Kryeministri Edi Rama distancohet nga zgjedhjet në Federatën Shqiptare të Futbollit. Në zgjedhjet e 7 shkurtit, Armand Duka kërkon mandatin e pestë përballë deputetit socialist Bashkim Fino.

"Ju lutem mos më ngatërroni mua me zgjedhjet në Federatën Shqiptare të Futbollit", u shpreh Rama. Deklaratat kreu i qeverisë i ka bërë gjatë ceremonisë së inaugurimit të fillimit të punimeve të shtëpisë së re të futbollit shqiptar të cilën e krahasoi me një mikro Coverciano ndërsa tha se “Arena Kombëtare do jetë gati në fillim të vitit të ardhshëm të presë ndeshjet e Kombëtares". 

"Skuadra jonë e kombëtares meriton më shumë se kaq, ne jemi duke punuar për të ndërtuar “Arenën Kombëtare” e cila do të jetë gati në fillim të vitit 2019.
Sporti në Shqipëri do të transformohet  duke filluar që nga ndërtimi i stadiumeve, transformimi është real, ne po punojmë për këtë",
deklaroi Rama. 

Ndërsa Presidenti në detyrë i FSHF, Armand Duka sqaroi se "Shtëpia e Futbollit" do jetë një nga më të mirat në rajon. "Është një investim i FSHF-së me qeverinë shqiptare dhe e gjithë toka na është dhënë falas nga qeveria. Bashkëpunimi që kemi pasur me Qeverinë vitet e fundit ka qenë shumë i mirë dhe rezultat i kësaj kemi bërë investime që i kanë ndryshuar faqen futbollit shqiptar", tha Duka. 

Punimet për kompleksin e shtëpisë së re të futbollit shqiptar përfundojnë brenda 18 muajve. Projekti përbëhet nga një ministadium me përmasa olimpike me tribunë me kapacitet 500 vende ku do të zhvillojnë stërvitjen ekipet kombëtare. Do ketë ambient fizioterapie dhe zyrat e Federatës. Shtëpia e re e futbollit është një investim prej 8 mln euro dhe plotëson fazën e dytë të Parkut Olimpik.

VIDEO/Fjala e plotë e kryeministrit Edi Rama

Fjala e plotë e Ramës: 

Inagurimi i fillimit të punimeve të Federatës Shqiptare të Futbollit është vetëm fillimi i projekteve që janë planifikuar për rilindjen e sportit në Shqipëri.

Skuadra jonë e kombëtares meriton më shumë se kaq, ne jemi duke punuar për të ndërtuar “Arenën Kombëtare” e cila do të jetë gati në fillim të vitit 2019.
Sporti në Shqipëri do të transformohet  duke filluar që nga ndërtimi i stadiumeve, transformimi është real, ne po punojmë për këtë.

Rezultatet flasin vetë, ne nuk kemi rikonstrukturuar stadiumet por kemi marrë përsipër t'i rindërtojmë nga e para sipas standardeve bashkëkohore ashtu siç po ndodh me “Arenën Ndërkombëtare” e cila do jetë shtëpia e ekipit të kombëtares.

Nuk bëhet fjalë thjesht për të ndërtuar zyrat e FSHF por për të ndërtuar një shtëpi të futbollit shqiptar, të kombëtares shqiptare dhe me modesti një mikrokomercano që është një qendër ekselence në Itali ku jo vetëm mirëpritet kombëtarja por ky zhvillohet edukimi në vazhdim i trajnerëve ku zhvillohen kurse kombëtare e ndërkombëtare, kjo shtëpi është pjesë integrale e parkut olimpik.

Këtu mungon vetëm Federata e Federatave që pas 18 muajsh do ketë një tjetër godinën simbol, kjo shtëpi e futbollit plotëson fazën e dytë të parkut olimpik që do përfundojë me pishinën e re të mbyllur dhe me mjedisin e parkut parashikuar nga bashkia dhe paralelisht ka përfunduar projekti për transformimin e kopshtit botanik.

Kjo është një pamje besoj e të sotmes e të nesërmes që meriton vërtet vëmendje, kështu që unë dua të them se është një tjetër hap i rëndësishëm në rrugën e një transformimi që ka nisur. Por pa mbështetjen e qeverisë jo këtu po në asnjë vend që kërkon të zhvillojë futbollin është e pamundur, ne e kemi pasur qysh në ditën e parë prioritet mbështetjen e sportit, shifrat flasin vetë dhe rezultatet, do vazhdojmë të bëjmë më shumë akoma.


Më vjen keq që si ish sportist i Dinamos për gjithë ata bashkëudhëtarë, bashkëvuajtës, bashkëndërrimtarë, se kemi kaluar një pjesë të jetës sonë në godinën që do shembet, kam marrë shumë mesazhe nga nostalgjikët: si ka mundësi do zhduket godina por ka pushuar kjo godinë së qeni e Dinamos, godina që kemi mbrapa për turp u kthyem në kafazin e pëllumbave të shumësportshit.

Rilindja e sportit do të fillojë që me krijimin e kalsave në shkolla për sportin, edukimi fizik do të bëhet program, nuk do të lihen të përgjumur siç kanë bërë kaq vite. Për sa i përket zgjedhjeve në FSHF ju lutem mos më ngatërroni mua".


Redaksia Online
Xh.F/Shqiptarja.com