"Unë e kam bërë të qartë dallimin me kohë. Ka një dallim thelbësor midis atyre që i futen sipërmarrës në politikë dhe atyre që bëhen biznesmenë duke ardhur nga politika", - theksoi Rama; - "sipërmarrësit që janë përfshirë në listat e Partisë Socialiste qoftë në 2009, qoftë tani, nuk janë bërë biznesmenë në politikë. Ndërkohë që është kthyer qeveria e Republikës së Shqipërisë në një kompani fitimprurëse, e cila për të nxjerrë përfitime marramendëse këta zotërinj ka falimentuar Shqipërinë. Kështu që ta lëmë këtë farsë propagandistike me sipërmarrësit.
Sipërmarrësit janë figura kyçe në sistemin ku ne jetojmë. Sipërmarrësit kanë të drejtë të kenë zërin e tyre në Kuvendin e Shqipërisë. PS është një forcë e deklaruar për aleancë me sipërmarrjen, për partneritet me sipërmarrësit, për hapjen e një faqe të re edhe në këtë drejtim, duke u zotuar që do t’i vëmë sipërmarrësit në piedestal njësoj si këngëtarët, si sportistët, si gjithë vipat e suksesshëm në kulturë, art, shoqëri. Vetëm kështu, ne do të kemi mundësi të frymëzojmë nëpërmjet shembullit të sipërmarrjes së suksesshme edhe shumë të reja dhe të rinj që jetën e tyre ta shohin të realizuar përmes punës dhe sipërmarrjes. Sipërmarrja është punë, sipërmarrja nuk është turp", - nënvizoi Rama.
BISEDA E PLOTE ME GAZETARET NE AUTOBUS
"Mirëdita!", - përshëndeti Rama. - "Me shi dhe me bereqet po shkojmë drejt Beratit me Skuadrën tonë të Rilindjes për Beratin, me Ermonelën, Fidelin, Artan Lamen, Edin tjetër. Një tjetër Ed, se jemi tre Ed në autobus. Dy Ed do rrinë në Berat, më i gjati do kthehet. Pastaj me Stavrin me Erionin. Kemi një Erion tjetër në skuadrën e Beratit. Me Anilën dhe me Almën. Sipas eksperiencës të bukur së herës së shkuar jemi bashkë me një grup gazetarësh për të bërë një bashkëbisedim dhe për të shfrytëzuar kohën për të komunikuar edhe me dashamirësit, mbështetësit, me publikun dhe sigurisht edhe me kundërshtarët përmes transmetimit live. Falënderoj, gazetarët që na janë bashkuar në këtë rrugëtim. Përpara se t’ju jap fjalën dëshiroj të shpreh kënaqësinë time për ecurinë më shumë sesa shumë të mirë të fushatës, e cila ende nuk ka hyrë në tempin e vet më të lartë, por është me ritme të kënaqshme dhe me një inpakt më të mirë sesa ç’e kishim parashikuar për këtë fazë.
Pasi kemi bërë prezantimet e skuadrave në Durrës, Shkodër, jemi sot këtu për të mbyllur në mbrëmje prezantimin e skuadrës së Beratit. I japim shumë rëndësi qarkut të Beratit jo thjesht për faktin që do të marrim 6 mandate për “Aleancën për Shqipërinë Europiane”, por për faktin që Berati për ne është një nga zonat që meriton vëmendje të jashtëzakonshme nga qeveria e pas 23 qershorit, pas një keqqeverisjeje që si kudo ka hapur dhe në Berat plagë të rënda", - tha kryesocialisti.
Cilat kanë qenë arsyet reale që Erion Braçe u transferua nga qarku i Beratit për në qarkun e Fierit?
