Teksa prezanton veten në anglisht, Rama fton shqiptarët nga mbarë bota të bëhen pjesë e Samitit të Diasporës që do të mbahet më 18 Dhjetor.
Sipas Ramës, ky samit do të jetë ura lidhëse mes Shqipërisë dhe bashkëkombasve të saj që jetojnë në cepa të ndryshëm të botës. Mësohet se Samiti do të ketë mbi 800 të ftuar.
Rama gjen kohë të bashkëbisedojë me anëtarët e Reddit, shumica të rinj shqiptarë që jetojnë jashtë vendit dhe u kërkon ta pyesin për gjithçka, ashtu sikundër flet dhe kjo foto.
Pse mendon ti se duhet të të votojnë ty sërish shqiptarët në vitin 2017?
Sepse ata e dinë që progresi më i madh ka ndodhur, përmes reformave të mëdha që po modernizojnë vendin dhe për arritjet e mëdha që po na çojnë drejt një stacioni të ri, hapjen e negociatave për anëtarësimin ne Bashkimin Europian.
Cili ishte vendimi më i vështirë që ke ndërmarrë në fillimet e tua si kryeministër?
Të nisja reformën e dhimbshme për energjinë.
Cili është qëndrimi yt mbi legalizimin e marijuanës?
Është ide e mirë të legalizohet marijuana, por jam i bindur se për Shqipërinë që ta bëjë këtë, mbetet ende rrugë shumë e gjatë.
Pse rrite 22.4% taksën për blerjet në internet me një vlerë prej 20 eurosh?
Është një procedurë standarde që e zbatojmë në Shqipëri për të luftuar informalitetin që është përhapur tashmë dhe tek blerjet me internet.
Çfarë ka të lezetshme Shqipëria?
Është e bukur, mikpritëse dhe aspak e mërzitshme.
Cila do të jetë e ardhmja e marrëdhënieve të Shqipërisë me Serbinë?
Besoj tek idea se shqiptarët dhe serbët do të bëjnë për Ballkanin atë që bënë Franca e Gjermania pas Luftës së Dytë Botërore.
Si e kaloni kohën e lirë?
Për fat të keq kam shumë pak kohë të lirë. Në shtëpi të qëndruarit me tim bir kur ai është ende zgjuar më ndriçon ditën. Kur gjej kohë të lirë të dielave, bëj skulptura.
Përshëndetje nga New York. Jam 23 vjeç, kam lindur në Shqipëri por jetoj në SHBA, New York. A keni programe për të nxitur krijimet e të rinjve shqiptarë? Do të shkoj në ekspozitën ‘Marian Goodman’ për të parë punimet tuaja.
Jam i kënaqur që do të vizitosh ekzpozitën. Shpresoj të të pëlqejë.
Kemi disa programe për të rinjtë. Më e fundit ishte një me Marsejën. Ndërkohë kemi investuar tek shkolla e arteve në Tiranë, Liceu, ndërkohë që po punojmë për Shkollën e Baletit.
Z. Rama, ju na ftoni në Samitin e Diasporës por ndërkohë ju pyes, çfarë kanë bërë autoritetet për të drejtën e votës së emigrantëve?
Sic ju e dini, emigrantët shqiptarë nuk e kanë patur të drejtën për të votuar për 25 vite, vetëm nëse ktheheshin në Shqipëri ditën e zgjedhjeve. Për herë të parë qeveria jonë ka bërë hapa të rëndësishëm për të ndrequr këtë padrejtësi. Ne kemi punuar shumë dhe në shkurti të 2016, parlamenti shqiptar aprovoi ligjin për identifikimin dhe regjistrimin e të gjithë shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit . Sipas këtij ligji të gjithë emigrantët kanë mundësinë të regjistrohen, duke paraqitur një dokument të qëndrimit. Ky ligj i jep fund pengesave të cilat privonin të drejtat e emigrantëve për të votuar. Qeveria është e vendosur të zgjidh pengesat e mbetura dhe të krijojë një mekanizëm transparent,cka i lejon emigrantët të votojnë pavarisht vendndodhjes.
Jam Ema. Jetoj në Gjermani por kam jetuar dhe në Tiranë. Dua të të pyes mbi marrëdhëniet me me Greqinë. Nga deklaratat më të fundit, a e shihni ende Greqinë si një vend partner?
Përshëndetje Ema. Shqipëria prej kohësh ka një bashkëpunim të ngushtë e miqësor me Greqinë. Ne e konsiderojmë fqinjin tonë jugor një partner strategjik dhe besojmë se një mirëkuptim mes palëve do të kontribuonte në rritjen e stabilitetit për gjithë rajonin. Marrëdhëniet me Greqinë vijojnë të jenë miqësore, por ne besojmë se zgjidhja e cështjeve të mbetura ende pezull do të ndërtonte një të ardhme edhe më të mirë për gjeneratat e ardhshme shqiptare e ato greke. Ndërkohë komuniteti shqiptar që jeton në Greqi ka ndihmuar dhe do të vijojë të shtojë politikat e forcimit të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Greqisë
Duket se keni shumë lapsa e letra në tryezë, i shohim në foto. Jeni duke punuar mbi diçka?
Po, arti ne tryezën time më shoqëron çdo ditë, gjatë takimeve, telefonatave dhe momenteve të pauzës dhe reflektimit.
Cfarë preferoni për mëngjes?
Vetëm dy kafe ekspres.
(d.b/Shqiptarja.com)