Rama: Biznesi i vogël dhe
zanatçinjtë që sot pa taksa

Rama: Biznesi i vogël dhe<br />zanatçinjtë që sot pa taksa
TIRANE - Ne një konferencë të gjatë tre orëshe ku u prezantua bilanci i dy muajve aksion të nisur nga qeveria kundër informalitetit në biznese, kryeministri Edi Rama shprehu vendosmërinë se masat shtrënguese, si burgu dhe gjobat e larta janë e vetmja zgjidhje për evazorët e mëdhenj fiskal. Por nga ana tjetër, shefi i qeverisë dha një lajm të mirë për të gjitha bizneset e vogla me qarkullim deri në 2 milionë lekë dhe të gjithë zanatçinjtë, siç janë zejtarët, bojaxhinjtë, elektricistët, hidraulikët, këpucarët, berberët, e të tjerë: Nga sot nuk do të paguajnë taksë vjetore.

"Për të gjithë ata që janë biznes i vogël, me qarkullim deri në 20 milionë lekë (të vjetra) dhe që janë të vetëpunësuar e ofrojnë shërbime apo produkte, ku ajo që ofrojnë është e krijuar nga puna e tyre, domethene të gjithë zejtarët, bojaxhi, elektricist, hidraulik, këpucar, berber, llamarinist, teneqepunues, biçikletarregullues, flokëtrajtues, nuk do të paguajnë më asgjë, vetëm duhet të jenë të regjistruar si persona fizikë. Deri sot paguanin 250 mijë lekë në vit, nuk do të paguajnë më. Zero! Për ne, janë njerëzit më të nevojshëm, janë njerëz që kanë zanat dhe me zanatin e tyre ushqejnë familjen. Ne duam ta stimulojmë më tutje fuqizimin e këtij rrjeti zanatçinjsh që i mungon Shqipërisë", - tha Rama.

Nuk vonoi shumë dhe lideri i opozitës e quajti heqjen e taksës për artizanët si fitoren e parë të opozitës.
 
“Një fitore të vogël e kemi korrur sot. Eshtë zbythur Edi Rama nga sektori i artizanatit. Dhe kjo zbythje nuk ka ardhur prej asgjë tjetër përveç presionit opozitar, presionit qytetar që po rritet e zmadhohet çdo ditë jashtë bunkerit të regjisë qendrore”, u shpreh Basha në një deklaratë për mediat.


Rama: Gjobat vetëm për të fortët që eksitohen nga semafori i kuq
"Si do të shkojmë në Bashkimin Evropian, me azil politik? Do shkojmë me një treg që nuk ka informalitet. Kush është bërë i kamur nga lypësat? Askush. Kush u bë i kamur nga gjobat sociale, mos ja vë gjobën kaq kur shkel semaforin se është e lartë, vërja pak se nuk ka lekë. Nëse nuk ka lekë përse duhet të shkelë semaforin? Thonë evazori mos të shkojë në burg. Por çfarë? Të rri mes nesh dhe të na vjedhë të gjithë ne të ngremë klasa dhe t’i themi hajde mbas pune se kemi edukatë morale, t'i themi mos na vidh me se kjo është një gjë e keqe. Të të shohim ty se si fiton në kurriz të gjithë të tjerëve? Ku bëhen këto debate, në asnjë vend. Ne kemi ndërtuar një legjislacion me shumë procedura, hallka edukative, morale, dhe ja ku jemi sot. Shumë gjoba të vogla nuk zgjidhin asnjëherë një problem të madh, kush e shkel ligjin ta marrë përsipër ta paguajë. Nuk pretendojmë të bëhemi si Singapori, vendi me informalitetin më të ulët në botë. Gjobat nuk janë për pensionistët që nuk shkelin vizat e bardha janë parë të fortit që nuk njohin ngjyrat, madje ka edhe nga ata që dhe e kuqja i eksiton. Të eksiton e kuqja? Ka një kosto, eksitohu paguaj paratë. Ne i përfaqësojmë të vegjlit, ju përfaqësoni interesat tuaja, ama legjitimojini interesat, dhe aty ku financohen në rrugën e informalitetit aty nuk keni punë me ne, ne nuk kemi mundësi të ndërtojmë klasa morali. 100 milionë nuk janë asgjë për ju. Do t’i paguani. Kush ka magazina me mallra të panumëruara t’i numërojë se vjen dhe viti i ri dhe nuk kemi dëshirë që me 1 janar të shikojmë ndonjë të çohet me 1 janar të ndahet nga familja dhe të telefonojë avokatin', -  tha Rama.

