Rama e Meta "lidhin duart", LSI
i thotë OK koalicionit me PS

Rama e Meta i thotë OK koalicionit me PS">
TIRANE -  “LSI-ja ka vendosur të pranojë ftesën e Partisë Socialiste për koalicion zgjedhor me të”. Me këto fjalë, kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, ka zyrtarizuar largimin nga Qeveria “Berisha” dhe ka pranuar publikisht ftesën e liderit të PS-së, Edi Rama.

“Pranimi i kësaj ftese do të thotë angazhim për realizimin e një dimensioni të ri politik e parimor ndërmjet LSI-së dhe PS-së për një fitore në 23 qershor, si e vetmja rrugë politike që mund të sjellë atë ekuilibër”, - tha Meta.

Në një konferencë shtypi, pas një takimi të zhvilluar me dyer të mbyllura në kryesinë e LSI-së, kryetari I LSI-së sqaroi se “e vlerëson bashkëpunimin me PD-në dhe Kryeministrin Berisha gjatë 4 viteve në koalicionin qeverisës, koalicionin që garantoi jo vetëm stabilitet, por edhe disa reforma të rëndësishme në funksion të zhvillimit dhe integrimit. LSI vlerësoi se kjo forcë ka përmbushur të gjitha pikat e marrëveshjes dhe sot e konsideron këtë marrëveshje të përfunduar".

“Tani, LSI-ja vlerëson domosdoshmërinë e një ekuilibri të ri politik”,- tha Meta,- “që do të garantojë jetën politike dhe sociale të vendit. Në këtë koalicion ne nuk vijmë me fjalë, por me 120 mijë vota të sigurta".

Kreu i LSI-së tha më tej se “Për ne, miratimi i tre ligjeve, që do ndihmonin marrjen e statusit kandidat brenda këtij viti është prioriteti kryesor dhe do bëjmë të gjitha përpjekjet që kjo të realizohet brenda mandatit të këtij parlamenti, sepse më pas, është tepër vonë”.

“Njëkohësisht, ne jo vetëm do të tërhiqemi nga të gjitha funksionet qeverisëse politike, por tani, duke u deklaruar si forcë politike në opozitë, do punojmë për konkretizimin e një marreveshjeje parimore me PS-në jo vetëm në funksion të zgjedhjeve, por edhe të një dinamike të re drejt integrimit europian.

LSI-ja ka prioritet integrimin e vendit dhe miratimin e tri ligjeve, që nuk janë kusht i yni, po kërkesë e domosdoshme që ka të bëjë me atë ardhmen europiane të vendit e që nuk duhet të vonohet më tej".

Përsa i përket mosmarrëveshjeve në të shkuarën me PS-në, Meta tha: "Të gjithë shqiptarët presin të hedhim një hap përpara drejt integrimit europian, ndërsa me të kaluarën i takon të merren historinët, analistët, pse jo dhe arkologët, kurse unë jam politikan dhe gjykoj se vendi ka nevojë për një ekuilibër të ri politik."

Zhvillimet e sotme politike nisën herët në mëngjes, me vizitën e Ambasadorit të BE-së, Ettore Sequi, në selinë e PS-së derisa u kurorëzuan me deklaratën e kreut të LSI-së, pasdite.  Ambasadori Sequi e takoi kryetarin e PS-së, Edi Rama, në selinë e partisë dhe  aty komentoi situatën parazgjedhore në Shqipëri si "drithëruese".

Po sot, gazeta "Shqiptarja.com" ka zbardhur kërkesat e  kreut  të LSI-së, Ilir Meta, drejtuar kreut të opozitës, Edi Rama, si kusht për të qënë pjesë e koalicionit opozitar e për të evituar daljen në garë më 23 qershor si parti e vetme. 

Mësohet se Meta i ka kërkuar Ramës mbështetje për zgjedhjen e tre deputetëve të sigurtë më 23 qershor;  pas zgjedhjeve, tre poste ministrash si dhe drejtimin e Kuvendit të Shqipërisë. Mësohet se këto kërkesa bashkë dhe me qëndrimin për të votuar tri ligjet e integrimit, përbëjnë dhe kushtin e vetëm për të dalë bashkë në zgjedhje.

