Në kushtet kur miratimi dhe aplikimi i ligjit të Vetting-ut konsiderohet si i vetmi kusht i vendosur për hapjen e negociatave në progresraportin e BE-së, më 2016, Kryeministri theksoi se për këto çështje e për shumë të tjera duhet që politika t’i hapë rrugë zbatimit të Vettingut.
“Të zhbllokojmë Vettingun, nuk është cështje politike, por e interesit kombëtar që këta mjeshtra e kthyen prej 20 e ca vitesh drejtësinë në tregun më të madh në këtë vend ku e drejta blihet ose shitet njësoj sic shitet e blihet mish duhet të marrin atë që meritojnë, duhet të zhduken nga rruga e këtij populli”.
Sipas kreut të qeverisë, është e patolerueshme që gjykatat të bllokojnë bankat për llogari të dyshimta nga persona të ndryshëm.
“Në një vend që duam të bëhemi shtet, gjykata bllokojnë bankat, në vend të bllokojnë llogaritë e atij apo asaj që ka shkelur ligjin”.
Gjykata Administrative
“Le të çohet njëri këtu e të thotë e fitova çështjen pa paguar”. Kështu iu drejtua kryeministri biznesit lidhur me Gjykatën Administrative.
“E kërkuat me insistim, por thjesht u shtua një kasap më shumë në tregun e mishit të njerëzve. Ndryshon tek të tjerat, thjesht sepse rrjep me shpejt”.
Pronat
Kryeministri tha se vendimet e Gjykatave për pronat, i kanë shkaktuar dëm ekonomik shtetit. Mungesa e një sistemi drejtësie të pavarur është evidentuar prej kohësh si pengesa më e madhe për zhvillimin ekonomik të vendit. Në 25 vjet, janë me miliarda euro investime të huaja të munguara për shkak të mungesës së besimit tek drejtësia shqiptare dhe sundimi i ligjit.
I ndalur konkretisht tek çështja e pronave, Rama lexoi e komentoi disa vendime të dhëna nga Gjykatat mbi tokat në bregdet.
“Rastet e vjedhjes së pronave janë të pafundme, dhe këto i kanë bërë dëm buxhetit të shtetit. Për këtë e kanë fajin gjykatat me vendimet e tyre të cilat kanë qenë në kundërshtim të plotë me ligjin. Ka pasur raste kur prona është marrë pa asnjë dokument. Vjedhjet e ndodhura kanë qenë kalime pronash nga shteti në privat. Një pronë që i takon shtetit ikën e grabitur nga gjykata, dhe çfarë figuron? Figuron se prona regjistrohet, pas regjistrimit bëhen transaksione, dhe kryen zhvendosje të pronës me dokumenta false. Këto janë 10 raste nga dhjetëra e qindra raste. Ja si në Velipojë, ai kërkoi 200 dynymë, i dhanë 200 ha. Këto janë gjykatat tona".
Gjatë fjalës së tij, Rama u shpreh se kjo qeveri ka bërë të mundur ndryshimet kushtetuese për reformën në Drejtësi. Falë reformave, në tre vite janë ofruar 60 lehtësira fiskale, të cilat i kanë dhënë sipërmarrjes mundësi që të ketë në dispozicion 800 milionë dollarë më shumë. Shqipëria është përmirësuar në konkurrueshmërinë globale me 13 vende dhe në lirinë ekonomike, me 20 vende. Ndërkohë “Standard & Poors” e çon Shqipërinë në kategorinë B +.