Gjatë fjalës së tij Rama vazhdimisht ju drejtua sipërmarrësve, shoqatave të biznesit e të pranishmëve të tjerë që ndodheshin në sallë, të cilët preken drejtpërdrejt nga kjo fushatë.

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në takimin për luftën kundër informalitetit

Rama: Të vetëpunësuarit nuk do të paguajnë më asnjë lekë

Shefi i qeverisë dha edhe një lajm të mirë kur tha se të gjithë të vetëpunësuarit që ofrojnë shërbime me produkte të krijuara nga puna e tyre, si zejtarët, bojaxhinjtë, berberët etj: Nuk do të paguajnë asgjë, përveçse u duhet të regjistrohen në QKR.

"Ne do të lehtësojmë një pjesë, si shitësit ambulantë se këtu imagjinata mund ta bëjë edhe një biznes të madh të thotë jam ambulant. Nuk do të kenë më detyrimin për të bërë regjistrimin ose çregjistrimin në QKR, do paguajnë një tarifë mujore që do t’i korrespondojë regjistrimit të tyre. Nuk është si rasti i berberit të famshëm që ju kundërvu me dhunë tatimorëve, por ka ndodhur që tatimorë e kanë pasur të vështirë të shkojnë aty ku më parë bëhej Pazar. Me shumë zell janë turrur nëpër njerëz që ne duam t'i përjashtojmë nga çdo detyrim. Faktikisht, për të gjithë ata që janë biznes i vogël, me qarkullim deri në 20 milionë lekë (të vjetra) dhe që janë të vetëpunësuar e ofrojnë shërbime apo produkte, ku ajo që ofrojnë është e krijuar nga puna e tyre, domethene të gjithë zejtarët, bojaxhi, elektricist, hidraulik, këpucar, berber, llamarinist, teneqepunues, biçikletarregullues, flokëtrajtues, nuk do të paguajnë më asgjë, vetëm duhet të jenë të regjistruar si persona fizikë. Deri sot paguanin 250 mijë lekë në vit, nuk do të paguajnë më. Zero! Për ne, janë njerëzit më të nevojshëm, janë njerëz që kanë zanat dhe me zanatin e tyre ushqejnë familjen. Ne duam ta stimulojmë më tutje fuqizimin e këtij rrjeti zanatçinjsh që i mungon Shqipërisë. Më thoni që kur më duhet rrobaqepës, ku ta gjej", tha Rama.

edi rama informaliteti

Rama i përgjigjet opozitës: Kanceri luftohet vetëm me agresivitet, mbrojmë të varfërit që ju bëtë viktima

Po ashtu kryeministri Edi Rama u ka dhënë përgjigje pretendimeve të opozitës se aksioni ndaj informalitetit sipas saj po rëndon të varfrit. Shefi i qeverisë tha se përgjatë 8 viteve të djathtët varfëruan shqiptarët sot dalin dhe predikojnë pikërisht për këtë shtresë të popullsisë. Duke e konsideruar inofrmalitetin një kancer që prek të varfrit kryeministri tha se ata nuk mund të lejohet të shkelin ligjin vetëm se janë të tillë.