Faleminderit për pyetjen! Erjon Braçe është në vijën e parë të një pjesë shumë të rëndësishëm të frontit të betejës elektorale, në qarkun e Fierit. Ku njësoj si në qarkun e Beratit ne synojmë të marrim maksimumin dhe do të marrim maksimumin. Për këtë arsye edhe Erjon Braçe gjendet aty, krah për krah, me Gramozin, me Eglantinën, me Armando Subashin, me Ilirjan Celibashin dhe gjithë skuadrën e Fierit. Sigurisht, që ju keni nevojë për fabula që tërheqin më shumë telespektatorë dhe lexues, por në këtë rast nuk ka asnjë çudi, nuk ka asnjë anomali. Ne jemi një Skuadër Kombëtare ku secili është pozicionuar aty ku e kërkojnë interesat e përbashkëta të skuadrës dhe ku kërkon qëllimi i madh i një fitoreje që do të realizohet qark për qark dhe pastaj në të gjithë Shqipërinë.
Meqë jemi duke udhëtuar drejt Beratit dhe Berati është një qytetet që mbrohet nga UNESCO. Cili është programi konkret i Partisë Socialiste për ruajtjen e kësaj trashëgimie?
Ne do të bëjmë për qytetet tona atë që nuk është bërë për vite të tëra. Nuk e ekzagjeroj po të them që edhe për Beratin, si për Vlorën, për Korçën, për Elbasanin, për Durrësin, për Shkodrën, për Lezhën, për Gjirokastrën, pa i përmendur të gjitha, por në këto qendra qarqesh ku gjendet graviteti i jetës urbane të këtyre territoreve dhe ku flenë vlera të trashëgimisë, vlera të kulturës, vlera të historisë, vlera të zhytura në pluhur dhe në degradim do të bëjmë ç’nuk është bërë 20 vjet të marra së bashku. Në qeverinë tonë do të ketë një prioritet absolut. Ne kemi fatin që shumëçka ta gjejmë gati për të filluar punën sepse kemi kryebashkiakë të cilët kanë projektuar, kanë planifikuar, i kanë projektet dhe planet në sirtar dhe presim vetëm mbështetjen e qeverisë kombëtare. Një qeveri që nuk e kanë pasur në Tiranë për vite me radhë. Nga një anë mllefi, për faktin që kanë votuar masivisht Partinë Socialiste, nga ana tjetër obskurantizmi i këtyre 8 viteve në qeverisjen e vendit kanë krijuar pamundësira të mëdha dhe kanë thelluar plagë të mëdha.
Duke i dhënë gjeneratës së re, gjithë popullit shqiptar disa pika referimi për një të ardhme europiane të dukshme dhe të prekshme, siç i dhamë qytetarëve të Tiranës në ato fillime, kur askush nuk mund të imagjinonte që pazari i madh oriental që quhej Tiranë mund të kthehej në një qytet europian. Për më tepër akoma, ne kemi një skuadër shumë të kombinuar, me personalitete që janë personalitete me profil politik, personalitete që janë me profil vendor, qytetar, siç është Stavri.
Sot ju vini nga një aktivitet që keni bërë me gratë socialiste dhe me nënat socialiste. Por, vetëm dje KQZ ju ka vënë një gjobë se nuk keni plotësuar kushtin prej 30% gra.
Së pari, unë jam shumë krenar që promovuam rritjen e kuotës në ligjin elektoral. Jemi partia që me këtë promocion, me këtë shtytje të madhe përfshimë kuotën dhe e çuam në parlament më shumë gra sesa Partia Demokratike apo forcat e tjera. Jemi partia që sot do të çojmë përsëri në parlament më shumë gra se PD. Mbetet sfidë që të plotësojmë kuotën kudo jo vetëm në pjesën e sipërme të listës, por në të gjithë listën. Por, ama një gjë kam nevojë ta nënvizoj që nuk kemi përdorur emrat e grave dhe vajzave për të mbushur listat në pjesën e poshtme, por kemi qenë shumë të vendosur që të shtojmë numrin e grave që do të jenë në parlament dhe kemi më shumë gra se ç’kishim. Ndërkohë që jemi zotuar dhe kjo do të jetë sfida e zgjedhjeve të ardhshme vendore që në çdo këshill bashkiak dhe komunal të Shqipërisë ne do të kemi 50% gra në lista. Është një proces. Nuk mund të kalojmë nga një ekstrem në pikën tjetër që do të ishte përmbushja e barazisë së plotë gjinore. Ekstremi ishte i tmerrshëm, mungesë e plotë përfaqësimi i grave. Sot nuk mund të themi më që parlamenti ynë është një parlament që s’ka lidhje me Europën nga kjo pikëpamje, sepse ka një numër të konsiderueshëm për ne, për Shqipërinë, dhe për traditën e saj të derikëtushme, grash dhe vajzash.