LSI MBLEDH KRYESINE
Ora 17:00 LSI mblodhi sot në 17:00 Kryesinë, ku do të kthejë përgjigje PS-së për ftesën për koalicion por dhe për largimin e ministrave të LSI-së nga qeveria. Në fjalën hapëse, Luan Rama, sekretari i përgjithshëm i LSI-së, tha se e kupton vëmendjen e mediave dhe opinionit publik, por theksoi se mbledhja do të zhvillohet me dyer të mbyllura dhe se në orën 18:00 do të dilet në një konferencë për shtyp, për të bërë  publik vendimin e marrë. “Jemi sot në këtë mbledhje, në vazhdën e funksionimit normal. E kuptojmë të gjithë vëmendjen e opinionit tek kjo mbledhje edhe tek zhvillimet e fundit publike. Në orën 18:00 do tokemi një konferencë të posaçme për shtyp për atë që do të vendosim në këtë mbledhje”, tha Rama.

SEQUI PAS TAKIMIT ME RAMEN NE PS:SITUATA PARAZGJEDHORE DRITHERUESE

Ora 11:50 Ka zgjatur më shumë se 30 minuta takimi i ambasadorit të BE-së Ettore Sequi me kreun e PS-së Edi Rama. Takimi u zhvillua në selinë e PS-së sot paradite nga oar 11:00- 11:40. Pas takimit Ambasadori Sequi interesit të medias i është përgjigjur me pak fjalë mes të cilave komentoi se situata është parazgjedhore.  “Diskutuam shumë gjëra, s'ka gjë jo normale që takoj Ramën.”- tha Sequi duke e cilësuar “situatën parazgjedhore drithëruese”

META KERKON KREUN E KUVENDIT DHE TRE MINISTRI

Shqiptarja.com (print) zbardhi kërkesat e kreut të LSI Ilir Meta ndaj liderit të opozitës Edi Rama si kushte për të qënë pjesë e koalicionit opozitar e për të evituar daljen në garë më 23 qershor si parti e vetme. Mësohet se kreu i LSI i ka kërkuar Ramës mbështetje për zgjedhjen e tre deputetëve të sigurtë më 23 qershor, si dhe pas zgjedhjeve tre poste ministrash si dhe drejtimin e Kuvendit të Shqipërisë për të pasuar Topallin. Mësohet se këto kërkesa bashkë dhe me qëndrimin për të votuar tre ligjet e integrimit, përbëjnë dhe kushtin e vetëm për të dalë bashkë në zgjedhje.


Nga tavolina e rrumbullakët e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, lideri i opozitës Edi Rama, iu drejtua dje publikisht dhe në mënyrë të drejtëpërdrejt kreut të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta me ftesë për t’u bashkuar në koalicion parazgjedhor me socialistët. "Në emër të interesit të PS-së për të instrumentalizuar përmes qeverisjes progamin për “Rilindje” dua të shpallim hapjen e një politike për bashkëpunim me LSI-në. Prandaj e ftoj sot, drejtpërdrejt dhe publikisht LSI-në që tanimë që largimi nga qeveria është pranuar si fakt i kryer prej vetë kundërshtarit tonë politik, Berisha, të vijë në koalicionin tonë parazgjedhor, duke hyrë në rrugën e natyrshme të bashkimit me PS, si dy forca të së majtës shqiptare dhe të familjes socialiste europiane!"

Me këtë motavacion, numri një i opozitës argumentoi ftesën ndaj kësaj force, aleates në bashkëqeverisje me Partinë Demokratike prej shtatorit të 2009-ës. Para deputetëve të tij, Rama tha se ky bashkim nuk duhet t’i trembë, ndërsa theksoi se e shkuara i ka dhënë PS-së të gjitha mësimet e nevojshme për të mos përsëritur gabime që në këto 8 vjet i kanë kushtuar të mjatës shqiptare.

"Nuk pres që të gjithë t’më jepni të drejtë, unë pres të më kuptoni që unë dua të fitoj për të gjithë ju, për t’i ndryshuar gjërat. Le të shkojmë përpara pa asnjë ngurim. Ne jemi Partia Socialiste, jemi për të fituar, jo për të ngruruar atëherë kur duhet të udhëheqim", iu drejtua Rama deputetëve socialistë në mbledhjen e mesditës së sotme të Grupit Parlamentar, të zhvilluar vetëm pak momente pasi përfundoi takimi me kryesinë e PS.
Fjala e plotë e liderit të opozitës Edi Rama para Grupit Parlamentar, dje më 2 prill

Ndërkohë që pak para se të mblidhej kryesia PS, Kryeministri Berisha deklaroi në facebook se largimi është zgjedhje e çdo partie dhe lë qartë të kuptohet se nuk do ketë votëbesim por do zëvendësohen ministrat.

