Gjendja e sotme e Shqipërisë nga ana social-ekonomike është vërtetë shqetësuese. E përjashtojmë atë politike, sepse kurrë nuk ka qenë ndryshe. Në ditët tona, temat për zhvillime protestash nuk mbarojnë. Prodhuesit nuk kanë ku të çojnë prodhimet e tyre sepse inkurajohet importi. Të rinjtë ikin sepse meritokracia mungon krejtësisht dhe vendi i punës është kthyer në mjet, ku pushteti përgatit industri zgjedhore. Konkurset janë bërë qesharake. Nga ana tjetër, ekspertët evidentojnë me të drejtë se: Varfëria e vendit tonë nuk është thjesht pasojë se mungojnë të ardhurat, por i shumë faktorëve që gjithnjë e më tepër shqiptarët po i ndjejnë në kurriz të tyre.

“Në qendër të problemit qëndron tregu i punës i brishtë dhe informal, ku një pjesë e madhe e punësimit ofron paga të ulëta dhe mungesë të mbrojtjes sociale, duke e bërë punën të paqëndrueshme dhe të pasigurt për mijëra familje”, shkruhet në platformën ekonomike Altax.al. E njëjta rendit pastaj me radhë disa probleme syresh dhe përfundon në atë që shumë shqiptarë e ndjejnë në kurriz. Me statistikat edhe mund të manovrosh, por realiteti i përditshëm për shumë familje është realisht shqetësues. E mbi të gjitha, rritja ekonomike, nuk manifestohet tek të gjithë sepse politikat ekonomike dhe sociale të Ekzekutivit Rama nuk përkthehen në jetesë më të mirë reale, por thjesht në përfitime për një pakicë. Mos të përmendim skandalet, ku ai 5D ka qenë më shumë se cinik…dhe i tmerrshëm për shqiptarin e zakonshëm. Do duhej një artikull i dedikuar ekonomisë për të treguar anatominë e tregut të brishtë të punës dhe informalitetin, por edhe mungesën e mbrojtjes sociale. Më saktë përfytyrimin e jepte Instituti i Vjenës për Studime Ndërkombëtare, të cilit i dedikohet platforma e konvergjencës të rajonit me BE-në, ku përshkruhet mundësia e 6 vendeve ballkanike të arrijnë standardet e BE-së në 8 drejtime kryesore dhe 40 nënfusha. Ajo që ekspertët e pohojnë me kujdes është se anëtarësimi në BE, por pa respektuar standardet, rrezikon të thellojë edhe më shumë plagën e emigracionit. Nga 40 tregues kryesorë socialë, ekonomikë, në 14 prej tyre, ose 35% të totalit, Shqipëria po bën hapa pas për të arritur standardet e Unionit. Vetëm në 4 tregues e kemi arritur standardin kurse në 22 të tjerë duhen dekada dhe madje më shumë se një shekull, përllogarit ky institucion.

Por kryeministri Rama është aty, i palëvizshëm dhe duket se mbas çdo problemi me drejtësinë të vartësve të tij (dhe janë aq shumë), ai bëhet më i fortë de facto, paçka se de jure ka kohë që po humbet në planin e brendshëm dhe po aq më atë të jashtëm. Veçse në këtë të fundit, mjafton të vijë një personazh si znj. Trump me interesat për investimet dhe gjërat e shkëpusin krejt vëmendjen. Por ekonomia është aty dhe plagët sociale, e megjithatë Rama mbetet. Një administratë e tërë dhe shumë mekanizma e mbajnë të lidhur fort me pushtetin. Ai, vetë, ka kohë që nuk pranon asgjë. Është i kulluar.

Aty është edhe mëtuesi i pushtetit të tij, Sali Berisha. Në orët e fundit mblodhi shumë protestues falë strukturave, të cilat gjithnjë e më shumë ndjejnë dualizmin dhe lodhjen prej qendrës. Të njëjtat referime për Ramën në protestë, e njëjta koreografi, e njëjta logjikë që tregon hapur se Berisha është i pasfidueshëm. Salianji me një grup mbështetësish e kundronin në një cep të hidhur dhe të pafuqi. Molotovi tregoi forcë dhe mosbindje por nuk mjaftoi. Edhe inati i njerëzve. Berisha vazhdon në udhën e tij dhe tashmë ka ofruar dhe një element të ri: Rama është në kilometrin e fundit. Por në relativitet ka perceptime të tjera për hapësirën dhe kohën. Kjo e bën Berishën të mbetet edhe me këtë komunikim patetik.

Të dy janë dhe mbeten aty dhe të patrandshëm në skakierën politike shqiptare. Rama, si kryeministri më jetëgjatë, post ’90. Berisha si politikani më jetëgjatë, post ’90. Të dy janë aty dhe të pasfidueshëm nga askush. Të dy janë aty dhe duken lehtësisht të parashikueshëm. Dhe, kjo e shton trishtimin, sepse nuk po gjenden alternativa. Për pushtetin dhe interesat e tyre mund të bëjnë gjithçka. Salianji dhe cilido është i mënjanuar, njësoj si mbrëmjen e të shtunës; ashtu si tek Rama nuk guxon askush të tregojë paradokset qeverisëse dhe korrupsionin e madh. Nga arratia ato deklarata anti-korrupsion megjithëse përpiqen të trajtojnë në mënyrë të strukturuar nga ishzëvendësi i Ramës, Arben Ahmetaj, nuk zënë peshë sepse shqiptarët e shikojnë vetë si qeveriset. Ashtu si dinë vetë edhe pjesën para metamorfozës së Ahmetajt dhe kinse zyrtarëve të ndryshuar, si puna e vetë atij.

Po atëherë pse duhet të protestojmë, kur gjërat nuk ndryshojnë?! Sepse duhet. Të paktën t’i falim pasigurinë shpirtrave tanë të trazuar, ndërsa ata që duan dhe nuk mund të protestojnë, u mbet një rrugë më e vështirë që të jenë vetja dhe të mos dorëzohen: Nëpunësit dhe administrata nga pushteti Rama dhe demokratët e politikës: Nga verbëria e ndjekjes ndaj liderit Berisha që me gjithë adhurimin e madh nuk mund t’i tregojë dot të ardhmen dhe t’i kthejë në pushtet. Këtë e thonë edhe vetë, kuptohet jo onair. Por, megjithatë edhe një i vetëm po të jetë i qartë proteston, aty ku ndodhet dhe përballë autoritetit jo demokratik. Kjo i kërkohet shqiptarit të sotëm, gjithnjë e më shumë menefregist, çdo kohë gati ta lerë Shqipërinë. Edhe një njeri i vetëm mund të ndryshojë botën, u tha njerëzve të mbledhur për ceremoninë e Nobelit të tij të Paqes në 1986, i mbijetuari i holokaustit dhe aktivisti Elie Wiesel: “Mund të ketë raste kur jemi të pafuqishëm për të parandaluar padrejtësinë, por nuk duhet të ketë kurrë kohë kur dështojmë të protestojmë”. Ky mbase mund të jetë një ilaç i vogël në shoqërinë tonë, por gjithsesi i nevojshëm.