Në listat e PS janë shtuar kandidatët biznesmenë, kjo ndoshta si shkak i taksës progresive?
Unë e kam bërë të qartë dallimin me kohë. Ka një dallim thelbësor midis atyre që i futen sipërmarrës në politikë dhe atyre që bëhen biznesmenë duke ardhur nga politika. Sipërmarrësit që janë përfshirë në listat e Partisë Socialiste qoftë në 2009, qoftë tani, nuk janë bërë biznesmenë në politikë. Ndërkohë që është kthyer qeveria e Republikës së Shqipërisë në një kompani fitimprurëse, e cila për të nxjerrë përfitime marramendëse këta zotërinj ka falimentuar Shqipërinë. Kështu që ta lëmë këtë farsë propagandistike me sipërmarrësit. Sipërmarrësit janë figura kyçe në sistemin ku ne jetojmë. Sipërmarrësit kanë të drejtë të kenë zërin e tyre në Kuvendin e Shqipërisë. PS është një forcë e deklaruar për aleancë me sipërmarrjen, për partneritet me sipërmarrësit, për hapjen e një faqe të re edhe në këtë drejtim, duke u zotuar që do t’i vëmë sipërmarrësit në piedestal njësoj si këngëtarët, si sportistët, si gjithë vipat e suksesshëm në kulturë, art, shoqëri. Vetëm kështu, ne do të kemi mundësi të frymëzojmë nëpërmjet shembullit të sipërmarrjes së suksesshme edhe shumë të reja dhe të rinj që jetën e tyre ta shohin të realizuar përmes punës dhe sipërmarrjes. Sipërmarrja është punë, sipërmarrja nuk është turp. Biznesi është punë dhe punë e madhe me stres dhe me kosto të mëdha personale, nuk është turp. Ashtu sikundër politikanët nuk janë të gjithë njësoj. Politika nuk është një pisllëk që i bën pis të gjithë ata që merren me të. Përkundrazi! Ashtu edhe të marrurit me biznes nuk është absolutisht mëkat, nuk është absolutisht diçka nga e cila duhet të ruhemi, por është diçka që duhet të promovojmë. Sigurisht, ata që vijnë nga bota e biznesit në politikë, siç kanë bërë dhe bëjnë të paktën përsa na përket, do të lënë biznesin dje do të merren me politikën, kanë arsyet e tyre për t’i bërë këto zgjedhje dhe janë zgjedhjet e tyre të lira dhe plotësisht të respektueshme.
Unë i përbuz ata kundërshtarë, apo ato kritikë që tregojnë me gisht sipërmarrësit si të tregonin një sëmundje dhe e konsiderojnë mëkat përfshirjen e sipërmarrësve në jetën politike. Absolutisht jo! Përkundrazi. Koha tregoi se sipërmarrësit që u përfshinë në jetën politike të PS-së përballuan me dinjitet vite të tëra në opozitë duke përballuar goditje mafioze, kriminale nga ana e pushtetit. Duke përballuar strese të tepërta dhe kosto të tepërta për familjet e tyre dhe për kompanitë e tyre. E, duke përfaqësuar me dinjitet komunitetet e tyre. Mjafton t’i shikoni një më një plagët që i’u janë hapur në këto katër vite atyre kompanive, ju siguroj se është e vlefshme për të krijuar një pikëpamje shumë të shëndetshme për sipërmarrësit dhe propagandën e tyre. Nuk janë sipërmarrësit shqiptarë, të gjithë, klientë abuzivë të pushtetit dhe nëse një grusht klientësh që janë të tillë, sepse politika në pushtet ka zgjedhur të përziejë detyrën publike me përfitime private, kjo nuk do të thotë që ne të qëndrojmë larg sipërmarrjes apo që të kemi frikë se çdo na thonë po të përfshijmë sipërmarrës në fushën e aktivitetit publik. Është absolutisht një qasje destruktive dhe tërësisht jo realiste. E, mbi të gjitha jo në interes të zhvillimit normal të jetës së vendit.
