Rama: Armët, maja e ajsbergut
Ushtria përdoret për përgjime

Rama: Armët, maja e ajsbergut <br />Ushtria përdoret për përgjime
TIRANE – Kryesocialisti Edi Rama pranoi sot gabimin e bërë katër vjet më parë me marrëveshjen e arritur me Kryeministrin Berisha për ndërhyrjen në Kushtetutë në lidhje me zgjedhjen e presidentit të republikës, dhe shtoi se nuk ka ndërmend ta përsërisë atë përsa i përket çështjes së heqjes së imunitetit, mbi të cilën gjithsesi u shpreh absolutisht në favor.

“Patjetër ta heqim imunitetin por askush të mos presë se PS do të ndërhyjë në Kushtetutë me nxitimin që ndërhyri katër vjet më parë. Ne jemi të bindur se gjithmonë do bëjmë gabime por ajo që dallon një forcë të pjekur nga një forcë aventurash është se bën gabime të reja, jo të vjetra”, tha Rama në mbledhjen e grupit parlamentar socialist.

“Duhet ta themi shumë qartë – shtoi Rama - as unë si kryetar i PS nuk kam imunitet dhe asnjë nga deputet e PS nuk është fshehur pas imunitet kur është kërkuar” që të hetohet mbi ta. Si shembull ai solli rastin e deputetëve Tom Doshi dhe Taulant Balla që “kur Prokuroria kërkoi vënien në dispozicion për 21 janarin” deputetët e PS votuan unanimisht në favor të heqjes së imuniteteve. Pra, “për ne s’ka dilemë nëse duhet hequr”, theksoi Rama.

Por “kushtet e sotme imponojnë për këtë ndërhyrje në Kushtetutë një proces të hapur, gjithëpërfshirës, që çështja e imunitetit të trajtohet në respekt të Kushtetutës. Nuk na bind dot askush se për të përforcuar luftën kundër korrupsionit na duhet një arnim shpejt e shpejt i Kushtetutës”, tha Rama. “Saliu di vetëm të arnojë kuturu se kurrë s’ka pasur një vizion të shtetit modern”, shtoi ai.

KESHILLI I MILIARDEREVE NE QEVERI
Rama hodhi poshtë akuzat e kryeministrit sipas të cilit PS është kundër heqjes së imuniteteve për të mbrojtur “këshillin e miliarderëve”. “Propaganda e Kryeministrit është e pështirë – tha Rama – Ai kërkon një alibi për të fajësuar opozitën për dështimin e rradhës për statusin e kandidatit. Në Shqipëri ka vetëm një këshill miliarderësh dhe ky është Këshilli i Ministrave me në krye Sali Berishën që u jep pafajësi edhe kur fajësia ja bën mu”.

MINISTRIA E MBROJTJES FOLE PARASH
Rama solli edhe një shembull: “Vetëm para një ore ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, refuzoi kontrollin parlamentar në këtë ministri që është kthyer ne fole parash e aferash të pista. Në Ministrinë e Mbrojtjes sundon një korrupsion që është bërë shqetësues edhe për aleatët e NATO-s”, tha kryesocialisti. Sipas tij, “trafiku i armëve i zbuluar së fundmi është vetëm maja e ajsbergut” ndërsa sipas informacioneve që disponon selia rozë në këtë dikaster “përdoren makineritë e Ushtrisë për përgjime”.

“Në mënyrë të përsëritur Kryeministri, si mëshirim i kulturës që ka, sulmon, përgojon, pështyn mbi një pjesë të grupit të deputetëve [të PS] që vijnë nga sipërmarrja duke krijuar një perceptim se këtu bëhet fjalë për një grup miliarderësh që paskan interesa të errëta që i mbrokan nëpërmjet imunitetit. E vërteta është se këta deputetë të cilët janë ofruar si përfqësues të komuniteteve ku kanë marrë votat vijnë nga ajo pjesë e sipërmarrjes që nuk është bërë palë me këshillin e miliarderëve që ndodhen në qeveri. Ky është një presion dhe një shantazh i shprehur jo vetëm në format e zakonshme që bëhen gjetkë por edhe në kosto në sipërmarrjet e tyre. Nuk është absolutisht turp të jesh sipërmarrës në këtë sistem. Është turp të jesh politikan që politikën e bën sipërmarrje. Eshtë turp që qeverinë ta bësh një biznes”, përfundoi Rama.

(im/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Erisa Xhixho i bashkohet protestës dhe ulet këmbëkryq në mes të rrugës duke kërcënuar Policinë: Guxoni të na shkelni!

Erisa Xhixho i bashkohet protestës dhe ulet këmbëkryq në mes të rrugës duke kërcënuar Policinë: Guxoni të na shkelni!