Tirane- Kryeministri Edi Rama firmos emrin e Ilir Prodës si drejtori i Policisë së Shtetit. Së shpejti hapet gara për drejtorët e policive në qarqe.

"Sot jam këtu para jush, pasi Këshilli i Ministrave mori një vendim shumë të rëndësishëm, me propozimin e Ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave miratoi Drejtorin e ri të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, zotin Ilir Proda. Pas një konkurrimi mbi më shumë se 10 drejtues të lartë policie dhe verifikimeve të bëra nëpërmjet procesit të pastërtisë së figurës së kandidatëve " tha ministri Hoxha pas mbledhjes së qeverisë.

Pyetje: A e përligj imazhin e ri të drejtorit të policisë së shtetit fakti që SPAK më herët i ka sekuestruar telefonin për të bërë verifikime lidhur me dekonspirimin e një operacioni sa i takon bandave të Elbasanit?

Përgjigje: "Fakti që të gjitha organet ligjzbatuese u pyeten në një kohë record dhe përgjigjja e tyre ishte shumë e shpejtë, kandidaturat janë verifikuar nga cdo organ ligjzbatues dhe pastëria e tyre është në përputhje të plotë me ligjin. Ky proces konsiderohet transparent, integrues dhe drejtori i ri i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit i ka kaluar këto etapa të verifikimit" tha Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha

Menjëherë pas emërimit të tij si Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit do të hapet konkurrimi, për një proces të ri, sa i përket gjithë drejtuese të policisë në qarqe.

Kush është Ilir Proda?
Karrierën në Policinë e Shtetit e nisi në vitin 2005 në Komisariatin nr. 3 në Tiranë për 6 vjet me radhë, për të vijuar me detyra të tjera të rëndësishme, shef në disa komisariate të ndryshme në vend, përfshirë edhe detyra në drejtorinë e përgjithshme në seksionin kundër narkotikëve dhe njësisë kundër krimeve. Për 4 vite me radhë mbajti detyrën e zv/drejtorit të krimeve të Korçës dhe Elbasanit, deri në mars 2023 kur u emërua drejtor i qarkut, po në Elbasan. Së fundmi SPAK i sekuestroi celularin mbi dyshimet e dekonspirimit të operacionit të Çopjave më 31 korrik, i cili pritet të verifikohet në vijim nga ekspertët.

Në garën për drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Shtetit, ishin edhe drejtori i Policisë së Gjirokastrës, Ardian Çipa, drejtori i Policisë Kriminale, Neritan Nallbati, dhe drejtori i Policisë së Durrësit, Skënder Hita, Adriatik Tafçiu, Gentjan Shehaj, Idajet Faskaj, Lutfi Minxhozi, Pëllumb Seferi dhe Rebani Jaupi.