Rama: Dua t’i kundërvihem me forcë të gjithë atyre që predikojnë duke folur në emër të të varfërve me teorinë e papranueshme se po të jesh i varfër ke inventiv shkeljen e ligjit dhe për të varfrit çdo qeveri duhet tu mjaftoka me mbylljen e syve dhe sigurimin e lëmoshës. Kjo nuk zgjidh problemin e varfërisë por krijon një rreth vicioz ku të varfrit mbeten të varfër dhe ky hendeku mes të varfërve dhe të pasurve shkon duke u thelluar. Nuk ka asnjë teori që justifikon informalitetin apo që pretendon se në një ekonomi informate ka një ekuilibër më të arsyeshëm në funksion të garantimit të atyre që janë më të dobët. Ekonomia informate godet në fillim më të dobëtit dhe nuk i lejon të forcohen, ekonomia informate është kancer dhe kanceri nuk luftohet me predikime, as me karamele, as me aspirina. Kanceri luftohet me agresivitet maksimal për të zmbrapsur agresivitetin që kanceri ka. Kanceri dobëson gjithë pjesët e organizimit dhe nuk i jep mundësinë të performojë sipas ambicieve të njeriut. Si mundet të predikohet butësi dhe mbyllje sysh përpara agresivitetit të ekonomisë informale, që ngushton hapësirat, që ata janë më të dobët të dalin në dritë dhe të përfitojnë nga rrezet e diellit. Biznesi legjitim vihet në pamundësi për të siguruar fitime me kosto të ulët, e vendos vendin në një ngërç absolut në përpjekjen për të siguruar rritjen e investime të huaja.

Si mundet të pranojmë t’i nënshtrohemi këtyre lloj predikimeve, abuzimeve me çdo lloj filozofie që synojnë ta frenojnë këtë operacion i cili ose e përball agresivitetin kancerogjen të informalitetit që nuk lejon konkurrencën dhe vendos konkurrencën e lirë si parakusht për zhvillimin e biznesit. Si mundet të pranohet që ky agresivitet kancerogjen i këtij informaliteti skandaloz të lejohet si pjesë e një normaliteti në emër të të varfërve, të më të dobëtëve, në emër të një mëshire që nuk është as kristiane as logjike. Pasi ky agresivitet e shqyen shoqërinë. Ekonomia informale është arsyeja pse kërcënohemi nga një polarizim i mëtejshëm. Sa më shumë ta lësh kancerin të bëjë të vetën aq më pak ke në dorë vetveten.

Flasin për korrupsion, terreni më i gjerë i korrupsionit është ekonomia informale, nxitësja më e madhe e korrupsionit. Ajo është fertilizuesi më i fuqishëm i krimit ekonomik. Ajo është forca më e verbër që dobëson shtetin, dhe kërkon ta pengojë shtetin që të bëhet, pengon kështu shtetin të jetë i gatshëm t’i përgjigjet nevojave të qytetarëve, se i pengon të marrin mbrapsh atë që investojnë, duke marrë kuponin tatimor në radhë të parë. Çfarë financash mund të forcojë një shtet, dhe çfarë shërbimesh mund të rrisë një shtet që pranon këtë predikim të madh dhe që i nënshtrohet varfërisë së aspiratave: hajde ta shtyjmë, janë në pamundësi dhe le të prodhojnë pamundësi dhe jo të krijojnë mundësi. Në cilin popull me ambicie mund të pranohen këto predikime? Sikur të tjerët do kishin bërë kështu do kishim shumë shokë e do ishim të ngushëlluar: kështu bëjnë të gjithë. Kërkojmë të sillemi sikur jemi një vend më vete me ca rregulla më vete?

edi rama informaliteti

​Si mundet Shqipëria të vazhdojë me politikanë që kindapojë siç i thonë vëllezërit tanë kosovarë tre bujq të lodhur dhe të painformuar, i detyrojnë të marrin arkat me mollë dhe i nxjerrin para parlamentit dhe mbajnë fjalime kundër regjistrimit. Çfarë do të thotë ta lësh një bujk të paregjistruar? Do të thotë t’i ndërpresësh rrugën për çdo mundësi fuqizimi, pasi NIPT-i nuk i vë atij taksa. Është e turpshme që edhe gënjehet njësoj siç mund të mendohet se gënjehet një i sëmurë për ta nxitur të vrasë. Kush regjistrohet fiton, nuk humbet, se nuk është më skllav.

“Hani pini e këndoni se është Lala Gjoni, vetëm mos harroni lalën kur votoni”. Kjo ka qenë kultura e ligjit, e shtetit, e financave, e ekonomisë të atyre që sot kanë marrë përsipër të mbrojnë sot viktimat e tyre që ne i japim dorën dhe i nxjerrim në një rrugë të madhe ku kanë mundësinë të ndryshojnë statusin nga viktima në protagonistë të jetës së tyre.

