Debati publik u mbajt në Teatrin e Operas dhe Baletit dhe drejtohej nga paneli i përbërë nga Sekretari për Programin në Partinë Socialiste, Ilir Beqja, deputetja Mimi Kodheli dhe deputeti Erjon Brace dhe ish-guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Shkëlqim Cani, të cilët u përqëndëndruan kryesisht në efektet e krizës në vend dhe nivelin e lartë të borxhit publik. Përfaqësuesit socialistë dhe vetë kreu i kësaj partie akuzuan kryeministrin se në 7 vite qeverisje ka rritur borxhin, papunësinë dhe po shet pasuritë e shtetit për të mbajtur pushtetin. Prandaj PS ofron një model të ri ekonomik për të cilën Shqipëria sot ka nevojë.
"Shqipëria po mbytet në borxhe, ashtu siç po mbytet në listat e dyqaneve çdo familje shqiptare që nuk ka punë apo që puna nuk i mjafton për të mos u futur në borxhe. Qeveria po e falimenton ekonominë dhe sot shihet korrupsioni më i madh në 100 vjet shtet. Kryeministri Berisha e tërheq vendin drejt rrënimit të mëtejshëm për të rritur monopolet e ortakëve të tij në biznes. Shqiptarët nuk janë para një zgjedhje mes dy personash dhe partish, por është zgjedhje mes dy të ardhmesh.Shqiptarët duhet të zgjedhin mes një rrënimi te mëtejshëm, apo një rimëkëmbje ekonomike së bashku përmes një rilindje që nuk është një vizion në ajër, por një domosdoshmëri. Ne kemi vizionin, idetë dhe vullnetin për të ndërtuar këtë nivel të ri të ekonomisë. Askujt nuk do t'i premtojmë parajsën por të gjithëve do tu japim garancinë se do jemi të parët që do të bëjm atë që themi. "- deklaroi Rama.
RAMA: PO SHET PASURITE TE MBAJE KARRIGEN
Në fjalën e tij kryetari i PS-së Edi Rama akuzoi kryeministrin Berisha se ka “nxjerrë në shitje çdo pasuri të këtij populli për të shtyrë ditët në karrigen e kryeministrit dhe për të shtyrë më tej në borxh shqiptarët.” Duke përmendur dështimin e tenderit të 4 HEC, Rama tha se me këtë privatizim shqiptarët humbasin 20 milionë dollarë ndërsa në privatizimin e Albpetrol, vetëm me privatizimin e të drejtës i merr popullit 50 milionë dollarë në vit.
“T’i privatizosh, 4 HEC-et që janë rindërtuar dhe i japin arkës së shtetit 20 mln dollarë, do të thotë ti privatizosh vetëm fitimin tia heqësh publikut dhe ti a japësh një grupi individësh. Nga ky privatizimi shqiptarët humbasin 20 mln dollarë, dhe do humbasin vit pas viti miliarda dollarë, por dhe do të thellohet borxhi i shqiptarëve. KESH i ka borxh këtyre HEC 3. 6 milionë dollarë, dhe pas privatizimit këtë borxh do ta paguajnë shqiptarët. Asnjë shtet që ka një pasuri si nafta, nuk ka nxjerrë në privatizimi të drejtën e vet publikut mbi këto burime. Shuma që përbën kjo e drejtë mbi një vit përbën 50 milionë dollarë. Janë 50 milionë dollarë në vit që i heq popullit kjo qeveri”- tha Rama.
RAMA: NE SHQIPERI ME PAK TE PUNESUAR SE 7 VITE ME PARE
Kreu i PS-se tha më tej se sot në Shqipëri ka më pak të punësuar se sa 7 vite më parë dhe shqiptarët kanë mundësinë të bëjnë zgjedhje mes rrënimit të mëtejshëm dhe rimëkëmbjes se ekonomisë për të cilën PS ka një vizion të qartë. Për këtë arsye rritja e vendeve te punes, sipas kryesocialistit do të jetë një ndër prioritet e qeverisë që ai synon të drejtojë.
“Ne do heqim taksën e korrupsionit dhe referencat. Ne nuk do t’i kërkojmë sipërmarrësve të mëdhenj të paguajnë më shumë e të japin më shumë kontribut për shtetin që shteti të sillet njësoj, por të kontribuojnë që shteti të japë më shumë për ta. Do mbështesim sektorin e fasonëve ku në 4 vite humbën punë mijëra njerëz, sidomos familjarë të shtresës së varfër. Ju do të thoni ku do t’i gjeni paratë për të bërë këtë revolucion. E vërteta është se Shqipërisë nuk i ka munguar asnjë herë paratë që Shqipëria të bëjë gjërat që duhen për shqiptarët. E vërteta është se për këtë projekt ambicioz nuk mungojnë paratë, ka munguar vizioni aftësia e vullneti”
ERJON BRACE: PAS PRIVATIZIMIT TE HEC-ve SKEME KORRUPSIONI
Deputeti Erjon Braçe akuzoi qeverinë se po grabit pasuritë kombëtare, po krijon monopole. Ai u ndal tek privatizimi i 4 HEC-ve, dhe mungesa e transparencës në këtë proces dhe që po kryhet në një skemë korrupsioni. Sipas Braçes “Babëzia dhe paratë e pista po ndërtojnë hidrocentralet. Kkujt do ja shesin energjinë? KESH pa tjetër!! Por KESH është 280 milionë dollarë borxh dhe s'ka para t'u japë as koncesionareve e as këtyre 4 hidrocentraleve!!.... Kostoja e privatizimeve që po bën qeveria bie mbi brezin e ri. Ta çlirojmë tregun nga monopoli e krimi i organizuar, që qytetarët të marrin nga tregu shërbimet e të mira që duan”, theksoi Brace.
CANI: QEVERIA NE 7 VITE E RRITI E SHTOI BORXHIN 4 MILIARDE DOLLARE
Ish-guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Shkëlqim Cani tha se Berisha ka shtuar borxhin dhe gënjen me rritjen ekonomike, ndërkohë që nuk ka hapur asnjë vend të ri pune në këto 7 vjet qeverisje. “Rritja ekonomike e ka premtuar 6 % e jep 50 % më pak. Nëse do të kishim rritje 6 % të ardhurat mesatare do të ishin rritur dyfish në 12 vjet. Sipas shifrave të rritjes ekonomike 3 %, do na duhen 25 vjet për të dyfishuar të ardhurat tona. Borxhi shqiptar në 7 vjet qeverisje është dyfishuar. Ka shtuar 4 miliardë dollarë borxhin, ka rritur dhe koston e saj. Ka arritur në atë pikë ku as bankat nuk të japin borxh. "
(sg/shqiptarja.com)