Nga Shkodra kryetarja e Parlamentit Jozefina Topalli deklaroi dje se respekton vendimin dhe shprehet optimiste  se PD do të vazhdojë të qeverisë drejt fitores së 23 qershorit pasi Rama e ka bërë Kushtetutën e fortë.

Ish presidenti, aktualisht kryetari i FRD-së Bamir Topi deklarohet kundër duke thënë se "krijon destabilitet politik".

Sot Shqiptarja.com (print) zbardh të gjitha debatet e ndodhura dje në kryesinë e Partisë Socialiste, pasi lideri i opozitës Edi Rama bëri ftesën pulbike për koalicion me LSI, ndërsa dje në mëngjes  zbardhi çfarë u bisedua në takimin kokë më kokë të zhvilluar mes Ilir Metës dhe kryeministrit Berisha.

Që në fillim kreu i PS Rama ka bërë me dije se do të ftojë zyrtarisht LSI për të qënë pjesë e koalicionit parazgjedhor për fitoren e 23 qershorit, duke renditur të gjithë elementët pozitive që dalin nga kjo aleancë, ndërsa nuk ka munguar të thitë që nesër në pushtet qeverisja e majtë nuk do harrojë zotimet e bëra për një drejtësi për Gërdecin, 21 janarin por dhe për përmirësimin e qeverisjes.
Lexoni KETU të gjitha debatet dje në kryesinë PS


(VIDEO: FTESA PUBLIKE E RAMES)


JA CFARE NDODHI ME 2 PRILL MINUTE PAS MINUTE

BERISHA NE KONFERENCE: LSI LE TE LARGOHET SYNOJ FITORE SPEKTAKOLARE
Ora 18:50 Kryeministri Berisha doli në një konferencë për shtyp ku siguroi mbështetësit e Partisë Demokratike dhe tërë qytetarët shqiptarë se largimi nga koalicioni i Lëvizjes Socialiste për Integrim është një vendim i lirë dhe krejtësisht i pavaruar i saj,, një vendim që ka zgjidhje të plotë në Kushtetutën e vendit dhe që e motivon atë vetë, si Kryeministër, me më shumë energji se kurrë, t’i udhëheqë demokratët drejt një fitoreje spektakolare në zgjedhjet e 23 qershorit. I pyetur a do vazhdojë më LSI-ja të qëndrojë në Qeveri, pas koalicionit me PS-në? u përgjigj "është jashtë cdo imagjinate që një forcë politike të jetë edhe në qeveri, edhe në opozitë"


BERISHA ME LOGO


(Foto: Berisha sot ne konference ne kryeministri)   Lexoni konferencen e plote e kryeministrit pasditen e sotme


PUBLIKOHEN EMRAT E ZEVENDESUESVE TE MINISTRAVE TE IKUR TE LSI
Ora 18:28 Largimi i LSI-së nga koalicioni nxjerr në skenë, emrat e rinj të Qeverisë. A1 REPORT zbulon emrat e rinj që do të propozojë kryeministri Berisha për ministra. Ata janë:
Eduard Selami pritet të jetë Ministri i ri i Jashtëm në vend të Edmond Panaritit të LSI-së
Shpëtim Idrizi, ministri i ri i Ekonomisë në vend të Edmond Haxhinastos
Tritan Shehu, rikthehet ministër i Shëndetësisë në vend të Vangjel Tavos.  Ketu lexoni me shume: Emrat e rinj te kabinetit

MALAJ: FITORJA ME 23 QERSHOR ME KONDTRIBUTIN ECDO SOCIALISTI
Ora 16:30
Fitorja e zgjedhjeve të 23 Qershorit nga Partia Socialiste duhet bazuar në maksimizimin e votave dhe kontributeve të çdo socialisti dhe mbështetësi të Partisë Socialiste. Kështu shprehet deputeti socialist në lidhje me koalicionin e mundshëm opozitar me LSI-në.

