Në nisje të episodit të radhës të podkastit “Flasim”, kryeministri Edi Rama përmblodhi dhe komentoi zhvillimet kryesore të javës që lamë pas.
Për rritjen e çmimit të naftës, Rama solli në vëmendje që është "ngritur një taskforcë në Ministrinë e Ekonomisë dhe atë të Financave me qëllim që të rritet kontrolli dhe të evidentohet çdo lloj abuzimi i mundshëm në treg". Ai tha se "nuk janë vënë re abuzime, monitorimi vazhdon, dhe duke qenë se çmimi ka pasur një tjetër kërcim, është marrë vendimi që të hyjmë në regjimin e bordit të transparencës, i cili do të sigurohet se nuk do të ketë përfitues apo profiterë, siç i thonë në anën tjetër të bjeshkëve, që do të duan të shfrytëzojnë krizën për të futur më shumë para në xhep".
Kreu i qeverisë përsëriti se është marrë "një vendim tjetër për të ndërhyrë me një masë të përkohshme, gjë që po e bëjnë edhe vende tjera në akcizën e naftës, duke i bërë asaj një ulje me rreth 20 %", si dhe që ajo "na intereson e para është që të mbrojmë pensionistët, që do të thotë se në këtë rast, niveli i rritur i përfitimit që do të vijë në arkën e shtetit nga rritja e çmimit, cilidoqoftë ai, pas uljes që iu bë akcizës, do të shkojë vetëm për të mbrojtur pensionistët, vetëm për të mbështetur pensionistët".
Rama u shpreh se "Shqipëria vazhdon me një ritëm të qëndrueshëm rritje ekonomike, duke u pozicionuar ndër vendet me performancën më të lartë për vitet në vijim, sipas parashikimeve të institucioneve financiare ndërkombëtare". Ai shtoi se "në Shqipërinë 2030 pritet një rritje prej rreth 32% e Prodhimit të Përgjithshëm Kombëtar".
Numri një i ekzekutivit foli edhe për rritjen e kompensimeve për ushtarakët.
"Kur miratuam buxhetin e vitit 2026, vendosëm t'i japim mbrojtjes afro 12% më shumë fonde sesa viti i mëparshëm, gjë që ishte natyrisht edhe rezultati i angazhimit tonë për t'i qëndruar skedulës së rritjes së financimeve të vendeve të NATO-s, por edhe për t'i qëndruar zotimit për një trajtim gjithnjë e më dinjitoz të forcave tona të armatosura. Në fund të shkurtit, vendosëm dhe rritjen e pagave për ushtarakët, me një efekt të drejtpërdrejtë nga janari dhe në mbledhjen e fundit të qeverisë, kemi miratuar dhe mbulimin e kostos së transportit për çdo ushtarak aktiv. Ky është një hap i shumëpritur dhe i mirëpritur nga të gjithë ata, që nën uniformën e Forcave tona të Armatosura i shërbejnë vendit në çdo front dhe synimi ynë mbetet një pagë konkurruese dhe një trajtim financiar, që deri në fund të këtij mandati do të jetë në mesataren e vendeve të NATO-s. E thënë ndryshe deri në fund të këtij mandati, objektivi i parashikuar dhe në ndërkohë i përkthyer në një plan rritje të pagës, është që paga e ushtarit bazë në Republikën e Shqipërisë të rritet me deri në 70 %",- tha Rama.
Shqipëria mori një vlerësim pozitiv nga raporti i Freedom House, i cili është një raport ndërkombëtar për lirinë në botë. Sipas këtij raporti, vendi ynë ka shënuar, jo vetëm një përmirësim në raport me më parë, por është renditur si vendi më i vlerësuar në rajon për shkallën e lirisë.
"Ndërkohë që, edhe në aspektin e të drejtave politike dhe funksionimit të institucioneve, progresi është i dukshëm, ashtu siç vlerësohen edhe përpjekjet në luftën kundër korrupsionit dhe në transformimin e sistemit të drejtësisë. Por, ajo që e bën këtë rezultat më domethënës është fakti se kjo vjen në një kohë kur në nivel global liria dhe demokracia janë nën presion dhe në rënie në shumë vende të botës",- tha Rama.
Rama gjithashtu u ndal edhe te një raport tjetër, që e vendos Shqipërinë në dhjetëshen e parë për sigurinë kibernetike, duke kujtuar sulmet e Iranit disa vite më parë dhe duke thënë se tani, Irani po bën sulme të tjera kibernetike, por kësaj radhe, pa sukses.
