TIRANE-Me 78 vota pro të Partisë Socialiste, 17 kundër dhe 8 abstenim Kuvendi i Shqipërisë miratoi raportin e hartuar nga relatorja socialiste Klotilda Bushka në Komisionin Hetimor që shpëton Ilir Metën nga shkarkimi nga posti i Presidentit.

Raporti u miratua vetëm me votat e shumicës socialiste, pasi opozita parlamentare ishte kundër, duke kërkuar shkarkimin e Ilir Metës. Kreu i grupit Demokrat Murrizi u shpreh se Rama dhe Meta janë ortakë. Historia e komisionit hetimor për Presidentin mbyllet me një rekomandim për bërjen e një ligji organik për institucionin e kreut të shtetit.

Kryeministri Rama theksoi në seancë se presidenti e ka shkelur rëndë kushtetutën dhe se është sjellë si tutor i opozitës duke përdorur postin për të nxitur konflikt, por deklaroi se maxhoranca i nënshtrohet opinionit të Komisionit të Venecias se shkelja nuk është aq e rëndë për të justifikuar shkarkimin nga detyra të ish-aleatit, që e çoi në Presidencë.

Debati nisi një vit më parë, ku presidenti Ilir Meta anuloi datën e zgjedhjeve lokale të 30 Qershorit. Socialistët u hakmorën dhe ngritën një komision të posaçëm hetimor për të hetuar veprimet e kreut të shtetit, ndërsa rrugës iu shtua edhe ai për debatin në Gjykatën Kushtetuese.

Gjatë fjalës në foltoren e Kuvendit, kryeministri Edi Rama foli u ndal edhe te ndryshimet kushtetuese ku deklaroi se në datë 30 korrik do të miratohet hapja e listave dhe koalicionet dhe Presidenti Ilir Meta së bashku me opozitën jashtë parlamentit do i nënshtrohen. Kreu i qeverisë u shpreh se është i hapur për hapjen 100% të listave, ndërsa sa i përket propozimit të PD-së për koalicionet si në rastin e Kosovës, theksoi se ky është propozimi i tij.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:46
Nga Rama, te Xhafaj, Braçe, Hajdari e Murrizi, deputetët që shpëtuan Metën nga shkarkimi dhe ata që ishin kundër (Lista e votimit)

Sot Kuvendi me 78 vota pro, 17 kundër dhe 8 abstenim shpëtoi Ilir Metën nga shkarkimi. Por si votuan deputetët e Kuvendit dhe socialistët? Report Tv ka siguruar dokumentin me mënyrën si kanë votuar deputetët në Kuvend. Shumica e socialistëve me Edi Ramën në krye votuan pro raportit, pra që shpëton Ilir Metën nga shkarkimi. Por kishte edhe nga ata që dolën nga reshti. Dy figura të vjetra në PS kanë abstenuar. Fatmir Xhafaj dhe Erion Braçe nuk i bashkuan votat me grupin socialist duke abstenuar nw shenjw revolte pwr faljen qw iu bw kreut tw shtetit. Por kishte edhe nga ata që nuk morën pjesë në votim, si ish-miku i Ilir Metës, Spartak Braho, por edhe Lefter Koka, njeriu që e çoi në gjyq për atentatin e pretenduar Tom Doshi, ish-këshilltari Ralf Gjoni, por edhe Rudina Hajdari. Edhe nga socialistët kishte deputetë që nuk morën pjesë në votim si Elisa Spiropali, Fate Velaj dhe Sadi Vorpsi. Ndërkohë që kundër raportit që e shpëton nga shkarkimi Ilir Metën votuan Gjetan Gjetani, ish-deputet i grupit të PS-së, tashmë i pavarur i pranishëm në disa takime të LSI-së në Lezhë, Eugen Bojaxhiu, Arlind Çaçani, Ramazan Gjuzi, Majlinda Halilaj, Korab Lita, Ervis Meço, Myslim Murrizi, Kostaq Papa, Krenar Rryçi, Nikolin Staka, Vasil Sterjovski, Edmond Stojku, Ylli Shehu, Koçi Tahiri, Halit Valteri dhe Alban Zeneli.