Rama: Nëse nuk doni tatimorët nëpër këmbë, merrni kompani autidimi -jua garanton ligji
Rama tha se ligji garanton që cdo biznes të marrë kompani auditimi, duke shmangur kështu kontrollet në terren nga inspektorët tatimorë.

"Transformimi i një bande në ushtri të rregullt kërkon kohë, kalimi nga ilegaliteti në legalitet edhe për tatimorët kërkon kohë. Ne ju themi nuk doni të keni kontroll tatimor, merrni kompani auditimi auditohuni vet. Lërjani hallin atyre dhe ne merremi me ata. Nëse nuk doni të shikoni asnjë tatimor te dera e keni në ligj të zgjidhur, thërrisni kompaninë e auditimit dhe ne na thoni ik te kompania se nuk dua t’ju shoh fare me sy. Dëgjova këtu që mund ta ketë fajin punonjësi. Thotë pronari, nëse në zonën time të përgjegjësisë kapem unë do përgjigjesh ti si punonjës, e i thoni prokurorit nuk kam pune unë. Se ka dhe roje me kredi të këqija në Shqipëri. Këtë nuk e lëmë dot", tha Rama.

Rama: Regjistrim në QKR online, nëse gjyshi nuk merr vesh, di nipi 4-vjeçar
Rama tha se të gjithë i kanë mundësitë t'i regjistrojnë bizneset e tyre në QKR, tashmë edhe online. 

"QKR e garanton regjistrimin direkt nga shtëpia. Nuk ka nevojë fare të lodhesh, hap telefonin çdo nip mbi 4 vjec ti të regjistrohet në QKR, jepja nipit thuaj regjistroje pak gjyshin. Si mund të ankohet dikush që po rri në radhë mbase e ka lënë shtetin në pritje 20 vjet. Shteti të rri në radhë që të të takojë ty?", - tha Rama.

Rama: S'ju themi nxirrni pushkën, thjesht merrni kuponin
Nëse vetë qytetarët angazhohen në këtë operacion - tha Rama - duke marrë kuponin tatimor, atëherë është edhe më e lehtë që frytet e tij të kthehen në investime dhe në rritje pagash e pensionesh. 

"Çfarë do të bëjmë më tutje? Ne duam të ulim taksat dhe të rrisim rrogat në shërbimin publik dhe në kompani. Por nëse kompania është e kërcënuar nga konkurrenca e pandershme? Cdo punonjës në shtet apo në privat që do të rrisë rrogën e tij duhet të marrë pjesë në këtë betejë, nuk duhet të nxjerrë pushkën, duhet thjesht të marrë kuponin, se ka filluar dhe një lojë tjetër ti blen 100 mijë lekë mall, dhe makina harron një Zero, duhet ta shikojë kuponin", u shpreh shefi i mazhorancës. 

foto live

Rama: Aksioni i energjisë sukses, mesazhi erdhi nga vetë populli
Kryministri Rama tha se reforma kundër vjedhjeve në energji ishte një sukses, i cili u mirëprit nga qytetarët, dhe këtë sipas tij e tregojnë edhe kontratat e shumta që u lidhën për shlyerjen e borxheve të prapambetura ndër vite.

"Shqiptarët që jetojnë me punë të ndershme e duan këtë reformë. Shumë njerëz predikonin që operacioni i energjisë do ishte fundi i kësaj qeverie, shumë politikej u turrën t’i thonin popullit erdhi momenti t’i jepni fund pa filluar kësaj përpjekje. Mesazhi që erdhi nga populli ishte tjetër, sepse nuk janë ata që selektohen dhe abuzohen njësoj si fëmijët, ata që merren me biznes të vogël dhe që janë të dërmuar shpirtërisht të pambështetur prej vitesh, burimi i forcës dhe i të vërtetës. Por janë ajo shumice që ju përgjigj një thirrje të hapur të qeverisë për tu formalizuar në mënyrë marramendëse. Nëse ata që paguajnë trajtohen si budallenj dhe mbeten gjithmonë të patrajtuar si në fakt janë, atëherë shkojmë aty ku vajtëm në buzë të humnerës. Po mos të ishim këto reforma sot këtu nuk do të kishit drita. Po mos të ishin këto reforma do të ishim duke shkurtuar rrogat. Por ne nuk prekëm as rroga as pensionet. S’mund t’i themi paguani ju më shumë taksa, por zgjodhëm sfidën t’i themi të tjerëve NDAL, ka mbaruar kjo lojë, se ndryshe nuk je njëri nga ne. 320 mijë konsumatorë që kanë nënshkruar kontrata të reja dhe 40 milionë euro që qeveria ja ka falur atyre që kanë pranuar të paguajnë menjëherë borxhet e energjisë", - u shpreh kreu i qeverisë.

