theksuar se tre mujori i parë i këtij viti, shënoi një rritje prej 3.2%. Rama veçoi se për vitin e ardhshëm parashikohet të vijojë trendi rritës i ekonomisë në shifrën 4%, kjo si rezultat i rritjes së të ardhurave në buxhetin e shtetit.
"Rritja ekonomike arriti në 3.2% në tre mujorin e dytë. Referuar nivelit të të ardhurave, vitin e ardhshëm prekim nivelin e 4% rritje ekonomike. Kjo është një shifër ende e pamjaftueshme për të përballur me sukses nevojat qoftë të shoqërisë, qoftë të individëve. Jam optimist, jo për projeksionet pozitive por për një sërë projektesh të përgatitura gjatë gjithë kësaj periudhe në turizëm, energji, infrastrukturë, janë në prag të finalizimit të tyre dhe besoj se do të kenë një impakt plus në rritjen ekonomike të 5 viteve të ardhshme. Sidoqoftë, pas 3 vitesh operacionesh shumë të vështira, reformash të vonuara për vite të tëra dhe masash jo të lehta, financat e shtetit janë të konsoliduara dhe mbi të gjitha borxhi publik ka hyrë në një trend rënës, ndërsa të ardhurat janë rritur.
Besoj se nuk e merr askush për keq, nëse këtu e them me krenari se të ardhurat e këtij janë shumë pranë projeksionit të bërë që në fillim. Ndërkohë që, falë kësaj situate të re të krijuar, ne jemi sot në gjendje të bëjmë një rritje rrogash dhe pensionesh, në një masë prej 100 mln dollarë, pa rritur borxhin publik, por duke bërë njëkohësisht uljen e tij me të paktën 1% gjatë vitit të ardhshëm".
Duke folur për ndikimin që mund të ketë dalja e Britanisë së Madhe nga eurozona, Rama ju referua nobelisitit Joseph Stiglitz, sipas të cilit Evropa është përpara domosdoshmërisë për të reformuar vetveten.
"Europa është përpara një vendimi të reformohet ose të divorcohet. Reformat për të shmangur një proces divorcesh zinxhirë, të mos prekin çështjet fiskale dhe monetare, e të mos adresojnë ngërçin e madh që është krijuar në vendet e BE apo vendet që duan të bëhen pjesë e BE, lidhur me frymëmarrjen e ekonomisë dhe në rrugën e rritjes ekonominë ne dilemën Shekspiriane midis programeve të austeritetit dhe programit të rritjes", tha Rama.
Në fjalën hapëse të konferencës Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko tha se ekonomia shqiptare ka hyrë në një trajektore pozitive me rritje domethënëse të konsumit.
Duke u ndalur të fenomeni Brexit ai tha se Shqipëria nuk do të preket në formë të drejtpërdrejtë, por nuk përjashtohet mundësia e frenimit të investimeve të huaja.
Konferenca Kombëtare e Bankës së Shqipërisë