( Kliko këtu ) Dokumenti i plotë votat në Kuvend

Ora 13:38
Balla paralajmëron Metën për dekretin e datës së zgjedhjeve të 2021: Mos e përsërit më rëndë gabimin (VIDEO)

Sot Ilir Meta shpëtoi nga shkarkimi nga votat e atyre që e dërguan në Presidencë, por kryetari i grupit të PS-së Taulant Balla kishte një paralajmërim për kreun e shtetit. Balla tha nga foltorja e Kuvendit se këtë javë, Ilir Meta mund të bëjë një tjetër shkelje akoma më të rëndë, por pa e specifikuar se për cfarë bëhet fjalë.

Megjithatë, Balla dha një indicie, kur tha se gabimi mund të jetë përsëritës, pra që lidhet me dekretet, atë për të cilën sot u fal. Por cfarë ka në dorë Presidenti aktualisht lidhur me dekretet? Caktimin e datës së zgjedhjeve. 

"Kërkesat e 55 deputetëve janë të gjetura në raport tërësisht dhe uroj që situata të tilla të mos përsëriten, edhe pse nuk kam asnjë dyshim që duke filluar nga kjo javë presidenti mund të bëjë një shkelje më të rëndë se këto që analizuam më lart. Përsëritja mund të jetë një faktor për përcaktimin e shkeljes së rëndë. Uroj që të mos i kryejë këto shkelje. Opozita jashtë parlamentit ka edhe një tjetër seli në presidencën e vendit" tha Balla.

Në Kodin zgjedhor specifikohet që presidenti duhet të dekretojë datën 9 muaj përpara zgjedhjeve. Duke konsideruar se koha e zgjedhjeve është spostuar me fashën e re 15 prill-15 maj dhe 15 tetor-15 nëntor, duke marrë në konsideratë zgjedhjet në pranverë, pra në fashën e parë, do të ishte shkelje nëse Presidenti do ta shpallte datën më vonë se gushti.

Percaktimi ne Kodin Zgjedhor per daten e zgjedhjeve
Ora 13:16
Zyrtare, Presidenti Ilir Meta shpëton nga shkarkimi (VIDEO)

Me 78 vota pro, 17 kundër dhe 8 abstenim Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar raportin e hartuar nga relatorja socialiste Klotilda Bushka në Komisionin Hetimor që shpëton Ilir Metën nga shkarkimi nga posti i Presidentit. Historia e një viti debat u mbyll sot me rekomandimin për të bërë një ligj organik për institucionin e kreut të shtetit. Raporti u miratua vetëm me votat e shumicës socialiste, pasi opozita parlamentare votoi kundër, duke kërkuar shkarkimin e Ilir Metës.

Ora 12:41
PS-ja shpëtoi Metën, Murrizi: Jeni ortakë, e nisët për të ngritur adrenalinën e militantëve, u shfrytë si tullumbace (VIDEO)

Kryetari i grupit Demokrat, Myslym Murrizi tha se shumica nuk e shkarkon Ilir Metën, pasi janë ortakë me njëri tjetrin. "E shoh ngazëllimin që shpëtuat Metën nga shkarkimi, por mund të dilni në livadh përjashta. Ju edhe doni të bëni cubin edhe ju mposhtin cubat.

A ka ndonjë numër sa herë duhet ta shkelë ndonjë shtetar kushtetutën për ta shkarkuar? Pse nuk e shkarkoni dot ju njëri tjetrin, se jeni bijtë e së njëjtës nënë dhe ortakë, si mund ta shkarkoni ju zv/ kryeministrin dhe më pas kryeministrin deri kur krijoi LSI-në. Si mund të shkarkoni ju ortakun e 1 prillit, te aleanca e Lalzit. A shkarkohet ai që u mori 50% pushtet, dhe para se të ikte e dorovitët me 40 mln euro shkarje dheu te rruga e Elbasanit. Ju keni qenë bashkë me atë dhe jeni ortakë të mrekullueshëm.

