TIRANE-Artikulli i publikuar dje në ‘The Washington Times’ për procesin e vettingut dhe reformën në drejtësi në Shqipëri ka rikthyer debatin dhe replikat në distancë mes kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit të PD, Lulzim Basha. Sipas ‘The Washington Times’  vettingu në Shqipëri po zhduk kundërshtarët politikë të Ramës dhe po i jep fuqi absolute.

Por shefi i qeverisë shqiptare përmes një statusi në Facebook e cilëson si të sponsorizuar shkrimin, ndërsa lëshon akuza në drejtim të opozitës. Rama thotë se pavarësisht shkrimeve të paguara, sharjeve dhe mallkimeve nga opozita, procesi i pastrimit të drejtësisë deri në fund do të vijojë.

Paguani paguani artikuj nëpër botë kundër Vetingut! Shani e mallkoni në sa gjuhë të mundeni Reformën në Drejtësi! Na akuzoni sa të doni për imoralitet nga dritarja e shtëpisë suaj publike! Ne do ta pastrojmë me rrënjë drejtësinë s’e s’kemi frikë nga drejtësia e vërtetë Deri në fund

Edi Rama

Por i menjëhershëm ka qenë reagimi i kryedemokratit Lulzim Basha, i cili thotë se Rama ka kapur drejtësinë, por jo popullin. Sipas tij, ai bleu gjykatës, prokurorë, gazeta, TV e ambasadorë me para droge, por shton se kokat e krimit dhe korrupsionit do të japin llogari shumë shpejt.

Ka blerë gjykatës, prokurorë, gazeta, TV e ambasadorë me para droge dhe korrupsioni e nuk i dalin hesapet Ramës. Drejtësinë e ka kapur por popullin nuk e kap dot. Kokat e krimit e korrupsionit do japin llogari para tij. Shumë shpejt.

Lulzim Basha

‘The Washington Times’ theksonte në artikullin e publikuar dje se ‘procesi i vettingut është përdorur për të zhdukur kundërshtarët politikë nga çdo rol në të gjitha pushtetet, duke ruajtur fuqinë absolute të Ramës. Gjykatës të korruptuar janë mbajtur në detyrë dhe zyrtarë te ndershëm janë larguar nga detyra, nëse ata mbështesin partinë e gabuar.

Në vitet e fundit, Shqipëria është kthyer në një narkoshtet, duke u zhvendosur në krye të listave të prodhimit të marijuanës që trafikohet në Itali dhe në pjesën tjetër të Europës. Drogat e forta janë gjithashtu shumë të përhapura’ thuhet ndër të tjera në artikullin e publikuar dje.