Kryeministri Rama ka deklaruar sot se aksi rrugor Reps-Gjegjan-Fushë Arrëz është në planet e qeverisë për t’u rikonstruktuar.

Gjatë një konference “live” në “Facebook” me qytetarët, Rama deklaroi se për momentin po kryhet studimi i fizibilitetit të kësaj rrugë dhe më pas do të nisë puna për transformimin e saj.

Kryeministri nuk përmendi një datë se kur mund të nisin punimet për rikonstruksionin e këtij aksi, por lajmi i mirë është që edhe kjo rrugë do të rikonstruktohet.

Rruga Reps-Gjegjan-Fushë Arrëz, që dikur ishte arteria e vetme që lidhte Shqipërinë me Kosovën, është tërësisht e amortizuar. Me ndërtimin e “Rrugës së Kombit”, ky aks u la tërësisht në harresë.

Kryeministri deklaroi gjithashtu se të gjithë punonjësit e firmës turke “Beralb”, që operon në Pukë dhe Fushë-Arrëz, do të paguhen nga firma deri në rifillimin e punës, megjithëse nuk tha se kur mund të rinisë sërish aktivitetin e saj kompania.

Kompania “BerAlb”, e cila ka ushtruar aktivitetin e saj në Malin e Munellës, në njësinë administrative Gjegjan të bashkisë Pukë dhe bashkinë Fushë-Arrës, ka pezulluar punën prej dy vitesh.

Kompania turke e përpunimit të bakrit ka pezulluar punën për shkak të rënies së çmimit të bakrit në tregjet botërore, megjithëse ajo deklaron se nuk e ka mbyllur aktivitetin e saj dhe do të rinisë sërish punën.

Redaksia Online
Al.Ç/Shqiptarja.com