Kryeministri theksoi se "Shqipëria po jeton një krizë sistemike që vjen si pasojë e neglizhimit, apo mosadresimit disa vjeçar të nevojave të ekonomisë në përmbatjen e vet strukturore, nevoja që u bënë shumë therëse si rrjedhojë e krizës financiare dhe efekteve të saj në vendin tonë. Ndërsa vendi u prek pak nga kriza në vitet e para, si rrjedhojë e integrimit të ulët në shkallët financiare, mosveprimi nga ana e autoriteteve dhe refuzimi nga autoritetet publike për të parë realitetin, sipas Ramës, çoi në një thellim të problemeve strukturore, që u shoqërua në ngadalësim të kreditimit, rritjes së kredive të këqija, rënie dramatike të rritjes ekonomike.
“Ne kemi marrë një angazhim dhe do të jemi besnik për të filluar auditimin e sistemit tonë të administrimit të parasë dhe njëkohësisht të shpenzimeve në të gjitha drejtimet”. Ky auditim, sipas kryeministrit, do të bëhët nga një prej katër kompanive të auditimi më të mëdha në botë.
““Për 22 vjet ekonomia jonë është mbështetur në të ardhurat e remitancave, në borxhin e brendshëm e të jashtëm që aktualisht ka kapur nivelin më të lartë të historisë dhe përtej nivelit zyrtar është ende më i lartë. Borxhi shkon në 400 milionë dollarë përfshirë dhe tvsh e pa rimbursuar. Borxhi ndaj sektorit privat futi ekonominë në një ngërç dhe paralizoi në një masë të konsiderueshme fuqinë ndikuese të bankave mbi ekonominë për shkak të ndërthyrjes së këtij zinxhiri. Ne po përgatitemi një orë e më parë ta shlyejmë këtë borxh. Nuk mund të bëjmë sikur ky broxh nuk ekziston dhe t’ia lëmë në kurriz sektorit privat dhe kompanive që po asfiksohen. Do të shlyejmë borxhin me çfarëdo kostoje”- tha Rama.
DOMOSDOSHMËRITË PËR NJË PROFIL TË RI TË EKONOMISË
“Kemi marrë një votë të qartë për të ndryshuar qeverisjen e vendit dhe për t’i dhënë jetë një profili të ri të ekonomisë, një model më dinamik dhe integrues dhe një strukturë që na ofron më tepër me ekonominë europiane.”- tha Rama.
Ai foli për një orientim të ri me biznesin, ku prioritet do të jetë biznesi i vogël , dhe politikat e stimulimit të financimeve dhe përgatitjen e një sërë masash të cilat do i vihen në dispozicion biznesit, bankave dhe institucioneve ndërkombëtare.
”Është e rëndësishme të rikthejmë sa më shpejt besimin tek ekonomia e vendit tonë dhe reformat strukturore dhe eficenca e tyre me qëllim ta bëjmë Shqipërinë një vend me një ekonomi atraktive dhe për investimet e huaja dhe partneritet me biznesin. Shembullin duhet ta gjejmë këtu dhe ta ndërtojmë mes veti më së pari. Për këtë po përgatisim një sërë masash që do i ndajmë me bizneset bankat e institucionet ndërkombëtare, duke ripozicionuar shtetin dhe vetë qeverinë si një nga protagonistët jo si një që bën ditën e natën në raport me të tjerët."- tha Rama
Pikat të cilat kryeministri i cilësoi si domosdoshmëri për zhvillimin ekonomik
-Një strategji të re për rritjen ekonomisë dhe reformat e duhura
-Nxirja e prodhimti të brendshëm
-Ndërtimi i politikave specifike për të nxitur eksportet
-Shteti të mos jetë rregullator i verbër që dikton por si partner i intertesuar dhe i angazhuar për të luftuar monopolet, korrupsionin, për të garantuar lirinë në të cilën operatorët të mund të funksionojnë në bazë të meritës.
-Politika specifike fiskale që mbështesin politikën afatgjatë
-Duhen nxitur investimet e brendshme dhe të huaja
-Politika specifike për punësimi,. Kemi një angazhimin madhor për të cilin shumë kush qesh, por ne jemi shumë seriozë e do ia dalim. Është një premtim që bazohet tek realiteti i një ekonomie që sot aq sa është i shtrënguar ka dhe mundësi.
-Mbështetje me përparësi të çdo sipërmarrjeje që krijon vende të reja pune
-Rishikimi nga themeli i sistetim arsimor për të siguruar një forcë punëtore të kualifikuar
-Politikat e rikualifikimit profesional dhe të përshtatjes me tregun
-Rivlerësimi i mënyrës si shpërdoren apo përdoren burimet natyre
-Fokusimi tek një mënyrë e re e përdorimit të parasë publike e dhënies së shërbimeve përmes kësaj.
- Masa për rritjen e kreditimit nga sektori bankar.
- Rishikimin e ekonimisë shqiptare si një ekonomi që nuk është me vete e për vete por gjithnjë e më e integruar me ekonomitë e rajonit.