Informaliteti, Cani: Nuk kapëm gafil asnjë, përgatitëm biznesin
Ministri i Financave Shkëlqim Cani i pranishëm në këtë konferencë, bëri një panoramë të detajuar që nisja e fushatës sensibilizuese muaj më parë e deri në nisjen e aksionit në muajin shtator. Sipas ministrit, asnjë biznes "nuk u kap gafil", pasi gjithçka ishte e paralajmëruar më parë dhe të gjithë bizneset kishin kohën e mjaftueshme të formalizoheshin, në radhë të parë duke u regjistruar.

Shkelqim Cani: Ky operacion ka pasur gjykime të ndryshme, dikush më ka thënë që jemi shumë herët, disa vonë. Të dyja qëndrojnë, ka këndvështrime ka secili. Ne kishim për detyrim të zbatojmë një program me të cilin ne erdhëm në pushtet, risistemimi i taksave. Ne themi që 97 % e shqiptarëve përfituan nga taksa. Së dyti, ne patëm një detyrim të dytë që ndoshta si fillim u pa me shumë skepticizëm, duhej të shlyenim detyrimet disa vjeçare të biznesit. E programuam që do shlyheshin në 3 vite, 700 milionë dollar premtuam dhe pothuajse i kemi realizuar, kanë ngelur fare pak dhe ato janë çështje gjyqësore të vogla. Deri në 31 dhjetor, dhe pastaj e mbyllim kapitullin e detyrimeve të prapambetura, duke realizuar një vit më parë atë që premtuam. Nuk lejojmë krijimin e detyrimeve të reja.

Në Shqipëri janë afërsisht 12 reforma që janë në rrugë, ka marrë kohën e saj dhe kjo reformë dhe është bashkërenduar me të tjerat. Reforma e energjisë është edhe më e thjeshtë, kurse kjo që ka të bëjë me biznesit është shumë më e kualifikuar, aq sa edhe pa zhurmë pa u ndjerë mund t’ju duket shifër që ju çudit. Vetëm gjatë 8 muajve të vitit 2014 dhe 2-3 muaj të 3015 ne kemi bërë trajnime të administratës tatimore e doganore mbi 50 herë të atyre trajnimeve që janë bërë 3 vite më parë. Në mënyrë që këtë reformë të mos e zhvillonim pa u kualifikuar. Tani kemi edhe trajnimin e biznesit.

Na thonë sikur ishit të papërgatitur, ju ra mëndja për këtë çështje. Strategjia është pjesë e financave publike, një strategji që shtrihet deri në vitin 2020 dhe kemi pjesë thelbësore si strategji në financat publike. Por edhe nga ana operacionale, e kemi filluar që në nëntor është paraqitur drafti i parë, pastaj ka qenë fundi i shkurtit me dalje publike ku kam përmendur 5 sektorët më me risk në këtë plan operacional. Nga marsi dhe në fund qershor ne kemi përgatitur planin operacional të detajuar për administratën.

Në bazë risku as ne nuk e dimë se ku do të shkohet. Ky plan pjesën e parë ka pasur 500 persona të papunësuar nga studentë që kishin mbaruar shkollën dhe kanë pasur dy funksione: Bexhin e punonjësve të tatim-taksave por pa tagrin e gjobës. Trokitën në 59 mijë biznese mbi bazën e një harte dhe u kujtuan që duhet të jesh i regjistruar, të kesh kasë, të lëshosh kupon, të publikosh çmimet, të kesh mallrat e akcizës me pullë të saktë. Ka dhe një kritikë tjetër, që sikur jemi përqendruar tek biznesi i vogël, po ai zë 99 %., vetëm 1 i bie biznesi i madh.

