TIRANË-Qeveria përgatiti aktin normativ për të shtyrë pagesën e qirasë për 2 muaj, prill dhe maj për 3 kategori, biznesin e vogël që është mbyllur për shkak të situatës, familjarëve të regjistruar në punë, që kanë ndaluar punën për shkak të luftës dhe studentët që janë larguar për në banesat e tyre pas shpalljes së gjendjes së fatkeqësisë. 

Kreu i qeverisë theksoi se 3 kategoritë nuk do i paguajnë qiratë për prillin dhe majin dhe pas dy muajve në mënyrë proporcionale do të fillojnë të paguajnë detyrimet. Por çfarë ndodh me ata që nuk kanë një kontratë noteriale? Kryeministri propozoi dy rrugë; ose të pranojnë fatin e tyre që e kanë shkruar vetë ose të denoncojnë. Por çfarë do të ndodhë me ata persona që qiranë e kanë burimin e vetëm të jetesës. Për këtë kategori, kryeministri tha se do të trajtohet ndryshe, pra do të ketë specifikime.

Nisma e kryeministrit Edi Rama për shtyrjen e qirasë për bizneset e vogla, familjet në nevojë dhe studentët, duke paralajmëruar qiramarrësit se nëse bëjnë rezistencë do të gjobiten pesëfishin e shumës së qirasë që marrin ka sjellë reagimin e ashpër të Partisë Demokratike, duke e cilësuar këtë nisëm si antikushtetuese dhe  se po nxit përplasje sociale mes shqiptarëve vetëm për të mbrojtur oligarkët e tij të 120 milionë eurove që u jep koncesionet.

Pas akuzave të PD, ka qenë edhe më i ashpër reagimi i kryeministrit Rama duke i cilësuar si një çetë vulëhumburish ndaj hallexhinjve të kësaj lufte. Por kjo nuk ka mbajtur  PD-në e heshtur ,ku përmes sekretari të përgjithshëm Gazmend Bardhi shprehet se Rama nuk duhet të merret me sulmet ndaj opozitës, por të anulojë koncesionet dhe të ushqejë familjet me bukë, pasi buxheti i shteti mund ta përballojë këtë gjë.

Postimi i kryeministrit Edi Rama
Me aktin normativ për masat e veçanta do të ndalohen pagesat e qerave nga ana e bizneseve të vogla dhe familjarëve të regjistruar në punë, që kanë ndaluar punën për shkak të luftës! Kjo masë mbështetëse vlen edhe për studentët që jetojnë me qera! Kush ka humbur punën në të zezë dhe ka këtë hall, mund të përfitojë nga kjo masë vetëm duke denoncuar punëdhënësin! Qeradhënësit do të ndalohen t'u kërkojnë pagesën mujore këtyre subjekteve ose do të penalizohen me gjobë sa pesëfishi i vlerës së qerasë përkatëse! Për çdo rast presioni nga qeradhënësit, subjektet qeramarrës të dy kategorive të mësipërme, të drejtohen në faqen online të drejtorisë së përgjithshme të tatimeve! *kjo luftë kërkon medoemos që kushdo ka një mundësi më shumë, të solidarizohet me fakte jo me fjalë, për këdo që s'ka asnjë mundësi të mbijetojë pa solidaritet.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 03:01
Publikohet në Fletoren Zyrtare vendimi i qeverisë për shtyrjen e qirave me 2 muaj për 3 kategori

Botohet në fletoren Zyrtare vendimi i qeverisë për të shtyrë pagesën e qirasë për 2 muaj, prill dhe maj për 3 kategori, biznesin e vogël që është mbyllur për shkak të situatës, familjarëve të regjistruar në punë, që kanë ndaluar punën për shkak të luftës dhe studentët që janë larguar për në banesat e tyre pas shpalljes së gjendjes së fatkeqësisë. 

Ky vendim është një shtesë që i bëhet aktit normativ nr.3 të datës 15 mars 2020 të Këshillit të Ministrave , “për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19”.

“Detyrimi i prapambetur i këtyre  dy muajve do të paguhet nga qiramarrësi, në mënyrë proporcionale dhe të dakordësuar me qiradhënësin, pas muajit maj 2020. Për ato kontrata që përfundojnë përpara afatit 31 maj 2020, detyrimi i prapambetur do të paguhet nga qiramarrësi brenda tre muajve pas datës 31 maj 2020”, thuhet parimisht në aktin normativ.

