TAKIMI ME BERISHËN
Rama tha se gjatë takimit me Kryeministrit Berisha zhvilluar pak ditë më parë në Kryesinë e Kuvendit, dy krerët e partive më të mëdha në vend i kanë dhënë dorën njëri-tjetrit por thjeshtë kamerat nuk ishin prezent. Pyetjes nëse ishte në siklet gjatë ai iu përgjigj me një “absolutisht jo”.
“Është normale që në një proces që është ende i hapur të mos ketë zbardhje për median – tha ai duke iu referuar takimit me Berishën – për t’i dhënë deri në fund shans zgjidhjes. Nuk janë biseduar gjëra sekrete, qëndrimet janë të njohura publikisht. Janë bërë përpjekjet për të gjetur te pala tjetër një pikëtakim”, tha Rama. Ai pohoi se nuk ka biseduar për emra me Kryeministrin.
ZAGANJORI PENGON KONSENSUSIN
Rama e quajti kandidaturën e juristit Xhezair Zaganjori si të “njëanshme, të cilën opozita nuk mund dhe nuk do ta votojë”. Kjo kandidaturë “e paraqitur njëanshmërisht është kthyer në një pengesë për gjetjen e konsensusit”, tha lideri socialist.
Sipas tij, Zaganjori “nuk është një emër që vjen si rezultat i një dialogu dhe një kornize modalitetesh vendosur bashkarisht dhe kemi rezervat tona rreth kandidaturës”.
I pyetur nëse ky refuzim vjen për një kapriço apo ego personale sepse emri i Zaganjorit doli para takimit mes tij dhe Berishës, Rama e mohoi këtë duke shtuar se edhe nëse do të “ishim takuar më parë jo, nuk do të ishte kandidat Zaganjori”. Ai përsëriti se “presim nga qeveria që të na japë mundësi të ofrojmë konsensus duke zgjeruar gamën e ofertës së vet”.
NEGOCIATAT ME METEN
Rama foli edhe në lidhje me marrëdhëniet e përmirësuara me kreun e Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI), Ilir Meta. “Gjërat janë shumë të qarta – tha ai duke iu përgjigjur pyetjes mbi ekzistencën e negociatave mes tyre – ne thjeshtë jemi në pritje të ulemi në tryezë në çfarëdolloj formati, në formatin e mëparshëm si ai me Kryeministrin apo në format tjetër që të mund ta zgjedhin përfaqësuesit e mazhorancës”.
I pyetur nëse qëndrimi i opozitës po rrezikon “sakrificën e Metës për të bindur Berishën” që të heqë dorë nga kandidati brenda PD-së, Rama tha: “Unë nuk di që politikanët të bëjnë sakrifica. Politikanët bëjnë detyrat e tyre ndaj vendit”. Pra zoti Meta ka bërë detyrën e tij? “Absolutisht po”.
Është i mundur një konsensus direkt mes Ramës dhe Berishës duke përjashtuar Metën? “Këtu nuk bëhet fjalë për të përjashtuar askënd. Madje mund të jetë edhe e dëmshme. Ne duam të gjejmë zgjidhje me të gjitha palët në qeveri”.
Duke u përqendruar në raundet e ardhshme për zgjedhjen e presidentit, kreu i PS tha se “strategjia është publike, taktikat janë lëvizje që lidhen me dinamika të caktuara që nuk mund të shpalosen në publik”.
“Nuk e kam larguar Ilir Metën drejt Sali Berishës”, tha ai duke iu referuar mungesës së një koalicioni mes tij dhe kreut të LSI në zgjedhjet e vitit 2009. Po në vitin 2013 a fiton dot PS pa Metën? “Pa asnjë dyshim”, u përgjigj Rama. “Fitorja jonë në zgjedhjet e ardhshme nuk kushtëzohet nga çfarë do të bëjë LSI-ja”, shtoi kreu i PS.
NANO? S’ESHTE BETEJA PER PS
Pyetjes direkte pse nuk mbështet kandidaturën e vetëshpallur të ish-kreut të PS, Fatos Nano, Rama iu përgjigj duke pohuar se nuk e shikon dobishme që t’i thotë mazhorancës “na jep një emër se ne kemi emrin tonë”. Por a krijon moskandidimi i Nanos një rrezik për zgjedhjet e 2013? “Kjo nuk është beteja për Partinë Socialiste. Nuk po zgjedhim dikë për të zgjidhur hallin e Partisë Socialiste. Jemi këtu për të zgjedhur presidentin. Shqiptarët duan të hyjnë në Bashkimin Europian”, tha Rama.
Ndërsa në lidhje me kërcënimet e Nanos për rikthim në politikën aktive nëse nuk mbështetet në dëshirën për president, Rama tha se “nuk jemi duke shkruar historinë e Partisë Socialiste këtu. Unë nuk paragjykoj asgjë. Ne duam të krijojmë kushtet për konsensus dhe kushtet për konsensus nuk janë”.
“JEMI VJEDHUR DY HERE”
Rama foli edhe për të kaluarën e tij politike duke refuzuar përgjegjësitë për rezultatet elektorale. “Partia Socialiste dhe unë nuk kemi humbur ndonjë garë, jemi vjedhur dy herë. Në rast se edhe vjedhja prezumohet virtyt, atëherë këtu kemi përmbysur standarded e botës ku duam të integrohemi. Unë nuk kam në vizionin tim një Shqipëri ku sundon ligji i më të fortit. Dua një Shqipëri që haka të shkojë tek i zoti”.
STATUSI NE KEMBIM TE PUSHTETIT
Rama iu përgjigj edhe disa pyetjeve të drejtuesve të mediave kryesore në vend. Mes tyre, drejtoresha e të përditshmes Shqiptarja.com, Anila Basha, pyeti Ramën nëse i qëndron ende editorialit të tij ku shkruante se Berisha nuk mund të përgatisë zgjedhjet e ardhshme dhe si kishte ndërmend ta rrëzonte Kryeministrin nga pushteti. Në përgjigjen e tij, Rama la të kuptohej se me qëllim arritjen e një konsensusi mes palëve, që do t’i hapte Shqipërisë dyert e marrjes së statusit të vendit kandidat, mund të sakrifikojë rrëzimin e mazhorancës nga pushteti.
Ai shtoi se “nuk ka asnjë kompleks opozita që të kërkojë rrëzimin e pushtetit” por “ne duam statusin e kandidatit dhe për ta realizuar duhet hapësirë për konsensus”, theksoi Rama. “Na duhet statusi i kandidatit – përsëriti kreu i PS – Në rast se e marrim statusin e kandidatit atëherë mund t’u themi shqiptarëve ‘ne si opozitë e bëmë tonën’”.
(im/shqiptarja.com)