Përmes një reagimi për mediat, Malaj shprehet se “ndërtimi i koalicioneve para dhe pas zgjedhore duhet bazuar në një program të qartë dhe të harmonizuar që garanton qeverisje të qëndrueshme. Situata e rënduar ekonomike dhe sociale kërkon garantimin e një qeverisje të qëndrueshme e cila është në përputhje të plotë me interesat e qytetarëve shqiptarë”. Duke iu referuar bashkëpunimit të PS-së me LSI-në, Malaj shprehet se “prej kohësh duhet të synonte ruajtjen dhe forcimin e Institucioneve Kushtetuese duke garantuar mirëfunksionimin e demokracisë në vend”.

Ndërsa në fokus të reagimit të tij, deputeti socialist vendos edhe votimin e 3 ligjeve.
“Votimi i 3 ligjeve që hapin rrugën drejt marrjes së statusit të vendit kandidat duhet të jetë e pjesë e vizionit për një Shqipëri të zhvilluar dhe Europiane në përmbushje të standardeve dhe aspiratës për një Shqipëri më të zhvilluar dhe më të drejtë”.

TAHIRI: KOALICION, PER TE REALIZUAR “RILINDJEN”
Pas mbarimit të mbledhjes së Grupit, deputeti socialist Saimir Tahiri u shpreh oprimist për koalicionin e mundshëm parazgjedhor me LSI-në. në të njëjtin mendim me liderin e opozitës, Tahiri tha për t’i dhënë shqiptarëve programin e “Rilindjes” ka një premisë morale për të fituar zgjedhjet. “Ne duam t’i japim shqiptarëve programin që e kemi hartuar bashkë me ta. Premisa është fitorja e zgjedhjeve. Sali Berisha ka gjithmonë një skenar për të deformuar. Kjo ftesë është premisa më morale për të realizuar programin për Rilindje”, u shpreh Tahiri.

Ndërsa për largimin nga PS të deputetit Asllan Dogjani, Tahiri tha: Më vjen keq për Asllanin. Shpresoj të mos ketë dalë nga këtu për të hyrë në ndonjë derë tjetër”

GJINUSHI: META ME TE MAJTET, ME LEJE TE BERISHES
Ora 13:00
Kryetari i Partisë Social Demokrate, Skënder Gjinushi, thotë se kalimi i LSI me PS është lojë e Sali Berishës dhe Ilir Metës sepse ata e dinë se së bashku dështojnë në zgjedhjet e 23 Qershorit. Gjinushi thotë se Meta kërkon të marrë vota nga e majta për t’i përdorur ato pas zgjedhjeve në funksion të së djathtës.  “LSI po largohet jo me divergjenca por me leje të Saliut dhe si misionar i Berishës. PSD ka paralajmëruar se PD e LSI nuk fitojnë së bashku dhe e vetmja mënyrë për të shmangur dështimin është që LSI të shkojë të kërkojë votat në emër të se majtës dhe t’i përdorë në favor të së djathtës.”  I pyetur nëse do të vazhdojë koalicionin me të majtët Gjinushi tha: PSD ka qenë dhe mbetet pjesë e të majtës. Ne jemi në shtëpinë tonë, LSI kërkon të hyjë si hajdut."

BLUSHI: I VETMI QË S’DO BËJMË KOALICION ËSHTË BERISHA
Ora 12:54
Deputeti socialist, Ben Blushi, pas takimit me Grupin PS tha: Shumica e atyre që besojnë se kemi humbur në 2009 për shkak të se skemi pasur këtë koalicion, tani në 2013 ,këtë aryse ta shmangin. Ne e dinim që jo çdo gjë që fluturon hahet, ne do bëjmë koalicion me të gjithë ata që fluturojnë i vetmi që nuk fluturon është Saliu”, u shpreh Blushi.

DOGJANI IKEN NGA PS: JAM KUNDER KOALICIONIT ME LSI
Ora 12:53
Deputeti socialist, Asllan Dogjani është larguar nga grupi parlamentar i PS-së. Lajmërimi është bërë rreth orës 12:51 minuta nga selia e PS-së. Dogjani është larguar nga Grupi i PS-së duke thënë se ishte kundër vendimit të koalicionit me LSI-në dhe se në zgjedhjet e 2013 do të kandidonte si deputet i pavarur.

“Rama duhet të largohet pasi nuk ka marrë në konsideratë vlerat dhe parimet e demokracisë. Kundërshtova vendimin për koalicion me LSI dhe ky është shkaku pse dola nga grupi PS. Një koalicion i tillë do të zhgënjejë qytetarët dhe do të minojë besimin që kanë qytetarët tek drejtësia. Nuk largohem nga PS, por kryetari më detyron dhe do të dal të kandidoj si i pavarur për t’i shërbyer qytetarëve të mi në Has, Kukës e Tropojë”, tha Dogjani, pak minuta pasi Rama ftoi publikisht Metën për koalicion.

