Rama: Berisha të flasë urgjent
Bllokoi energjinë me Kosovën

Rama: Berisha të flasë urgjent<br />Bllokoi energjinë me Kosovën
TIRANË – Grupi parlamentar i PS kërkon interpelancë urgjente me kryeministrin Berisha lidhur me zvarritjen e projektit të linjës së interkonjeksionit mes Shqipërisë dhe Kosovës.

“Berisha të clirojë një orë e më parë projektin që shpëton Kosovën, dhe të garantojë projektin që mos t'u humbë paratë Shqipërisë dhe shqiptarëve. Dicka nuk ka funksionuar kur duhet, dikush duhet të ndëshkohet nga ky turp kombëtar”.

Rama tha se Berisha duhet t’i përgjigjet 3 pyetjeve:
1. Pse është bllokuar projekti?
2. Pse nuk u ëshë dhënë përgjigje financuesve gjermanë?
3. Pse qeveria shqiptare e ka parë të udhës të sillet kundër normave ligjore me një donator si Gjermania për cështje jetike si pavarësia energjitike?

“Unë nuk pres përgjigje të sinqerta, sepse Berisha është vetë regjisori i bllokimit të projektit. Ndaj propozoj sot përgatisim interpelancë urgjente me Berishën. E pabesueshme që një projekt i tillë ka mbetur në duart e një ish truproje të Berishës. E dimë sa i dhimbset Berishës interesi kombëtar, kur në lojë është uria e barkut të tij”, tha kryesocialisti Rama.

Sipas Ramës, Berisha duhet të përgjigjet dhe jo të gënjejë.
“Duhet të çlirohet një orë e më parë ky projekt dhe të realizohet pa i humbur më kohë shqiptarëve. Dikush do të ndëshkohet në këtë llum që mban erë korrupsioni. Ky është një nga rastet kur turpi nuk i mbetet Qeverisë shqiptare”, tha Rama, duke shtuar se qeveria Berisha nuk punon për interesin kombëtar, por vetëm për interesat e ngushta të përfitimit.

TAKSAT, JEMI GATI PËR TË VOTUAR
Kryesocialisti është ndalur edhe në deklaratën e kryeministrit Berisha për uljen e taksave.
“Është farë e qartë se me veprimet e qeverisë së sotme dhe politikat e saj aventureske ka vetëm rrënim të mëtejshëm. Një nga gënjeshtrat më të mëdha që është kthyer në gjysëm të vërtetë është se gjatë këtyre viteve janë ulur taksat dhe janë mbledhur më shumë para në arkën e shtetit. Sot ka më shumë taksa mbi pagat, më shumë taksa mbi biznesin e vogël. Rasti skandaloz i dyfishimit të taksave në qytetin e Tiranës është rrënqethës. Sot ka më shumë taksa mbi familjet. Vendosja e taksës së sheshtë nuk ka ulur barrën fiskalë. Përpara vendosjes së taksës së sheshtë, barra fiskale mbi të ardhurat ishte 2 përqind, tani është 10 përqind. Një infermiere paguan sot 30 herë më shumë sot sesa ditën kur doktori u bë kryeministër, kurse doktori paguan sot më pak taksa sesa kur ishte doktor në krye të opozitës,” tha Rama.

“Taksa e sheshtë nuk rrit pasurinë e vendit. Problemi ynë nuk është me pasurinë, por me varfërinë. Problemi ynë është sistemi që shumicën e të pasurve nuk e lë të pasurohet më shumë. Taksa e sheshtë nuk e ka favorizuar biznesin, por ka favorizuar një grusht korporatash dhe klientë të pushtetit. Për ta ajo ka funksionuar si një parajsë fiskale,” vijoi kreu i PS.

Për të ilustruar rritjen e taksave, Rama solli taksën që paguajmë për televizionin publik.
“Shqiptarët paguajnë dyfishin për ekranin më të turpshëm në historinë e medias pluraliste. Pasqyrën më fyese, surratin më shembullor të pushtetit të gënjeshtrës,” tha ai.



(aq/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Rusia anashkalon sanksionet perëndimore, fillon përdorimin e Bitcoin në tregtinë ndërkombëtare

Rusia anashkalon sanksionet perëndimore, fillon përdorimin e Bitcoin në tregtinë ndërkombëtare