Rama: Ballkani i Hapur, për ta 'nxjerrë' vetë gomarin nga balta, as lojë serbe e as konspiracion rus! Dua bashkëpunim të ngushtë me Kosovën, të trajtojmë me respekt mosdakordësitë

Kryeministri Rama mbrojti nismën Ballkani i Hapur ku tha se kjo i shërben të gjithë rajonit që të fuqizohen dhe për 'të nxjerrë' vetë gomarin nga balta pa pritur Brukselin. Ai tha se me Kosovën do bashkëpunim të ngushtë dhe se mosdakordësitë duhet të trajtohen me respekt.

" Ballkani i Hapur nuk është lojë e Serbisë. Ballkani i Hapur nuk është konspiracion rus apo kinez për të ringjallur Jugosllavinë. Nuk është një devijim nga integrimi. Të gjitha këto janë përralla me gogol, me një armik të deridjeshëm që Kosova, Shqipëria, e kanë mundur përfundimisht si armik në luftën reale me bombola e me pushkë, falë SHBA e aleatëve më të mëdhenj evropianë. Foshnjat që lindën në atë luftë dhe që sot po bëhen djem e vajza për t’u martuar, nuk ja kanë borxh politikës që luan luftash me Serbinë as në Prishtinë, as në Tiranë. Nuk ja kanë borxh që Kosova, e nxitur dhe nga Tirana, për politika që s’kanë të bëjnë fare me kombin, t’i humbasë në paqe si në një rule kazinoje politike, ku blofet në politikë të brendshme e të jashtme pasojnë njëra-tjetrën, të gjitha përfitimet. Ju takon autoriteteve të Kosovës të marrin vendimin, ndërsa neve na takon thjesht t’i respektojmë. Ama, për Shqipërinë vendosin autoritetet e Shqipërisë dhe ata duhet t’i respektojnë vendimet tona. Nëse nuk na pëlqejnë vendimet, duhet t’i diskutojmë, por kurrë t’i shpallim si tradhtarë, filo-rusë e filo-serbë, ata që mendojnë ndryshe, duke luajtur me padije. Ballkani i Hapur është pjellë e procesit të Berlinit.Ballkani i Hapur nuk merr përsipër asgjë jashtë procesit të Berlinit dhe nëse dikush del e thotë është kjo gjëja këtu, hajde ta diskutojmë. Ta nxjerrim vetë gomarin nga balta pa pritur të na ikë dhe një 10-vjecar, duke shprehur që do vijnë të tjerët t’i tërheqin litarët për ne nga Berlini e Parisi, ndërkohë që ne rrimë e thurim tym me njëri-tjetrin. Padyshim, nuk diskutohet mbështetja, ndihma, inkurajimi i tyre është tejet i çmuar, siç është dhe Ballkani i Hapur për të përshpejtuar procesin e integrimit. Kjo nuk do shumë mend e shumë mund. Ballkani i Hapur është i njerëzve që nuk duan të presin me orë të tëra nëpër kufij, është i fermerëve, kryesisht atyre shqiptarë që janë sot eksportuesit më të mëdhenj në rajon, është i tregtarëve që nuk duan të kontrollohen nga disa palë doganierë e inspektorë, është i turistëve që nuk kanë kohë të zbresin në një vend e për të kaluar te tjetri të përzhiten në radhë kilometrike, është i punëtorëve, i atyre që duan të punojnë, të gjejnë një vend pune më të mirë, të synojnë të shkojnë diku tjetër, dhe që nuk duan të merren me viza, dokumente, leje qëndrimi. Ballkani i hapur është i studentëve e pedagogëve, që duan të mësojnë gjëra të reja e të shkëmbejnë idetë. Është i tregjeve të hapura. Është për kulturat tona, që duhet të ndërveprojnë, siç ndodh kudo. Është i shteteve që duan të bëhen pjesë e Evropës së Bashkuar, që përmes kësaj nisme hyjnë në një proces të ri, siç do duhet të hyjnë kur do të bëhen pjesë e BE. Në një kornizë më të vogël, këto shtete mësojnë, përballen me vështirësi, që në momentin e hyrjes në BE, ato kanë nxjerrë disa konkluzione.Ku është tradhtia këtu, ku është konspiracioni, ku është asimilimi, ku është dreqi këtu? Apo do të përfitojë Serbia këtu se është më e madhe? Neve nuk na intereson fare çfarë përfiton Serbia, po sa përfiton Shqipëria dhe Kosova. Shqiptarët së bashku bëjnë që serbët janë vetëm njëri nga dy kombet e mëdhenj.A duhet të kërkojë falje Serbia për krimet e luftës? Po, nuk e luan topi. Pa u vënë aty kërkesa për falje dhe pastaj falja, nuk mbyllet kurrë saga e këtij konflikti. Por si arrihet kjo? Duke u izoluar apo duke u hapur, duke u afruar, duke rënë dakord për gjëra që janë në dobi të mirëqenies ekonomike e sociale. Nëse nuk paraqitet si popull i përkushtuar ndaj paqes, populli shqiptar është i destinuar të humbasë. Me rrugën e lehtë të luftës imagjinare, me facebook, kolltuk, ekrane, ka vetëm rrënim dhe izolim, këtë di të them unë. Megjithatë, biem apo jo dakord për Ballkanin e Hapur, dua që të bashkëpunojmë ngushtësisht me qeverinë e Kosovës. Shqipërisë nuk mund t’i jepen leksione dhe vendimet sovrane të Shqipërisë nuk mund të negociohen asgjëkundi! Koha do ta tregojë se kush ka të drejtë. Të merremi me punë konkrete në dobi të njerëzve dhe të jemi të angazhuar", tha Rama


Lajmi kryesor:

Programi dhe kabineti/ Përplasje dhe debate në seancën maratonë të Kuvendit, PD bllokoi foltoren, kerkoi prezencën e Ramës! Basha: Rama ekzekutori i zgjedhjeve, demokracia ka vdekur! Kryeministri: Copy-paste nga fushata, merru me kumriet (VIDEO)


I.K/KT/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Dy ish-kunatat, Nora Istrefi e Tuna bëhen bashkë, këndojnë mbi arkivol 'My love' (VIDEO)

Dy ish-kunatat, Nora Istrefi e Tuna bëhen bashkë, këndojnë mbi arkivol 'My love' (VIDEO)