Ndërkaq, akti normative parashikon se të gjithë qiradhënësit të cilët nuk e zbatojnë këtë vendim pritet të përballen me penalitete.

Të gjithë qiramarrësit e përcaktuar në këtë pikë, të cilët kanë ankesë për qiradhënësin si pasojë e moszbatimit të detyrimeve të mësipërme, do t’i drejtohen Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve nëpërmjet komunikimit elektronik.

Qiradhënësit, të cilët nuk e zbatojnë këtë pikë, dënohen me gjobë në masën e pesëfishit të qirasë mujore përkatëse.

Ngarkohet Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve për ndjekjen dhe zbatimin e parashikimeve të kësaj pike dhe nxjerrjen e udhëzimeve përkatëse.

Vendimi hyn në fuqi menjëherë pas publikimit.

Ora 22:33
PD: Shtyrja nuk është zgjidhje, qiratë duhet të subvencionohen nga shteti

Ish-deputeti demokrat Edi Paloka nuk e shikon si zgjidhje shtyrjen e qirave. Për Palokën zgjidhja është subvencionimi nga shteti, pasi pas dy muajve aftësia paguese e bizneseve do të jetë edhe më e pakët.

"Të vetmit që gëzojnë në këtë krizë dhe nuk janë në luftë janë 10 koncesionarët e Edi Ramës, që nuk u preket asnjë qindarkë. Vetëm këtë vit Edi Rama planifikon t’u japë pa asnjë dobi për qytetarët plot 120 milion euro! Qeveritarët e korruptuar dhe oligarkët janë të babëzitur, jo pronarët, që mbijetojnë me të ardhurat e siguruara nga qiraja!

Shyrja e qirave nuk është zgjidhje. Qiratë duhet të subvencionophen nga shteti, siç po bëjnë vendet fqinjë. Pas 2 muajsh aftësia paguese e bizneseve do të jetë edhe më e pakët. Vetëm Edi Rama nuk e kupton këtë, sepse i bën llogaritë e biznesit të vogël që mezi mbijeton në kushte normale, bazuar në fuqinë ekonomike të tij dhe të 10 oligarkëve, që pasurohen çdo ditë me paratë e shqiptarëve".

Ora 21:20
Rama sqaron skemën e shtyrjes së qirave për 2 muaj: Kur do t'i paguani dhe ç'ndodh kur s'ke kontratë

Kryeministri Edi Rama ka sqaruar mbrëmjen e sotme skemën dhe procedurën si do të bëhet shtyrja për dy muaj, prill dhe maj e pagesës së qirave për biznesin e vogël, familjet që janë prekur nga koronavirusi apo studentët. Kreu i qeverisë theksoi se tre kategoritë nuk do i paguajnë qiratë për prillin dhe majin dhe pas dy muajve në mënyrë proporcionale do të fillojnë të paguajnë detyrimet.

"Komunikova një nismë parimin e një nisme, nëse më lejoni para se ta shtjelloj t'ju lexoj aktin normativ që lidhet me qiratë, që besoj se i jep përgjigje një pjese të madhe të përgjigjeve dhe shqetësimeve. Të gjithë qiramarrësit individë që kanë një kontratë për banesë apo dokument tjetër që vërteton marrëdhënien përpara shpalljes së epidemisë dhe ka një kontratë pune por e kanë pezulluar apo zgjidhur pas gjendjes nuk do ta paguajnë detyrimin për dy muaj, prill dhe maj. Po ashtu të gjithë studentët me të njëjtat preokative nuk do ta paguajnë për dy muaj.

Po kështu të gjithë sipërmarrësit persona fizikë apo juridikë me të ardhura deri në 14 mln lekë në vit, që kanë kontratë noteriale qiraje para epidemisë nuk do ta paguajnë detyrimin për dy muaj, prill dhe maj. Detyrimi i prapambetur do të paguhet në mënyrë proporcionale dhe dakordësuar pas muajit maj 2020. Për ata që përfundojnë para 31 majit, detyrimi do të paguhet brenda tre muajve më pas.

Të gjithë qiramarrësit që kanë ankesë do të i drejtohen tatimeve përmes komunikimit elektronik dhe qiradhënësit do të ndëshkohen me gjobë pesëfish. Drejtoria e tatimeve do të ndjekë dhe zbatojë pikat dhe nxjerrë udhëzimet. Jemi në kushtet e një lufte. Nuk do i paguajnë këto dy muaj dhe pas dy muajve në mënyrë proporcionale do të fillojnë të paguajnë detyrimet. Dy muaj kam parashikim që është optimist. Por mund të jetë më e shkurtër apo më e gjatë, por këtu jemi edhe mund të shtyhet sërish".