Në gusht doli kryeministri dhe shpalli që në shtator do të fillojë fushata. Pse tani? Ja pse tani, sepse bëmë gjithë këtë punë përgatitore donim që po e them me gjuhën popullore: “mos me kap në gafil” asnjërën palë. E dimë që është vetëdeklarimi i cili pati rezultate të kënaqshme gjatë 2014, pati atë rënien e vet gjatë vitit 2-015 për faktorë nga më të ndryshmit. Tani jemi këtu ku jemi secila palë duhet ta mirëkuptojë njëra-tjetrën.

Kush ju nxiti? Në krah kam kolegët e mi të biznesit, biznesi a nxitim, biznesi na imponoi edhe atë që ne burokratët mund ta bëjmë si duam ndonjëherë ta zvarrisim.
Nuk kam asnjë ankesë për biznesin, e mirëkuptoj dhe na ka mirëkuptuar përveç çështjeve tona që natyrshëm edhe pak zmadhohen, pjesa tjetër ka kaluar në mirëkuptim të plotë kemi gjetur gjuhën.

Ndoshta dikush duartroket fuqishëm unë duartrokas, përpara kemi publikun që na dëgjon e thotë mirë keni bërë kaq po sa biznese janë të paregjistruar, që nuk japin kuponë, sa biznese të mëdha nën-raportojnë? Shqipëria nëse ka qenë 20 vite kështu 2 muaj nuk përmbysin situatën, dy muaj vënë në punë makinën që do kohë të marrë shpejtësinë. 

Nikolin Jaka: Trajtimi i bizneseve në pamundësi për të funksionuar, Shqipëria në 25 vjet ka pasur një çorganizim të organizuar. Kemi kioska që shoqërojnë grupin e kioskave. Do ketë edhe sipërmarrje që do mbyllen se nuk ka më tolerime dhe përjashtime nga disiplina financiare. Është obligim nga Ministria e Financave për ti përfshirë në sektorë të ndryshëm të ekonomisë. 

Shkelqim Cani: Kush i hyn një biznesi i hyn me mend në kokë dhe jo me mendjen për të mos paguar taksat, nuk mund të rrijë shteti pa paguar ose pa zbatuar ligjin, ne e bëmë tonën hoqëm taksën për biznesin e vogël, etj. Të heqim nga mendja që nuk do paguajmë taksat, i vogël i madh i mesëm do paguajë taksat sipas ligji. 

Nikolin Jaka: Kanë hyrë në një panik të vetëshpallur pasi nuk dinë se çfarë përfitimesh reale kanë,. Thjesht pajisja me kodin e fermerit e përjashton nga përgjegjësia fiskale deri në një xhiro totale 5 milionë lekë të reja.

Shkelqim Cani:  Nuk kemi gjë me bujqit të vazhdojnë të prodhojnë të eksportojnë ne na kanë në mbështetje kështu që ata të mos shqetësohen nga gjithë kjo çështje. 

jaka dhe cani

Arben Ahmetaj: Ky operacion dështon nëse do të ishte i njëanshëm, dhe kemi qenë të qartë që nuk duhet të ishte një operacion represiv por në bashkëpunim me të gjithë aktorët, Dhe ashtu rezultoi, shifrat janë domethënëse.  Po të ishin të papërgatitur do vinim t’ju kapnim gafil. U ulëm u përgatitëm, në themel është deklarimi vullnetar.
Kur erdhëm premtuam 300 mijë vende pune, vende këto në funksion të biznesit se është fuqi konsumatore, fuqi blerëse dhe është në themel të betejës për të sunduar ligji. Sot rezultojnë 200 mijë vende pune të reja dhe të regjistruara, formale. Në dy muaj ky operacion ka ngulitur besimin tek të gjithë që kjo qeveri është serioze. 218 mijë vende pune në 2 muaj të formalizuara, të deklaruara, dhe jo shkon në themel të rritjes ekonomike. 

arben ahmetaj

Redaksia Online
(Greta Malaj/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?



×

Lajmi i fundit

Agravon debati mes Julit dhe Eglës: Je një pise femër, shko urgjent dhe çlirohu

Agravon debati mes Julit dhe Eglës: Je një pise femër, shko urgjent dhe çlirohu