Folët për një skuadër kombëtare. Në 2009 keni qenë vetëm trajner, këtë radhë edhe lojtar. Kush është 11-tëshja më e mirë? Ose më saktë 10-tëshja më e mirë, duke marrë të mirëqenë që ju jeni lojtari më i mirë në fushë i PS-së?
Ndoshta më ngatërrove me atë Giani De Biazi se unë nuk jam trajner i kombëtares së futbollit dhe nuk kemi 11 veta këtu. S’kemi dalë të luajmë futboll, kemi dalë të bëjmë një ballafaqim politik, kemi burra dhe gra, djem dhe vajza të përfshirë në këtë ballafaqim. Nuk janë 11, as 22, por janë më shumë se 140 vetë. Nëse më pyesni a është kjo një skuadër më cilësore sesa ajo e 2009, unë ju them absolutisht PO.
Përsëri për skuadrën kombëtare..
Unë ju siguroj që siç kemi një skuadër deputetësh dhe deputetesh që është më cilësore se ajo e katër viteve më parë, sepse kemi profile të reja, të konsoliduara në këto 4 vite në jetën politike. Ja ku e kam në krah Ermonelën që katër vite më parë ishte e panjohur dhe që u përfshi në skuadrën tonë si një premtim dhe sot është një realitet që Ermonela është një përfaqësuese me një profil të konsoliduar, ashtu siç kemi edhe të tjerë. Që i kanë dhënë hov ripërtëritjes së PS-së dhe një procesi ku të tjerë janë përfshirë sepse rruga është e hapur, ndërkohë që kemi një skuadër që i harmonizon gjeneratat, eksperiencat dhe kështu me radhë.
Ndërkohë ju falenderoj për pyetjen sepse më jepni mundësinë që ta refuzoj kategorikisht një qasje kritike që përpiqet të barazojë Skuadrën tonë Kombëtare me skuadrën e PD-së. Nuk ka asnjë krahasim në asnjë pikëpamje. Po ju them që unë jam shumë krenar sepse unë besoj fort që nuk ka skuadër të përsosur në asnjë aktivitet. Përsosmëria është ajo që na shtyn të kërkojmë të bëjmë gjërat më mirë. Si gjithmonë ka diçka për t’u përmirësuar, por ama ne kemi një listë përfaqësuese në dy nivele. Në njërin nivel që është niveli politik, dhe këtë e shihni edhe ju. Pra, mbi këtë ju jeni kompetent për të gjykuar. Por, edhe në një nivel tjetër që ju nuk e shihni dhe s’keni kompetencën ta gjykoni, që është niveli i përfaqësimit territorial. Kemi një skuadër që përfaqëson çdo territor të Shqipërisë. Kemi figura që në pamje të parë mund të duken si të panjohur, mund të duken si të dorës së dytë, por janë figura që i përfaqësojnë komunitetet në pjesë të ndryshme të qarqeve më mirë sesa unë apo cilido nga ata që ju i shikoni në ekran.
Në emision e përditshëm VOX report shumë qytetarë shprehin mosbesimin tek klasa politike. Pse duhet t’ju votojnë juve?
Faleminderit për pyetjen! Në fakt nuk jemi të gjithë njësoj, siç nuk jeni ju të gjithë njësoj, siç nuk janë njësoj mediat, siç nuk janë njësoj njerëzit që punojnë në media, siç nuk janë njësoj skuadrat në futboll, në basketboll dhe kudo në jetën e përditshme. Publiku ka shumë arsye të jetë i dëshpëruar, të jetë mosbesues, të jetë edhe cinik. Por, cinizmi nuk është çelësi me të cilin mund të hapen dyert e të ardhmes. Në fund të fundit përpjekja e një kombi, e një vendi, e një komuniteti për të përmirësuar jetën e vet nuk rresht kurrë.