Ju e ngritët komisionin për të ngritur adrenalinën e militantëve, ai ua ktheu në 2 mars. Ulsiu u nis të shkarkojë Metën, por pas kësaj ose shkarkohet Ulsiu ose anëtarët e këtij komisioni. Unë do të votojë pro shkarkimit të Presidentit, të paktën ti qëndroni moralisht firmës suaj.

U shfrytë si tullumbace. Ju sot u tretët si sheqeri në ujë. Nuk mendova se do të dilnit kaq fiasko. Ju ndoshta kërkoni një ortakllik pas prill-maj 2021. Jeni si vëllezër të ardhur në një lindje, por në pak sekonda. Unë nuk kam asgjë me Metën, e vlerësoj për prillin e 2008. Shpresoj të përshëndesë 30 korrikun dhe të mos fshihet pas guidave turistike".

Ndërsa Edmond Stojku, i grupit të Pavarur Demokrat theksoi se "Rama të kërkojë falje pse e ricikloni Metën deri në krye të shtetit. Ne jemi kundër raportit të kësaj shumice që nuk sjell asgjë të re".

Ora 12:26
Rama i vendosur: E kryer, në 30 korrik miratojmë listat dhe koalicionet! Meta dhe PD-ja do i nënshtrohen (VIDEO)

Kryeministri Edi Rama deklaroi se në datë 30 korrik Kuvendi do të miratojë hapjen e listave dhe koalicionet dhe Presidenti Ilir Meta së bashku me opozitën jashtë parlamentit do i nënshtrohen. Kreu i qeverisë u shpreh se është i hapur për hapjen 100% të listave, ndërsa sa i përket propozimit të PD-së për koalicionet si në rastin e Kosovës, theksoi se ky është propozimi i tij.

"Në 30 korrik duan apo nuk duan ata jashtë parlamentit ne do të votojmë ndryshimet. Asgjë nuk kanë për të fituar në atë rrugë, ne kemi votuar marrëveshjen e 5 Qershorit dhe do i qëndrojmë, dhe ata që thonë se e cenon 30 korriku, nuk dinë se cfarë thonë. 5 Qershori nuk preket. Përsëris apelin për PD-në që të mos lodhen duke kundërshtuar 30 korrikun, 30 korriku është kry është marrëveshje e nënshkruar, është e mbyllur. Nuk kam refuzuar të ulem me Lulzim Bashën, por Lulzim Basha me mua, as PS-ja nuk ka refuzuar, por PD-ja. Për 30 korrikun, Presidenti nuk ka asnjë të drejtë për ndryshimet kushtetuese, as nuk i kërkohet që të ketë një opinion, thjeshtë duhet ta pranojë, sikur do ta pranojnë të gjithë. Do ta njohin dhe do i nënshtrohen ndryshimeve kushtetuese të 30 korrikut të gjithë. 30 korriku nuk lëviz.

Pastaj hapja e listave, jo më pak se 2/3, patjetër mund të jetë edhe 100%, por kjo bëhet me diskutim, jo ultimatume dhe statuse apo cfarë vendosi opozita e bashkuar. Se nëse ajo është opozita e bashkuar, Korabi dhe Myslymi janë bashkimi opozitar. Koalicionet? Jo, të drejtën për t'u bashkuar në cadër nuk do ta heqim, por do ta sanksionojmë. Edhe këtë do ta shohim në proces dhe sigurisht janë të ftuar të mirëpritur të na bashkohen në diskutim, të na sjellin opsionet e tyre. Ishte Murrizi dhe Hajdari dëshmitarë, kur ne iu thamë na tregoni një vend që e ka koalicionin sikur e kemi ne sot dhe përgjigja ishte se nuk na dhanë ndonjë vend. Në mbledhjen e fundit doli Letonia, por e ka sikur themi ne. Doli Kosova, e njëjta gjë. Ka kohë dhe ka gjithë vullnetin për të diskutuar. Listat do të hapen dhe koalicionet do të ndërtohen si kudo në Europë" tha ai.

