TIRANE - Të vetëpunësuarit në fshat mund t'i shlyejnë pagesat e sigurimeve shoqërore pa kamatë, deri në 31 dhjetor të këtij viti. Këtë radhë është kryeministri i vendit Edi Rama i cili u ka bërë thirrje të gjithë të vetëpunësuarve në bujqësi, që të paguajnë sigurimet shoqërore deri më tani të pa paguar, dhe pa asnjë kamatëvonesë, me qëllim për të pëfituar pension.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, kryeministri Rama u ka kujtuar të gjithë të vetëpunësuarve se afati i fundit për të paguar sigurimet shoqërore të prapambetura  pas kamtëvonesa do të jetë 31 dhjetori i këtij viti.

Sipas skemës së parashikuar nga qeveria, të gjithë të vetëpunësuarit në bujqësi do të mund të paguajnë sigurimet shoqërore me çmimin e atij viti që nuk është paguar.

“Deri më 31 Dhjetor, të gjithë të vetëpunësuarit në bujqësi kanë mundësinë të sigurojnë vitet e pasiguruara me vlerën e atyre viteve dhe për më tepër, pa paguar kamatvonesë.” shkruan kryeministri Rama në rrjetin social Facebook.

rama fb

Më herët, ka qenë Ministri i Mirëqënies Sociale Erjon Veliaj i cili u ka bërë thirrje fermerëve që të paguajnë sigurimet shoqërore të prapambetura, pa u dashur të paguajnë kamatëvonesa, deri në ditën e fundit të këtij viti, me qëllim për të garantuar pensionin e tyre.

Në deklaratat e tij, Ministri Veliaj ka theksuar se në këtë mënyrë falen kamatvonesat dhe gjobat për 290 mijë të vetëpunësuar në fshat për vitet e papaguara të sigurimeve shoqërore.

Sipas propozimit të qeverisë, nëse ata që përfitojnë nga amnistia nuk i paguajnë sigurimet shoqërore deri në 31 dhjetor 2014, nga viti i ardhshëm vitet e prapambetura do t'i paguajnë me çmimin e vitit 2015. 

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)