TIRANE-Ditën që shumica socialiste vendosi që të mos e shkarkonte, Presidenti Ilir Meta i dërgoi një mesazh kërcënues. Kreu i shtetit ka publikuar në faqen e tij në Facebook një video nga mitingu i 2 marsit duke evidentuar thirrjet 'shpërndarje, shpërndarje' referuar parlamentit.

Presidenti në një mesazh direkt për shumicën shkruan se populli i 2 marsit nuk ka ikur nga bulevardi.

E ndërsa edhe njëherë tjetër del hapur me qëndrimin e tij pro opozitës, kur shkruan se  së bashku me parlamentin e ardhshëm, duke i parashikuar si fitues, do të miratojnë ligjin për referendumet, Meta deklaron se përpos hapjes së listave 100%, kërkon që presidenti të zgjidhet nga populli dhe po ashtu të miratohet ligji për referendumet.

"Duke kujtuar 1-vjetorin e "Luanit të Artë" të Venecias, sot më duhet të riangazhohem që së bashku me Parlamentin e ardhshëm të miratojmë Ligjin për Referendumet në mënyrë që armiqtë e popullit të mos lodhen kaq shumë duke folur në emër të Tij.

Populli flet vetë me zërin dhe votën e tij!

Po afron ora që të rimarrë tërësisht sovranitetin në duart e tij:

1. - Deputetët 100% nga Populli.

2. - President i Republikës nga Populli.

3. - Ligj për zhbllokimin e së drejtës kushtetuese për Referendumet.

Populli i 2 marsit është garancia më e mirë.

Populli nuk ka ikur nga Bulevardi. Do largohet vetëm ditën kur të miratohet Ligji për Referendumet" shkruan Meta.