Ora 12:15
Shpëtimi i Presidentit, Rama: Meta meriton shkarkimin, por ne i nënshtrohemi Venecias (VIDEO)

Edi Rama tha se Ilir Meta e meriton të shkarkohet, por PS-ja derisa kërkoi opinionin e Venecias i nënshtrohet rekomandimit të saj, që tha se shkeljet nuk ishin aq të rënda për ta shkarkuar.  "Nuk është ndryshim kursi me Ilir Metën. Ne kemi menduar se duhet shkarkuar, ne mendojmë se duhet shkarkuar, por ne jemi ndryshe Korab, nga ty dhe partia jote, nga e vjetra dhe e reja, të renë nuk e ke bërë, por po e bërë, përpiqu që të mos i ngjajë e reja të vjetrës. Ne mendojmë se shkeljet janë të rënda, por në respekt të një të vërtetë të thjeshtë, se nuk i kemi thënë vetes se jemi të pagabueshëm, mbase kanë të drejtë ata, mbase nuk kemi të drejtë ne, mbase...por ne nuk përfaqësojmë thjeshtë. Ilir Meta meriton të shkarkohet, por derisa kemi shkuar te Venecia, i nënshtrohemi kësaj dhe në fund të fundit, cfarë iku iku, por cfarë vjen të mos sjellë të reja nga fronti i shkeljeve dhe vandalizmave prandaj ligjin organik për presidentin, që në rast se i qëllon që ta ketë hënën mbrapsht në një kohë që popullit i duhet të shkojë në zgjedhje apo bën cudira të atilla, është e shkruar aty dhe mbaron" tha ai.

Ora 12:14
Meta nuk shkarkohet, Rama: Do të bëjmë një ligj për Presidentin, se Meta e kapi për fyti institucionin (VIDEO)

Edi Rama u shpreh se shumica do të inicioi një nismë për një ligj organik për institucionin e Presidentit. "Është koha që Kuvendi ti jap drejtim qartësimit të kompetencave formale dhe substanciale, një ligj organik për Presidentin, ku të përfshihen përcaktimet për mosbllokimin e proceseve zgjedhore, të evitohet precedentët skandaloz, të bëhet një thjeshtim për dispozitat për emërimin e anëtarëve të gjykatës, sipas rekomandimeve të komisionit dhe mekanizmat zhblokues. Nuk mund të ndodhë më që presidenti të refuzojë të dekretojë ministra. Të gjitha duhen adresuar, jo për Ilir Metën, por institucionin e presidentit, që sot është kapur për fyti dhe përdoret si instrument për të bërë politikë partiake, për të nxitur konflikt dhe për të ushqyer konflikt. Ne kemi një president me Hënë, sa herë Hëna rrotullohet në drejtimin e duhur dhe bashkëpunon si në rastin e COVID ne jemi në dispozicion për të bashkëpunuar" tha ai.

Ora 12:05
Rama: Meta e ktheu Presidencën në seli të hedhjes së zjarreve, jeton mbi shkelje, bëri miting kundër qeverisë (VIDEO)