Por çfarë ndodh me ata që nuk kanë një kontratë noteriale? Kryeministri propozoi dy rrugë. "Në të gjithë botën marrëdhënia nuk është marrëveshje strikte e përcaktuar në bazë të pranisë së noterit, ka me apo pa noter, të shkruar mes palëve apo me shtrëngim dore. Mjafton që personat që kanë një nga këto marrëveshje. Ky akt nuk nënkupton favorizimin e qiramarrësit. Nëse ka një qira që e paguan apo një punë në të zezë që paguhet, janë dy kategori që kanë dy zgjidhje, ose të pranojnë faktin e tyre që e kanë shkruar vetë ose të denoncojnë' tha Rama në Opinion.

Por çfarë do të ndodhë me ata persona që qiranë e kanë burimin e vetëm të jetesës. Për këtë kategori, kryeministri tha se do të trajtohet ndryshe, pra do të ketë specifikime. "Ata që e kanë jetike këtë qira, janë në vete dhe do të kemi një përgjigje specifike, pasi nuk i konsiderojmë që të sakrifikojnë për të tjerët, por që duhen ndihmuar. I gjithë biznesi i vogël nuk do të paguajë qiratë, por edhe te biznesi i vogël ka një pjesë që punon, por që duhet ndihmuar nga situata, pasi e gjithë atmosfera nuk ia ka bërë të lehtë, por ka edhe një pjesë që nuk punon fare dhe që ne do i çojmë pagën e luftës. Edhe këtu për këtë kategori të dytë, që do të marrë pagën e luftës, do të kemi një lajm brenda paketës".

Megjithatë, taksa e pronës do të paguhet, tha më tej kryeministri. "Taksa e pronës nuk ka lidhje me qiratë, është taksë e pasurisë tënde, sesi e përdor ti atë. Me ato para që tjetri merr nga qirave ai paguan një tatim nga e ardhura mbi qiranë, taksa e pronës nuk ka lidhje me qiranë". Një përgjigje kryeministri e kishte edhe për akuzat e opozitës se kjo lëvizje çon në përplasje sociale. "Kacafytja është ëndrra e tyre. Le ta provojnë që të kacafyten me një qiramarrës".

Ora 19:10
Bardhi i drejtohet Ramës: Mos sulmo opozitën, anulo koncesionet e ushqe familjet me bukë

Pas reagimit të Ramës duke i cilësuar si çetë vulëhumburish që  nuk dinë se çfarë flasin, ka ardhur sërish reagimi i PD, përmes sekretarit të Përgjithshëm i PD-së, Gazmend Bardhi. Ai tha se Rama duhet të 'sakrifikojë' koncesionet, tenderat dhe shpenzime operative të qeverisë dhe të ndihmojë familjet që kanë nevojë për bukë.

"Edi Rama u kërkon sakrificë vetëm qytetarëve të zakonshëm. Qytetarët nuk mund të mbajnë më gjatë barrën e taksës së korrupsionit që qeveritarët kanë futur në xhep. Taksa e korrupsionit i ka marrë peng dhe i detyron të mos anulojnë koncesionet dhe PPP. Në vend që të sulmojë opozitën që po qëndron në krah të qytetarëve në nevojë:

1. Edi Rama duhet të “sakrifikojë” 120 milion euro që ka parashikuar të japë për 12 koncesione dhe jo bukën e mijëra familjeve shqiptare.

2. Edi Rama duhet të “sakrifikojë” 40 milion euro që ka parashikuar për shpenzimet operative të Qeverisë dhe jo të lërë fëmijë pa bukë.

3. Edi Rama duhet të “sakrifikojë” 100 milion euro tendera luksi e të panevojshme dhe jo të fusë në borxh shqiptarët me njëri tjetrin.

Përgjegjësia e Qeverisë është që barrën e pamundësisë së mijëra qytetarëve të mos ua kalojë mijëra qytetarëve të tjerë, që janë po në kushtet e mbijetesës.  Barra duhet t’u kalojë qeveritarëve të korruptuar dhe oligarkëve që hanë milionat e shqiptarëve!  Anulo koncesionet dhe PPP! Lëri fjalët boshe në facebook", shkruan Bardhi.