RAMA NE GRUPIN PS: FTOJ PUBLIKISHT METEN PER KOALICION

Ora 12: 20 "Për të fituar zgjedhjet, për të dalë fitues në sfidat e kësaj shoqërie. Në emër të interesit të PS për të instrumentalizuar përmes qeverisjes progamin për "Rilindje" dua të shpallim hapjen e një politike për bashkëpunim me LSI. Prandaj e ftoj sot drejt dhe publikisht LSI që tanimë që largimi nga qeveria është pranuar nga vetë kundërshtari ynë të vij në koalicon me ne. E shkuara na i ka dhënë të gjitha mësimet e nevojshme për të mos përsëritur gabime që në këto 8 vjet i kanë kushtuar të majtës shqiptare si e tërë. PD ska qenë në pushtet. Ka gëzuar një pushtet të marrë falë ndarjes sonë"- tha Rama.

Para deputetëve të tij, Rama tha se ky bashkim nuk duhet t’i trembë, ndërsa theksoi se e shkuara i ka dhënë PS-së të gjitha mësimet e nevojshme për të mos përsëritur gabime që në këto 8 vjet i kanë kushtuar të mjatës shqiptare.

“Nga ky bashkim do të humbiste vetëm ajo pakicë politike që e ka emrin PD, por që ska lidhje me asgjë demokratike, e cila ka përfituar falë manipulimeve dhe mosmarrveshjeve në ndarjen e kampit tonë. Sot duhet bashkim, ashkush që do rotacioninn nuk duhet t’i trembet kqëtij bashkimi. Rilindja realizohet përmes pushtetit, jo përmes ngrurimit për t’u bashkuar në emër të fitores... Ky kapërcim nuk është çështje konsensusi, por bindjeje. Ne jemi këtu për të mos lejuar që e ardhmja të mos i ngjajë të shkuarës. Vetëm duke e kapërcyer të shkuarën me kurajo ne do të realizojmë ëndrrën shqiptare që rrezikon të mbetet në letër përballë kërcënimit të të shkuarës", u shpreh Rama. Fjala e plotë liderit të opozitës Edi Rama para Grupit Parlamentar

PETRO KOCI: DO JETE RATOACION I PJESSHEM
Kreu i PSV ‘91 Petro Koçi në studion e televizionit A1 REPORT tha se marrëveshja duhej të ishte bërë më parë, kur është sugjeruar nga partitë aleate të PS-së ndërsa sot kemi të bëjmë me “një zhvillim konspirativ”

“Shumë kohë më parë duhej ta kishte bërë... në këtë mënyrë duket zhvillim konspirativ dhe jo aq i hapur dhe dëmton PS e koalicionin. Sipas Koçit do jetë rotacion i pjesshëm fitorja e PS-së, pasi në qeverisje do të jenë të njëjtët ministra të LSI-së”

MBARON ME KRYESINE, TANI RAMA MBLEDH GRUPIN
Ora 11:55
Ka përfunduar mbledhja e kryesisë së partisë Socialiste, ndërsa pritet që në pak caste të nisë edhe mbledhja e grupit të Partisë Socialiste. Mbledhja pritet të jetë e hapur për mediat, dhe pas saj të ketë një prononcim më të qartë të vetë liderit të opozitës, Edi Rama.

TASHME ZYRTARE: PS FTESE LSI-SE PER KOALICON

Ora 11:30
Joniada Koçi gazetarja e TV A1 REPORT! që ndodhet në selinë e PS-së informon se kryesia e PS-së zyrtarizon ftesën ndaj LSI-së për koalicion parazgjedhor

PAS KRYESISE, RAMA MBLEDH GRUPIN, BERISHA NE 17:30 KONFERENCE

Ora 11:15
Burime nga PS bëjnë të ditur se pas mbledhjes së kryesisë do të mbahet dhe mbledhja e grupit parlamentar e cila do të jetë e hapur për median dhe ku pritet që Edi Rama të mbajë fjalën e tij publike. Kryeministri Berisha ka njoftuar për një konferencë për shtyp në orën 17: 30, ndërkohë që në orën 13:00 do të ketë një konferencë për shtyp aleati i PS-së, Skënder Gjinushi, i PSD.