Për Edi Ramën është e qartë se Ilir Meta e ka shkelur Kushtetutën, por theksoi se për vendimin shumica socialiste është bazuar te raporti i Komisionit të Venecias që thotë se nuk janë të mjaftueshme për ta shkarkuar. "Nuk e kisha paraparë, që presidenti do të ishte aq i mirë për opozitën sa të bëhej i keq për Shqipërinë me akte vandale. E ktheu zyrën në seli të operacioneve politike të njëanshme dhe vatër të hedhjes apo ndezjes së zjarreve duke përdorur Kushtetutën si letër dhe mllefin ndaj shumicës si benzinë, ama këtu ne, si në cdo rast, nuk mund ta anashkalojmë atë pikë të raportit të komisionit të Venecias ku thuhet se pavarësisht të gjitha shkeljeve, dmth i ka bërë shkeljet dhe vënçe, nuk janë aq të rënda sa të justifikojnë shkarkimin. Komisioni Hetimor e thotë qartë se nuk kemi një përkufizim se cfarë do të thotë shkelje e rëndë në vetvete, për të konstatuar a është e rëndë apo jo. Por mesazhi që japim ne duke iu referuar të ardhmes dhe jo të shkuarës dhe duke e parë këtë rast si mundësi për të adresuar për të ardhmen. Që presidenti tejkaloi kompetencat, që cenoi parimin e sovranitetit të popullit, nuk respektoi parimin e unitetit të popullit janë fakte nga Komisioni i Venecias dhe jo hartime. Presidenti është në shkelje dhe jeton duke shkelur Kushtetutën në atë zyrë, kjo nuk ka diskutim. Por ka shkelur edhe etikën e atij institucioni dhe atë që është arsyeja e ekzistencës së këtij institucioni, simbol i unitetit kombëtar dhe mbi palët dhe jo të bëjë mitingje me një palë kundër një tjetre. Është i pari dhe uroj i fundit, që del në miting, për të kërkuar nga populli të rrëzojë qeverinë, është sa e paimagjinueshme aq edhe qesharake, por nëse Meta nuk e ka problem të bëhet qesharak ne nuk mund të bëhemi jo serioze" tha ai. 

Ora 11:56
PS-ja e shpëtoi nga shkarkimi, Rama: Meta, tutor i opozitës (VIDEO)

Kryeministri Edi Rama u shpreh se PS-ja u bazua te raporti i Komisionit të Venecias, që tha se shkeljet e presidentit nuk janë të mjaftueshme për ta shkarkuar. "Janë një seri shkeljesh nga presidenti të nënvizuara nga Komisioni i Venecias, që flasin për drejtësinë tonë për t'ia nënshtruar një komisioni të posacëm hetimor, që ka bërë një punë voluminoze dhe ka dhënë një ndihmë të madhe me rekomandimet përkatëse. Kjo është një tjetër mundësi për të parë qartë dallimin mes nesh dhe gjithckaje që thuhet gabimisht apo keqdashësisht për ne. Ne e kemi lexuar me shumë vëmendje raportin e Venecias dhe nuk e kemi konsideruar ndonjëherë komisionin e Venecias si ndonjë ankes të punës sonë, por pikë referimi dhe për derisa thotë se sipas gjykimit të tij se shkeljet e bëra nuk janë mjaftueshmërit të rënda për të shkarkuar presidentin, atëherë kemi parë me shumë vëmendje konstatimet, që nuk na rekomandon të shkarkojmë presidentin, por na rekomandon të marrim masa për të ardhmen në mënyrë që të kufizojmë hapësirën e abuzimit nga ana e presidentit, jo thjeshtë të këtij por të cdo presidenti. Uji i Venecias nuk e ka nxjerrë të larë Presidentin, por në pah një nga një të gjitha shkeljet, të një natyre që lidhet që lidhet me një vullnet politik për ta ushtruar detyrën në mënyrë të njëanshme dhe për t'u sjellë në zyrën e presidentit si tutor i opozitës. Ilir Meta u bë president me votat e tij dhe tonat, se nuk i kishim për të zgjedhur presidentin" tha ai.

