“Kënaqësi që sot këtu në Shijak japim një shtytje të madhe një procesi të filluar prej shumë vitesh, por i mbetur rrugëve. Procesi i legalizimit të shtëpive të ndërtuara në zonat informale që prej shumë vitesh presin të kthehen në pasuri e patundshme nga ata që i kanë ndërtuar me sakrifica”, deklaroi kryeministri Edi Rama.
Shefi qeverisë tha se pavarësisht se e djathta e braktisi Shijakun sa i përket investimeve, në të kundërt e majta ka vendosur që të financojë rreth 1 milion dollar për të rikonstruktuar të gjithë sheshin kryesor.
Rama: Qeveria e kaluar në katër vite ka legalizuar 143 objekte
Duke bërë ironi me paraardhësin e tij, shefi i qeverisë tha se për Shijakun do bëhet në 4 vite më shumë se çfarë është bërë në këto 20 vite. Rama tha se qeveria e kaluar ka legalizuar vetëm 143 objekte dhe nga këto 95 % janë hotele dhe restorante.
“Faktikisht zyra e Shijakut ka filluar punë në 22 nëntor dhe sot duhet të trajtojë rreth 13 mijë e 200 vetë deklarime. Në gjithë këto vite nga mijëra e mijëra kërkesa qeveria e kaluar ka legalizuar vetëm 143, 95 % janë hotele apo restorante. Janë legalizuar se ka pasur dhe interes, ndërkohë që mijëra familje njerëzish janë lënë rrugëve pa marrë përgjigje, megjithëse kanë paguar paratë. Qeveria e kaluar për Shijakun ka legalizuar 1% të kërkesave. Sot me punën e bërë nga 22 nëntor dhe deri dje ne do të dorëzojmë 1001 leje legalizimi, që janë 10 herë më shumë se çka bërë PD në gjithë karrierën e vetë në qeverisje. Ne jemi të vetëdijshëm se kjo është njëra pjesë e problemit, që ka pjesën më të madhe tek qetësia e çdo familjeje. Do vazhdojmë me legalizime falas, nuk keni vajtur ju tek ALUINZI por ALUIZNI tek ju”, deklaroi Rama.
Rama: 1 milion euro për Shijakun
Shefi i qeverisë premtoi se do të ketë investime dhe për Shijakun. Rama tha se do të investohet për sheshin kryesor të Shijakut si dhe për rrugën e “4 shkollave”.
“Pjesa tjetër e problemit është ajo që ka të bëjë me pjesën tjetër përtej derës së shtëpisë. Dritat keni filluar t’i paguani rregullisht. Me këtë pagesë ju e çlironi qeverinë që të mos i çojë për gropën e qeverisë por të investohen për nevoja të tjera. Të bëjnë për Shijakun në 4 vite atë që ata nuk e bënë për 20 vite. Qeveria ka miratuar projektin e Bashkisë, për sheshin qendror, që është dhe sheshi i bashkisë së re, që do të përmbledh dhe një sërë komunash. Një projekt mjaft i mirë, që do t’i japë një pamje të re sheshit kryesor, shesh i parametrave evropianë dhe me një mbështetje prej 1 milion dollarë. Mbështetje që nuk e ka parë Shijaku as kur në qeveri ka pasur një njeri që e ka mbajtur për të zotë”, deklaroi Rama.
Redaksia Online
(g.f/Shqiptarja.com)