DO TE KRIJOHET KESHILLI EKONOMIK KOMBETAR, MERR FUNS EPOKA E PENGMARRJES NGA DREJTORE
Rama foli dhe për krijimin e një Këshilli Ekonomik Kombëtar që do të jetë forum i munguar që do të ulë bashkë kryeministrin, ministrin e ekonomisë, financave, guvernatorët, përfaqësues të bankave, përfaqësues të investitorëve të huaj, biznesin, që do të diskutojnë për mbarëvajtjen dhe origjinën e mundshme të trajektores së strategjisë tonë të zhvillimit. Rama tha se do të marrë fund epoka e marrjes peng nga drejtorë doganash e tatimesh.
“Muajin e ardhshëm do të ngremë dhe do të vëmë në punë Këshillin ekonomik kombëtar, që do të ulë të gjithë protagonistët. Kryeministri, ministri i Financave, Ministri i Zhvillimit Ekonomik, guvernatorin i Bankës, përfaqësues të sektorit bankar, sipërmarrës, investitorë të huaj dhe një numër këshilltarësh të nivelit botëror e në mënyrë sistematike do të diskutojnë për mbarëvajtjen e strategjisë tonë të re të zhvillimit. Të garantojë se epoka e marrjes peng nga drejtorë doganash, e tatimesh të marrë fund duke hapur një epokë ku njeriu që merret me biznes të vendoset në piedestal si njeriu që merret me sport e muzikë."- tha Rama.
PLANI: PER 1000 SIPËRMARRËSIT E MËDHENJ NUK DO KETË KONTROLLE TATIMORE
Rama foli dhe për një plan, aktualisht vetëm ide për vetëkontrollin e sipërmarrësve të mëdha.
”Po përgatisim një plan. Mund ta them si ide se kur ta artikulojmë do ia prezantojmë sipërmarrësve. Duam të çlirojmë sipërmarrjen e madhe. Të paktën 1000 tatim paguesit më të mëdhenj nga kontrollet tatimore. Nuk duam të kontrollojmë më sipërmarrjen e madhe duam që sipërmarrja e madhe të vetëkontrollohet përmes auditit nga 4 kompantitë e mëdha dhe kontrolli të bëhet në përputhshmëri të plotë me respektin e sipërmarrësve"
KONFERENCA: INTEGRIMI RAJONAL PASTAJ EUROPIAN
Në vijim të bashkëpunimit të saj trevjeçar me Universitetin e Oksfordit, Banka e Shqipërisë organizoi sot paraditen seminarin Rajonal të Nivelit të Lartë me temë “Forcimi i lidhjeve në Evropën Juglindore-Ankorat politike dhe perspektivat e biznesit”.
“Një nga mësimet kresore që kriza nxorri në pah është bashkëpunimi rajonal, që të krijojmë një shtrat për reformat strukturore dhe të shkojmë drejt rritjes së qëndrueshme. Së bashku vendet tona kanë një potencial të madh kapitali dhe njerëzor, për të qenë në shpatull të ekonomive europiane, të cilat gjatë rrugës për rikuperim kanë nevojë për këto ekonomi dhe së bashku të integrohemi në Europën e bashkuar”, tha guvernatori i Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani.
“Modeli i rritjes ekonomike është kthyer në temën qendrore të debatit ekonomik”, tha Fullani. Prej një periudhe disa vjeçare ekonomia jonë po ndikohet nga kriza, janë frenuar investimet dhe kreditimi i ekonomisë,është shënuar përkeqësim i bilanceve të sektorit publik dhe atij privat. Megjithatë ekonomia shqiptare ka ruajtur stabilitetin e çmimeve dhe qëndrueshmërinë makro, sistemi bankar mbetet i mirëkapitalizuar, likuid dhe fitimprurës. Sistemi bankar nuk u përball me situata ekstreme, që do të kërkonin fondet publike.
Fullani shtoi se bankat qendrore në botë po mbështesin politikën e tyre monetare me masa prudenciale. Sipas tij, edhe struktura e Bankës së Shqipërisë është e ngjashme me ato europiane dhe ka një eksperiencë disa vjeçare në përdorimin e masave kundërciklike, ku ai përmendi zgjerimin e koeficientëve për të parandaluar rrezikun e kreditimit në valutë.
Në afatin e gjatë, tha guvernatori, rritja ekonomike e një vendi përcaktohet nga fuqia punëtore, arsimi, prduktiviteti, shkalla e akumulimit të kapitalit, që nxiten përmes reformave strukturore.
Ekonomia shqiptare është në rrugën drejt integrimit, me rezultat final rritjen e mirëqenies ekonomike, por ajo kërkon integrimin e plotë të menaxhimit ekonomik, pranimin e rregullave të harmonizuara të lojës në gjithë hapësirën euripiane” “Procesi i integrimit europiane duhet të jetë ankora jonë kryesore në ndërmarrjen e reformave.” Fullani shtoi se Biznesi shqiptar duhet të bëjë më shumë për të nxitur procesin eintegrimit, duke përshtatur teknologjinë e fundit.
Integrimi rajonal është një hap i domosdoshëm që duhet t’i paraprijë atij europian. Duke qenë se ekonomitë tona janë të vogla, duhen krijuar zonat e unifikuara që do të krijonin incentivat e duhura për tërheqjen e investimeve, rekomandoi Fullani.
Redaksia online
(Genc Kondi/ Suela Gera/shqiptarja.com)