Ora 11:33
Tërheqja e PS-së nga shkarkimi i Metës, Valteri: U bëtë synet nga gjuha, ua tregoj unë po mora drejtimin e vendit (VIDEO)

Relatori i opozitës në Komisionin Hetimor për Presidentin, Halit Valteri akuzoi shumicën për pazare nga tërheqja për shkarkimin e Ilir Metës. "Ju sot jeni bërë synet nga gjuha, me këto maska ua kanë mbyllur gojën, ju sot po zhgënjeni shqiptarët. Partia juaj po ju gjuan me gurë kudo që shkoni. Ju përfunduat kështu se në këtë sallë vërshoi një provincë rurale, që nuk e dinin çfarë ishin vilat dhe makinat, apo oligarkët, që hanë e pinë si derra. Do të jepni llogari para një drejtësie që nuk keni kë fusni mik, se atje ku do të shkojmë dy metra dhe do të marrim. Dashtë Zoti të ma mundësojë një ditë të drejtoj këtë vend, do të jem makthi i hajdutëve 30 vjecar dhe me shpresë të madhe ajo ditë do të vijë" tha ai. "Nuk thatë asnjë fjalë lidhur me argumentet që ju cojnë në këtë qëndrim përfundimtar. Herë tjetër mos abuzo me të drejtën e fjalës duke anatemuar kolegët e t'u në sallë" iu përgjigj kryetari i Kuvendit.

Ora 11:33
Deputeti opozitar: PS-ja e dh*erë, por krenare, Meta i duhet Ramës për patericë (VIDEO)

Korab Lita u shpreh se Edi Rama nuk e shkarkon Ilir Metën, që sipas tij është drejtuesi 'de facto' i LSI-së, pasi i duhet si patericë duke qenë se sondazhet e nxjerrin humbëse në zgjedhjet e ardhshme. "E dh*erë por krenare, shumica bëri një prapaktheu të fortë në atë që e shiti si luftë të fortë. Ilir Meta drejton de facto LSI-në. Sondazhet e nxjerrin PS-në humbëse. Edi Ramës i duhet një patericë dhe kush më mirë se këtë punë e bën Ilir Meta. Edi Ramës i duhet Ilir Meta. Edi Rama nuk mund të qëndrojë në pushtet vetëm me votat e socialistëve. Shqipërisë i duhen listat e hapura. Më vjen mirë që edhe PD-ja e kuptoi për listat e hapura dhe koalicione parazgjedhore".

Ora 10:28
Ulsi Manja: Meta bëri 2 shkelje, por nuk mjaftojnë për ta shkarkuar (VIDEO)

Kryetari i Komisionit të Ligjeve Ulsi Manja nga foltorja e Kuvendit bëri një rezyme të punës një vjeçare të komisionit hetimor për presidentin dhe u shpreh se anëtarët arritën me shumicë votash (nga PS) se Ilir Meta e shkeli Kushtetutën me anulimin e datës së zgjedhjeve, por veprimi nuk është aq i rëndë sa të shkarkohet.

"Edhe nëse seanca voton një kërkesë për shkarkimin e presidentit është gjykata Kushtetuese që jep verdiktin përfundimtar. Komisioni zhvilloi 13 mbledhje, një me presidentin e Republikës. Raporti nuk është ngritur mbi konsiderata politike. Komisioni vlerësoi të mos marrë në analizë cështje që nuk janë në tagër të tij, por që janë nga Gjykata Kushtetuese, përgjigje që do të ndihmonte në interpretimin e termit shkelje e rëndë.

Nga hetimi rezultuan disa shkelje të kryera, veprime dhe mos veprime. Komisioni arriti në përfundimin se dekreti i Presidentit për shfuqizimin e dekretit për zgjedhjet e 30 qershorit 2019, por edhe dekreti për emërimin e Marsida Xhaferrllarit gjyqtare Kushtetuese janë akte dhe vlerësime anti-kushtetuese. Shkeljet nuk çojnë domosdoshmërit në shkarkimin e presidentit, por janë të një natyre që diktojnë marrjen e masave për plotësimin e kuadrit ligjor me mekanizma të qartë për të evituar situata bllokuese në të ardhmen. Për institucionin e presidentit duhet një ligj organik" tha ai.