Ora 18:48
Rama i përgjigjet PD: Suleni si çetë vulëhumburish, ndaj njerëzve më në hall të kësaj lufte

Pas akuzave të Partisë Demokratike duke u rreshtuar kundër kësaj nismës për shtyrjen e qirave për bizneset e vogla,  familjet në nevojë dhe studentët, ka reaguar kryeministri Rama duke u thënë se po sulen si një çetë vulëhumburish, ndaj njerëzve më në hall të kësaj lufte, ndërsa thekson se akti normativ, që është duke u bërë gati.

Në lidhje me akuzat s epo nxit përplasje sociale mes shqiptarëve, Rama iu përgjigj me ironi PD duke thënë se "sa gjynah që janë, nuk e gjej dot pse Zoti nuk ua ushqen fare vajin e kandilit të trurit as në këtë kohë të errët, po nuk kemi ç'bëjmë".

"Ndërkohë që kam publikuar parimin nismës së Aktit Normativ mbi pagesat e qirave të të dëmtuarve rëndë nga lufta që kanë humbur momentalisht aftësinë paguese dhe janë nën lloj-lloj presionesh, deri edhe të rënda nga qiradhënës të caktuar, shoh që ende pa dalë akti PD-ja është lëshuar siç di vetë kur prek majën e dëshpërimit!

Sa gjynah që janë, nuk e gjej dot pse Zoti nuk ua ushqen fare vajin e kandilit të trurit as në këtë kohë të errët, po nuk kemi ç'bëjmë!

Akti Normativ po bëhet gati, do të kem mundësinë t'ju shpjegoj edhe qiramarrësve hallexhinj, edhe qiradhënësve në hallin e tyre, edhe të gjithë të tjerëve që jetojnë me hallet përkatëse, se sa i drejtë është ky Akt Normativ, me ligj e me zakon, e se sa e fajshme (për të mos thënë kriminale) është në mes të luftës kjo kundërvënie e verbër e një çete vulëhumburish pa din e pa iman, ndaj njerëzve më në hall të kësaj lufte!", shkruan Rama.

Ora 18:06
PD kundër shtyrjes së qirasë: Rama mbron oligarkët, nxit përplasjen sociale mes shqiptarëve

Partia Demokratike ka dalë kundërt nismës së shtyrjes së pagesës së qirasë nga qiramarrësit duke akuzuar kryeministrin Rama se po nxit përplasjen sociale mes shqiptarëve vetëm për të mbrojtur oligarkët e tij.

Sipas PD, buxheti i shteti ka fonde për të ndihmuar qytetarët në nevojë, por Rama preferon që 120 milionë euro t'ua japë oligarkëve përmes PPP- dhe mbi 50 milionë euro në formë tenderash të dyshimtë që ju janë dhënë të klientëve të përhershëm dhe nuk zgjedh të ndih ojë popullin  shqiptar.

Këto nisma, sipas PD "janë të turpshme dhe antikushtetuese, të një njeriu që është në betejë me shqiptarët".

DEKLARATE E PARTISË DEMOKRATIKE

Në këtë kohë pandemie, ku çdo qytetar është në betejë për të mposhtur virusin dhe për t’ia dalë pa dëme në jetë njerëzish, fatkeqësisht kryeministri është në betejë me shqiptarët.

Nisma e tij për të ndaluar pagesën e qirasë nga qiramarrësit e bizneseve të mbyllura është një vepër e turpshme që mëton të ndajë shqiptarët.

Ky është një vendim antikushtetues, i padrejtë dhe i rrezikshëm.

Njeriu që nuk pranon të anullojë kontratat koncesionare ku palë është qeveria, por shpall anullimin e kontratave ku palë janë subjekte private, është fytyra e vërtetë e kësaj qeverie.  Për të mbrojtur oligarkët, për të mbrojtur paratë e vjedhura, Edi Rama ka braktisur qytetarët dhe bizneset dhe tani po mundohet që t’i përplasë ata me njëri-tjetrin.

Në Shqipërinë e varfëruar, shumë qytetarë jetojnë me qiratë  që marrin, një pjesë tjetër paguajnë shpenzimet e tyre me qiratë dhe një grup tjetër paguajnë këstet e kredive me to. Mospagesat e qirasë  do të ulin jo vetëm të ardhurat për qiradhënësit, por gjithnjë e më shumë shqiptarë nuk do të kenë aftësi paguese. Ekonomia në vend do të goditet akoma më keq në zinxhirin e konsumit. Dhe kjo vetëm do të shtojë varfërine dhe numrin e të varfërve.

