TIRANË- "Ekonomia bie dhe ngrihet prapë, të vdekurit nuk ringjallen më"!  Me këtë mesazh, kryeministri Edi Rama u ka dhënë një përgjigje të gjithëve që kanë ngritur shqetësimin se ekonomia po futet në kolaps për shkak të COVID-19. Ai ka publikuar një video me imazhe shumë të rënda të viktimave, duke legjitimuar masat e marra nga qeveria, për të cilët disa i kanë përkufizuar si "të ekzagjeruar".

 Kjo është zona e zjarrit, e quan kryeministri Edi Rama ku ditën e sotme janë konfirmuar 27 pozitivë me COVID-19, prandaj duhet të bëhet më shumë rezistencë për të mos shkatërruar barrikadën bluzave të bardha. 

"Sot kemi 27 pozitivë! Kemi hyrë në zonën e zjarrit, ku armiku po synon të na marrë më shumë jetë, pasi rezistenca jonë deri tani e ka ndaluar të bëjë kërdinë duke na shkatërruar barrikadën bluzave të bardha! Sot ju bëj një thirrje të fortë të motivojmë të gjitha forcat shpirtërore dhe mendore brenda nesh, për të ushqyer rezistencën, duke mos harxhuar energji për asgjë tjetër!

Sot ju lutem me të gjithë forcën ta vendosni si kryefjalë të çdo dite në vijim moton jetike të luftës sonë: ekonomia bie dhe ngrihet prapë, të vdekurit nuk ringjallen më! Sot asgjë nuk vlen më shumë se jeta dhe mbrojtja e jetës është qëllimi, ne jemi mjeti për realizimin e këtij qëllimi njerëzor, qytetar, kombëtar!

Sot jam i detyruar t'ju jap këtë video rrëqethëse që ta shikoni si do kishim përfunduar, po të mos ishim futur më shpejt se të tjerët në mbrojtje, por edhe si, mos e dhëntë zoti, mund të përfundojmë nëse për mustaqet e çelos hapim vrima në barrikadat tona", shkruan Rama.

Postimi i plotë i kryeministrit Edi Rama