Rama & Nano vs Berisha & Blushi?

Rama & Nano vs Berisha & Blushi?
Interesante ishte tablloja politike e ditës së djeshme. Politika nuk u lë kohë qytetarëve të mendojnë për hallet e problemet që ka gjithsecili, por duhet të mendojnë në tryezat e tyre për problemet që ka vetë politika. Dhe ja ku ndodhi mbrëmjen e djeshme kur u pa qartë se dalja televizive e Ben Blushit, anëtar i kryesisë së PS, deputet i kësaj partie, në Ufo TV, përballë një paneli gazetarësh, ishte qartazi një tentativë për të “eklipsuar” sado pak, daljen publike të Edi Ramës, pas gati 5 vitesh në televizionin Klan, pikërisht në atë televizion që ai e ka përkufizuar gjithmonë e më shumë kohët e fundit, vetëm me shprehjen “T’fala Sandrit” duke mos begenisur asnjëherë t’i kthejë përgjigje serioze.

 Se çfarë do të thoshte Edi Rama seriozisht, në TV-në që nuk e kishte konsideruar asnjëherë seriozisht, kjo u pa ditën e djeshme, kur nuk ngurroi të deklarojë se e ka takuar Ilir Metën, se shprehjet që kishte deklaruar më parë për të, që pas zgjedhjeve të 2009, ishin pjesë e historisë, e mandej duke rrëfyer se çfarë planesh kishte PS dhe forca që ai udhëheq në çështje të rëndësishme politike, nga presidenti deri te zgjedhjet. E aq më tepër duke reaguar aq gjakftohtë përballë gjithë inserteve “provokative” të përgatitura mjeshtërisht nga “kurthi” gazetaresk. Sipas gjithë sondazheve online ditën e djeshme, u pa qartë se tentativa “Blushi” për të marrë audiencë ishte një përpjekje disi dëshpëruese, edhe pse prej të gjithëve mendohej se Rama nuk do të thoshte ndonjë gjë të madhe, dhe Blushi mund të thoshte shumë të tilla, ashtu sikurse në fakt ndodhi.

Kjo tregoi edhe njëherë se kafja që Rama e Blushi konsumuan në barin e PS shumë muaj më parë, ka qenë thjesht një “zhgënjim optik”, pa pasur ndonjë jetëgjatësi në marrëdhënien mes dy palëve. Po e njëjta gjë ndodhi edhe në takimin e përfolur me pritshmëri të mëdha Berisha-Nano. Kandidati i vetëshpallur për president, nuk ka hezituar në asnjë rast që të kthejë përgjigje për pyetjet e gazetarëve sa herë që këta ia kanë kërkuar, pas takimeve që ka konsumuar duke kërkuar pozicionin e kreut të shtetit. Por ja që dje pas takimit me Berishën nuk ndodhi. Ky i fundit, nëpërmjet një deklarate për shtyp, vendosi të eklipsonte Fatos Nanon, duke i thënë gjithë publikut se Nanon e pret në zyrën që kishte që nga 2005 që nuk kishte hyrë, por si një mysafir të radhës, pa e marrë seriozisht kërkesën e tij për president. Nano vetë, i njohur për stilin e tij të batutave, doli i nervozuar nga takimi. Sigurisht, në takimin e parë me Berishën, nuk mund të priste mirëkuptimin e tij për të qenë ish lideri i së majtës kandidat për president, edhe pse, në 2007, nxitoi me vrap t’i jepte Berishës mbështetjen për zgjedhjet lokale kur i kërkoi.
E pavarësisht këtyre analizave të takimeve dhe daljeve publike të djeshme, ajo që ra në sy, është linja mediatike e përcjelljes së transmetimeve. Skema ishte e qartë. Ishte Rama & Nano në audiencat e tyre, kundrejt Berishës & Blushit me një tjetër audiencë. Në politikë, siç thonë politologët, shumë rrallë ndodh të ketë koicidenca, ka vetëm planifikime. Dhe unë besoj, se aktiviteti i ditës së djeshme, i përket vetëm planifikimit.
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

“Goca e Kaçanikut” rikthehet në skenën e TKOB pas 45 vitesh

“Goca e Kaçanikut” rikthehet në skenën e TKOB pas 45 vitesh