Një qeveri e përgjegjshme nuk do t’i hidhte shqiptarët kundër njëri tjetrit, në këto ditë të vështira. Një qeveri që mendon për të gjithë qytetarët, si për qiramarrësit ashtu edhe për qiradhënësit, një kryeministër që angazhohet në betejë për të mbrojtur popullin e tij nuk përpiqet të krijojë ndasi.

Një qeveri e përgjegjshme duhet të gjejë burimet e nevojshme për të mbështetur bizneset e vogla përmes heqjes apo pezullimit të përkohshëm të taksave. Likuiditeti i parave do të përdorej për të paguar një qira që mund të rinegociohej mes palëve.

Një kryeministër i përgjegjshëm duhet të ndërhyjë duke siguruar pagesën e 50% të qirasë për bizneset e mbyllura, siç po ndodh në Kosovë. Do të siguronte ndihmë ekonomike duke paguar një pjesë të rrogës së këtyre punonjësve siç bën Kosova.

Një qeveri e përgjegjshme duhet të heqë dorë nga vjelja e qirave shtetërore ndaj bizneseve. Duke i dhënë atyre mundësi që me ato para të paguajnë punëtorët e tyre.

Por për fat të keq, shqiptarët janë sot të vetëm në këtë betejë. Kryeministri nuk mendon për ta, dhe për vështirësitë ekonomike që po prekin çdo ditë e më shumë familjet e shqiptarëve.

Në buxhetin e shtetit janë sot 120 mln euro të destinuara për projektet korruptive të PPP-ve, janë mbi 50 mln euro në formë tenderash të dyshimtë që ju janë dhënë të klientëve të përhershëm.

Edi Rama nuk pranon që të heqë dorë nga këto kontrata, së paku për një afat një vjeçar. Kryeministri nuk pranon që të sakrifikojë aferën e 120 mln eurove nga buxheti i shqiptarëve.

Mes shqiptarëve dhe oligarkëve Edi Rama ka zgjedhur këta të fundit, edhe në kushtet e tmerrshme në të cilën ndodhet vendi sot.

Prandaj ka vendosur ti hedhë kundër njëri tjetrit shqiptarët, që t’i shtyjë ata në një konflikt social dhe të shmangë përgjegjësinë e tij dhe detyrimin e tij ligjor për t’iu përgjigjur me fonde, detyrimeve për qeverinë që i përcakton qartë Ligji i Emergjencave.

Sepse Edi Rama e ka për detyrim ligjor në bazë të Kushtetutës dhe Ligjit për Fatkeqësinë Natyrore që të dëmshpërblejë çdo humbje të qytetarëve dhe bizneseve. Kjo nuk është në dëshirën e tij, ky është detyrim që rrjedh nga Kushtetuta e Shqipërisë.

Ora 17:32
Qiraja nuk do të falet, por do të shtyhet, Rama: Pagesën do e bëni kur të rihapni biznesin

Qiraja nuk do të falet, por do të shtyhet për t'u shlyer pas përfundimit të gjendjes së fatkeqësisë natyrore. Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se bizneset e vogla që janë mbyllur për shkak të situatës së luftës, familjet, por edhe studentët që jetojnë me qira nuk do ta paguajnë deri në fund të kësaj situate. Në rast presioni, Rama paralajmëroi se qiradhënësi do të gjobitet sa pesëfishi i vlerës përkatëse! Por reagimet në faqen e kryeministrit kanë qenë të shumta pas këtij vendimi. Disa qytetarë i janë ankuar kryeministrit se çfarë duhet të bëjnë qiradhënësit që varen nga qiratë që marrin, pasi mbeten në rrugë duke qenë se shteti po ndërhyn në pronën e tyre (e parashikuar nga gjendja e fatkeqësisë)? Kryeministri i është përgjigjur duke u kërkuar qiradhënësve, që të ulen dhe të flasin me qiramarrësin për një marrëveshje që të paguajnë me këste të arsyeshme pak e nga pak detyrimin. Pra nuk falet qiraja, por shtyhet që të paguhet pas përfundimit të gjendjes së krijuar nga koronavirusi. "Ulu me qeramarresin e bej nje marreveshje qe te te paguaje me keste te arsyeshme pak e nga pak detyrimin kur te mbaroje lufta" është përgjigja e Edi Ramës për njërin nga komentuesit që iu ankua.


Replikat e kryeministrit Edi Rama me qytetaret lidhur me ceshtjen e qirave