Vangjel Dule ka qënë në qendër të josheve politike këto ditët e fundit, nga ana e dy partive më të mëdha politike për të qenë dhe pjesë e koalicionit parazgjedhor për garën elektorale të 23 qershorit.
Dorëheqja e Jani Janit është një shenjë e këtij koalicioni i cili zyrtarisht pritet të firmoset në ditët në vazhdim, bëjnë të ditur burime nga Shqiptarja.com
Rivalitet i fortë mes Ramës dhe Berishës për të marrë një dakordësi nga ana e Dules për koalicion nuk buron thjeshtë për faktin se ka një anëtar në KQZ por dhe në të gjithë komisionet e tjera të nivelit të dytë dhe të tretë, por dhe për shkak se ka një peshë të madhe elektorale dhe zakonisht Dule lëviz nga koalicioni që ka më shumë shanse për të fituar zgjedhjet, çka kalimi i tij në njërin apo krahun tjetër politik përcakton balancat elektorale nga do të shkojë pushteti.
Duket se Rama është treguar më i shpejtë se Berisha dhe për këtë kanë ndikuar një varg faktorësh në favor të kreut të PS, që PBDNJ të jetë në koalicionin opozitar parazgjedhor.
Negociatat e pandërprera mes kreut të PS Rama e kreut të PBDNJ Dule kanë rezultuar shumë pozitive, ndërsa ky i fundit ka dhënë shumë sinjale dhe më parë për radhitjen me koalicionin opozitar, teksa në mënyrë publike është shprehur më se një herë se ai është në opozitë dhe se rotacioni politik përmes largimit të kësaj mazhorance është më se i domosdoshëm për vendin e integrimin në BE.
MARRËVESHJET
Kryetari socialist Edi Rama vetëm dy ditë më parë, brenda tre orësh ka nënshkruar marrëveshjen e koalicionit me 31 parti politike, ndërsa pritet nënshkrimi shpejt dhe nga LSI e Metës, PSD e Gjinushit, PDS e Milos, PLD e Ngjelës, parti këto që kanë mbështetje të madhe elektorale, që do firmosin marrëveshje biletarale dhe me aneks bashkëpunues.
Ndërsa vijojnë negociatat tashmë me Aleancën Kuq e Zi të Kreshnik Spahiut, Aleancën Popullore të Artur Dojakës, LDK e Nikollë Lesit dhe dy tre partive të tjera, që në përfundim të herës pritet që brenda afatit ligjor koalicioni opozitar të kapë numrin e 43 partive të mëdha dhe të vogla, duke formuar në këtë mënyrë dhe “kolonën” më të madhe elektorale në zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit.
Sipas marrëveshjes së firmosur, PS është gati të bashkëqeverisë pas fitores së 23 qershorit me çdo parti në nivel qarku që merr 500-1000 vota dhe në nivel kombëtar për partitë që marrin 5000-10000 vota. Ndërsa partitë me mbi 10 mijë vota do ketë bashkëqeverisje të shtrirë në nivel vendor dhe qëndror. Ndërsa nëse një parti e koalicionit fiton një deputet drejtpërsëdrejti më 23 qershor, ka të drejtë të kërkojë një vend në qeverisjen e koalicionit.
Redaksia Online
(sg/shqiptarja.com)