Ne jemi të bindur se çdokush ka arsye të votojë, e mos pjesëmarrja në votim, një gjë është e sigurt, i lë gjërat siç janë me mundësinë që të bëhen më keq se ç’janë. Ndërkohë që pjesëmarrja në votim, një gjë është e sigurt, është një kontribut për t’i ndryshuar gjërat. E vetëm nga ndryshimi gjërat mund të përmirësohen. Vetëm nga ndryshimi gjërat mund të provohen. Përsa më takon, më lejoni t’jua kujtoj edhe njëherë tjetër, unë nuk kam qenë kurrë kryeministër i këtij vendi dhe megjithatë besoj jo të gjithë kryeministrat e këtij vendi kanë qenë njësoj, jo të gjithë i kanë bërë këtij vendi të njëjtat dëme dhe jo të gjithë janë përgjegjës përpara këtij vendi për plagët që qeveritë kanë hapur këtu. Kështu që, besoj shumë që çdo kush e ka një arsye për të votuar. Ju personalisht si gazetare keni arsye që të votoni për shkak se liria e mediave, liria editoriale, liria individuale e çdonjërit që kontribuon në fushën tuaj të betejës është e kërcënuar, është e tkurrur në fusha të caktuara të aktivitetit tuaj.
Si do arrini ju këtë liri të gazetarëve?
Po pse si mendon ju, që liria juaj është e tkurrur vetëm nga Zoti apo nga moti? Liria juaj është e tkurrur nga presioni i pashembullt politik mbi botuesin tuaj, mbi drejtorin apo kryeredaktorin tuaj, që e merr nga botuesi juaj presionin dhe e derdh tek ju. Është liri e tkurrur në kompleks; është e tkurrur politikisht, është e tkurrur ekonomikisht, është e tkurrur nga mungesa e konkurrencës së ndershme, është mungesa e një kuadri që garanton lirinë. Jo thjesht si liri për të folur, por si liri për të funksionuar normalisht dhe për t’u respektuar brenda kornizës kushtetuese. Çfarë do bëjmë ne?
Ne nuk do i biem më në qafë medias, nuk do të privilegjojmë më një media, nuk do ushqejmë më qasjen duke derdhur buxhetin e shtetit për të financuar media që kthehen në lehaqenj ndaj opozitës. Nuk do ngacmojmë asnjë media që do jetë kritike me qeverinë. Do të çlirojmë Televizionin Publik Shqiptar dhe do ta bëjmë model të funksionimit në shërbim të publikut. Do ta kthejmë në një ekran në shërbim të publikut, një ekran ku nuk do të bëhen parada të përditshme ministrash. Një ekran ku lajmet nuk do të fillojnë në minutën e 36 mbasi ka folur çerek ore kryeministri, mbasi ka përshëndetur edhe nja 10 minuta të tjera Presidenti dhe mbasi kanë folur edhe gjithë ministrat. Absolutisht jo! Do të shikoni lajme korrekte që informojnë publikun. Do të shikoni emisione korrekte që i shërbejnë publikut. Kjo është pak, por e sigurt.
Ndërkohë që do të rregullojmë gjithë tregun mediatik me një mbështetje ligjore. Mediat nuk do të shesin lirinë editorial, apo ne nuk do të blejmë me paratë e popullit lirinë editoriale të medias. Ky besoj është një ndryshim i madh. Ne nuk premtojmë ta bëjmë Shqipërinë parajsë, nuk do themi që “Shqipëria e ka kapur Gjermaninë dhe tani presim që ta kalojmë, se e ka çuar Shqipërinë të dytën pas Gjermanisë”.
Ne nuk i premtojmë këto marrëzi. Ne premtojmë një qeverie me një sjellje etike, qytetare, kushtetuese ndaj çdo individi dhe ndaj publikut në përgjegjësi. Ndaj çdo aktiviteti që është shprehje e lirisë së sipërmarrjes qoftë në tregti, qoftë në prodhim, qoftë në media, qoftë kudo qoftë.
Ju falënderoj për pyetjet dhe ju siguroj që 23 qershori do të krijojë premisat, siç tha Ermonela, që të rilindni të gjithë ju dhe të merrni frymë ende më lirisht, për t’i shërbyer publikut si zëdhënës dhe njëkohësisht duke qenë rojet që ruajnë publikun nga qeveria.
Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)