TOPALLI NGA SHKODRA: EDI RAMA NA E KA BERE KUSHTETUTEN TE FORTE
Ora 10:50
Kryetarja e Parlamentit Jozefina Topalli komenton largimin e LSI-së nga koalicioni qeveritar. “E respektoj çdo lloj vendimi të partive politike. Unë jam shumë optimiste për të ardhmen. Si kryetare e Parlamentit garantoj se Kushtetuta do zbatohet. Edi Rama na e ka ba të fortë Kushtetutën. Ne do vazhdojmë të qeverisim për të fituar zgjedhjet e 23 Qershorit”- tha Topalli nga qyteti i Shkodrës ku ishte e pranishme në ceremoninë përkujtimore të 2 prillit 1991 ku u vranë 4 dëshmorët e demokracisë”  Lexoni me shume per viziten e Topallit ne Shkoder

NIS MBLEDHJA E KRYESISE PS
Ora 10:49 Kryesia do të diskutojë në lidhje me aleancat e reja parazgjedhore. PS pritet të bëjë sot ftesën zyrtare LSI për tu bashkuar në një koalicion parazgjedhor.

BAMIR TOPI I FRD: KOALICIONI PS- LSI KRIJON DESTABILITET
Ora 10:35
Nga hotel Tirana ku ndodhet në një tryezë për çështjet e ekonomisë kryetari i Frymës së re Demokratike komenton koalicionin PS- LSI. “Kalimi PS- LSI krijon destabilitet politik, dhe destabiliteti politik ndikon në jetën në vend dhe në ekonomi”- tha Bamir Topi. Deklarata ne tryezen per ekonomine

PS, FINO: MBESHTESIM KOALICIONIN
Ora 10:30
Në selinë PS kanë nisur të mblidhen anëtarët e kryesisë. Bashkim Fino, në një prononcim për gazetaren e TVA1 REPORT Joniada Koçi, tha se “mbështeste marrëveshjen PS-LSI. Ndërkohë Arben Ahmetaj i pyetur nëse do të miratojnë 3 ligjet e integrimit seancën e së enjtes u përgjigj në mënyrë retorike: “Punon me Jozefinën ti?!.

BERISHA: CDO PARTI BEN ZGJEDHJEN QE DESHIRON
Ora 09:55
Kryeministri Berisha ka publikuar një prononcim në facebook në lidhje me debatin për prishjen e koalicionit me LSI dhe bashkimin e kësajt ë fundit me PS-në. Berisha thotë se çdo forcë politike bën zgjedhjen që dëshiron, ndërsa lë qartë të kuptohet se nuk do ketë votëbesim por do zëvendësohen ministrat.

“Nje debat i gjere ka shperthyer lidhur me njoftimet se LSI do te vendos te lere qeverine. Qendrimi im ka qene dhe mbetet i pandryshuar se çdo force politike ben zgjedhjen qe deshiron. Natyrisht per mua, qeveria dhe qeverisja jane pergjegjesi qe behen edhe me te madha ne periudhe elektorale.

Me kete rast dua te siguroj zgjedhesit se asgje nuk do te cenoje vendosmerine e qeverise per organizimin e nje procesi zgjedhor te lire dhe te ndershem ne perputhje me Kodin Zgjedhor dhe Kushtetuten e vendit. Se dyti, dua te garantoj qytetaret se Kushtetuta e vendit ka te gjitha percaktimet e qarta per zgjidhje plotesisht kushtetuese te çdo problemi institucional dhe se ajo do te respektohet me rigorozitet ne frymen dhe germen e saj. Une mbetem totalisht i perkushtuar te punoje me te gjithe energjite e mia, ne interesin me te mire te qytetareve dhe te vendit. Pershendetje, sb"

berisha per koalicionin PS= LSI
(Foto: Postimi i Berishes ne facebook)

PS MBLEDH NE 10: 30 KRYESINE PS

Ora 07:20 Partia Socialiste do të mbledh sot kryesinë ku pritet të diskutohet në lidhje me aleancat e reja parazgjedhore dhe në veçanti do të diskutohet në lidhje me zhvillimet më të fundit në politikën shqiptare ku kreu i LSI Ilir Meta deklaroi “divorcin” me Berishën në qeverisje.PS pritet të bëjë sot ftesën zyrtare LSI për tu bashkuar në një koalicion parazgjedhor.

