Ai nuk mohon luftën që kishte bërë për të arritur në një marrëveshje të tillë, por u përball me protesta dhe humbja e imazhit të qeverisë së re që për të ishte negativ.
“Patëm mundësinë të tregonim se Shqipëria mund të ishte një lojtar ndërkombëtar. Fjala është për një mundësi të madhe për vendin tonë dhe unë vetë luftova mjaft për të arritur në një marrëveshje. Por, u lamë vetëm dhe do të ishte tepër e papërballueshme humbja e imazhit”, tha Rama. Deklaratë kjo gjatë vizitës në Itali, teksa kryeministri në një intervistë dhënë gazetares Cristiana Misori të agjencisë së lajmeve ‘ANSAMed’, e pranon këtë fakt. Tema që “i djeg” shumë kreut të qeverisë shqiptare ka të bëjë me çështjen e armëve kimike siriane. Duhej të ishte arritur një marrëveshje me qeverinë amerikane për demontimin e tyre, por një gjë e tillë u rrëzua, edhe nën presionin e opinionit të brendshëm Publio, citohet Rama në artikullin e publikuar nga agjencia.
Borxhi dhe Statusi
Ndërmjet shumë telasheve, që i ka lënë në trashëgimi qeveria e qendrës së djathtë e Sali Berishës, Rama thekson se janë “para së gjithash borxhi publik shumë i lartë dhe llogaritë e çrregullta”. Për ne, thekson kryeministri, është shumë i rëndësishëm projekti i gazsjëllësit TAP, që synohet të sjellë nga viti 2019 gazin nga Azerbajxhani drejt Italisë, duke kaluar në Greqi e Shqipëri, më pas nën det. Por, ka edhe një projekt tjetër, pak më të vështirë. Është ai, që të çon në Bruksel. Të martën 28 vendet anëtare do të jëpin një përgjigje përfundimtare lidhur me dhënien e statusit kandidat për Shqipërinë. “Mendoj se Shqipëria e meriton. Na është mohuar 3 herë do ishte një rekord negativ absolut nëse na mohohej një herë të katërt”. Sipas Ramës, “ka shumë euroskepticizëm dhe disa vende evropiane nuk duan të zbatojnë më politikën e zgjerimit”. Megjithatë, statusi kandidat “nuk do të thotë se u bëre anëtar i Evropës së Bashkuar. Do duheshin vite për të mbyllur negociatat për aderimin”.
Investimet italiane
Kryeministri Rama flet dhe për investimet e huaja. “Shqipëria po përjeton një moment interesant dhe është koha për ndërmarrjet italiane që të emigrojnë. Vendi ynë ofron mundësi të mira, fuqi punëtore me kosto shumë të ulët dhe taksa që subjektet tuaja as që mund të imagjinohen. Njëzet vjet më parë, ishim ne në kushtet tuaja, por sot situata ka ndryshuar me të vërtetë”, tha Rama. Vizita e tij, gjatë së cilës u prit nga homologu Enriko Letta, nisi nga Jugu i “çizmes”, ndërkohë që në Romë u takua me krerët e Konfindustrias. “Do shkojmë edhe në Veri gjatë vizitës sonë që do vazhdojë me muaj”, tha kryeministri, por thekson se marrëdhëniet e privilegjuara shqiptarët i kanë me Jug, veçanërisht me Puljen, që përjetoi flukset e mëdha të emigrantëve në vitet ’90 dhe që më pas u kthyen në një urë–në të dy drejtimet–midis të dy vendeve tona”.
Dhe është pikërisht në qytetin e Barit, që Edi Rama ka takuar guvernatorin Niki Vendola, me të cilin ka folur për bashkëpunimin në dy brigjet e Adriatikut, duke marrë pjesë edhe në konferencën që është përqendruar mbi projektin strategjik “Alterenergy”, që është financuar nga programi evropian për vendet që synojnë të aderojnë në BE CBC IPA dhe që synon zhvillimin e burimeve të rinovueshme në vendet e hapësirës adriatike (Italia, Shqipëria, Bosnje-Hercegovina, Kroacia, Greqia, Mali i Zi, Serbia dhe Sllovenia). “Lidhur me çështjen e energjive të rinovueshme, tha Rama, Pulja ka arritur nivele shumë të larta.
Ky është një shembull i vërtetë, nga i cili synojmë të mësojmë”. Në fakt, Shqipëria “ka ecur mirë sa i takon energjisë hidroelektrike, por ende nuk ka hyrë në botën e energjive të rinovueshme”. Këto i thotë Edi Rama, njeriu që transformoi Tiranën në një qytet të gjelbër duke mbjellë më se 5.000 pemë gjatë tre mandateve të tij si kryetar Bashkie, nga 2000-2011 (madje, për pak fitoi dhe të katërtin!)
Shkrimi u publikua sot (14.12.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)