“Edhe pse unë nuk jam një tifoz i flaktë i raporteve, e thashë edhe më parë, e dinë të gjithë, gjithsesi, kjo është një ditë shënimesh, ku jo një, po dy raporte zënë vend. Dhe ky i dyti është me një vlerë të veçantë në ditët e sotme, pasi është raporti për sigurinë kibernetike dhe për ne, kjo ka një rëndësi të veçantë, sepse ne jemi në fokusin e një armiku, që na sulmoi në mënyrë të pamëshirshme, disa vite më parë, duke na gjetur, jo plotësisht të përgatitur, po pa mundur të na bëjë dëmin që parashikonte dhe na sulmon përditë, po tanimë, pa asnjë sukses apo me ndonjë gërvishtje të lehtë fare, siç ndodhi me disa materiale, krejt pa asnjë rëndësi të Kuvendit të Shqipërisë, edhe për shkak se sistemi i Kuvendit nuk është ende plotësisht i integruar në sistemin tonë të mbrojtjes. Sipas këtij indeksi ndërkombëtar, Shqipëria renditet në dhjetëshen e parë. Tani kështu është dhe hyn në një grup shumë të kufizuar vendesh me performancë të lartë në këtë fushë dhe në këtë rast, kjo përkon plotësisht me testimet e sistemit tonë mbrojtjes”, tha Rama.
Kryeministri Edi Rama ka folur në podkastin e tij ‘Flasim’ për marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kinës, duke theksuar se raportet mes dy vendeve janë të mira.
Në bashkëbisedimin me atashen e ambasadës së Kinës në Tiranë dhe 3 studentet kineze, Rama tha gjithashtu se Pekini ka bërë progres të jashtëzakonshëm gjatë viteve të fundit.
Po ashtu kryeministri paralajmëroi se po përgatitet përkthimi në shqip i librit “The Neë China Playbook” i ekonomistes Keyu Jin, duke e cilësuar atë si një vepër që ndihmon në kuptimin e Kinës pa paragjykime dhe jashtë stereotipeve të krijuara në botën perëndimore. Po ashtu shefi i Qeverisë bëri të ditur se autorja pritet të ftohet në Shqipëri për prezantimin e librit.
Për kryeministrin, me rëndësi është bashkëpunimi në fushën e turizmit, arsimit dhe kulturës mes dy vendeve, që sipas tij do të çonte në një afrim më të madh mes Kinës dhe Shqipërisë.
“Marrëdhënia jonë me Kinën dikur ka qenë e afërt, shumë e afërt, pastaj gjërat ndryshuan. Dhe jemi shumë më larg sesa ç’mund të jetë Kina sot me shumë vende të tjera dhe këtu në rajon, për hir të së vërtetës. Por marrëdhënia është miqësore. Nga ana tjetër progresi i Kinës është i jashtëzakonshëm.
Unë jam duke ndjekur një përkthim te një libri që më ka pëlqyer jashtëzakonisht shumë, një libër i shkruar nga një ekonomiste kineze që ka studiuar në SHBA dhe që jeton midis Kinës dhe Britanisë së Madhe. Është profesore në LSE dhe ka shkruar një libër që titullohet ‘The neë China playbook’. Nuk e di, po diskutoja me botuesin si ta përkthej në shqip playbook. Por mund të përkthehet ‘Manuali i ri i Kinës’.
Siç thotë ajo, libri është shkruar për të ndihmuar njerëzit që ta shohin Kinën pa paragjykime dhe jashtë stereotipeve që janë krijuar në botën perëndimore. Unë do doja shumë të kishim më shumë turistë dhe një gjë tjetër që është e vlefshme, të mësojmë më shumë dije të akumuluara në Kinë në shumë drejtime”, tha mes të tjerash Rama.
Komente











Ik mer pallosh groshesh
PërgjigjuFurrat e bukes do ti blejnë makinat elektrike ! Pra makina buke
PërgjigjuDo i boj te pasur pensionistet ky hahahahaha ca estrade
Përgjigju90% te naftes sone e kane Kinezet. Cfare duan me shume.
PërgjigjuAs 1% nuk kemi besoj
Ore ti pensionistet I mbeshtet me sigurimet shoqerore ca esht kjo hajdut
Përgjigju