Pika kryesore e diskutimit në mbledhjen e sotme të kryesisë së PS pritet të jetë marrëveshja me aleatët, pa përjashtuar ndonjë debat për listat e kandidatëve.

Ndërkohë që pritet të diskutohet dhe në lidhje me tre ligjet që kërkojnë shumicë të cilësuar votash dhe që mësohet se janë dhe një mundësi për arritjen e paktit me LSI për një koalicion parazgjedhor.

JA CFARE U THA NE BISEDEN BERISHA META DJE NE KRYEMINISTRI

Ora 07:00
Shqiptarja.com (print) zbardhi sot sekretet e takimit të djeshëm mes Berishës e Metës. Në takimin e zhvilluar në kryeministri me Berishën, Meta i ka deklaruar largimin nga koalicioni, tërheqjen e ministrave nga qeveria dhe arsyet se përse do të bëjë koalicion parazgjedhor me PS e Edi Ramës.
Meta i ka thënë:  
-Do të bëj koalicion me Partinë Socialiste, nuk kam asnjë alternativë tjetër. Me ty nuk dal dot në koalicion parazgjedhor.
-Nuk po arrij të formatoj Polin e Tretë politik. Nuk kam arritur akord për koalicion as me FRD e Topit, as me PBDNJ e Dules dhe as me PDIU të Idrizit.
-Unë arrij të fitoj deputetë duke barazuar votën me mandatet vetëm në koalicion parazgjedhor me PS.
-Do të tërheq ministrat përfaqësues të LSI nga kabineti qeveritar
-Çdo emër për ministër që do të sjellësh në Kuvend unë do ta votoj, por nuk rri më në qeveri
-Do të votoj dekretet e Presidentit Nishani për Gjykatën e Lartë dhe Kushtetuese ME SHUME LEXONI: TAKIMI I METËS ME BERISHËN, ÇFARË U DISKUTUA

RAMA MBRËMË TE XIBRAKU ME STAFIN E NGUSHTË
Ndërkohë pasditen vonë të ditës së djeshme (1 prill) Kryetari socialist Edi Rama ka mbledhur te “Xibraku” stafin e tij më të ngushtë për të diskutuar e vendosur në lidhje me marrëveshjen me partitë aleate, pas tryezës së para disa ditëve dhe kërkesave të tyre të përsëritura për skemë të re të përfshirjes në Kuvend. I përfshirë nga një axhendë e ngjeshur tashmë kur ka mbetur dhe pak kohë nga formatimi i koalicioneve parazgjedhore, deri në orët e vona të natës lideri i opozitës ka prezantuar situatën politike në vend pas kërkesës këmbëngulëse të partnerëve ndërkombëtarë për bashkëpunim në funksion të një procesi të drejtë zgjedhor por dhe të majtëve evropianë dhe të Internacionales Socialiste për bashkëpunim të të gjthë të majtës shqiptare në funksion të fitores. Mësohet se në takimin me kreun e PS morën pjesë Gramoz Ruçi, Pandeli Majko, Bashkim Fino, Ben Blushi, Ditmir Bushati, kryetari i Bashkisë Elbasan Sejdini, kryetari i Bashkisë Korçë, Peleshi, kreu i bashkisë Durrës Dako. Në takim morën pjesë gjithashtu Eduart Shalsi, Saimir Tahiri, Arben Ahmetaj dhe Damjan Gjiknuri.
rama dje te xibraku
(Foto: Rama duke dale mbreme nga Xibraku)


MË 20 MARS MBLODHI 34 PARTI
Më 20 Mars, Edi Rama mblodhi në një takim rreth 34 parti, të cilat kanë pranuar të jenë pjesë e koalicionit me PS. Aleatëve në këtë koalicion u është paraqitur një një formulë bashkëpunimi, e cila do të bazohet në votat që do të sigurojë secila parti. Sipas kësaj formule këto parti do të bëhen pjesë e qeverisjes së përbashkët me Partinë Socialiste, vetëm nëse sigurojnë rreth 10 mijë vota në një qark, pra nëse ato vetë sigurojnë të paktën një deputet. Pritet që marrëveshja tip të miratohet në këtë mbledhje kryesie sëbashku me sygjerimet e aleatëve për ti bërë gati më pas për firmë.


 
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kazakistan/ Rrëzohet avioni me të paktën 70 pasagjerë në bord! 6 të mbijetuar

Kazakistan/ Rrëzohet avioni me të paktën 70 pasagjerë në bord! 6 të mbijetuar