Rama flet për vizitën te të afërmit në Korfuz: Ja pse kërkova të shkoj në bibliotekë dhe të shoh një prift

Në një intervistë për gazetën ‘Kathemerini’ kryeministri Edi Rama ka rrëfyer një episode gjatë vizitës së tij në Korfuz ku kishte të afërm disa nga nëna e tij. Kreu i qeverisë shqiptare tha për gazetarin grek se fillimisht ai kërkoi që të shkonte në bibliotekë dhe të shikonte një prift.

'Korfuzi qe vendi i parë ku shkela si individ i lirë për të udhëtuar sepse më parë kisha udhëtuar, po nuk kisha udhëtuar si njeri i lirë, por si lojtar i ekipit kombëtar të basketbollit, kur duhej të luanim jashtë në ato pak raste dhe ishte e vetmja rrugë për të dalë jashtë shtetit. Më tej, përpara se të shembej regjimi, por pasi kishte ndodhur ngjarja e madhe e kapërcimit të mureve të ambasadave, kur shqiptarët kërkuan azil politik, çka shënoi plasaritjen e parë në murin e regjimit, nisën t’u lëshoheshin pasaporta për të udhëtuar jashtë, njerëzve që kishin të afërm matanë dhe nëna ime, e cila ishte nga Vunoi, Himarë meqë ra fjala, kishte të afërm në Korfuz, kështu që shkova në Korfuz. Më kujtohet që, kur mbërrita, të afërmit tanë na pritën në shtëpi dhe më pyetën se ç’doja të bëja të nesërmen, të dilnim në pazar, të uleshim për një akullore apo të shkonim në plazh. Po, të haje akullore ose të shkoje për pazar ishte shumë tërheqëse, por iu thashë se doja të shkoja në një bibliotekë dhe të takoja një prift. M’u kthyen e më thanë, “mirë, bibliotekën e kuptojmë, po priftin?” Iu thashë: “Ndoshta më kuptoni ose ndoshta jo. Dua të shkoj në një bibliotekë, sepse për herë të parë në jetën time do të mund të shoh në një bibliotekë a në një librari, të gjithë autorët, që mund t’i prek, t’i nxjerr nga raftet, t’i shoh dhe ta bëj lirisht, sepse në Shqipëri shumë prej tyre nuk lejoheshin, ishin të ndaluar. Të shihja Platonin, Sokratin, Aristotelin, Kantin ose të gjithë shkrimtarët, Prustin, Kafkën e të tjerë si ata ashtu lirisht, për mua, ishte një ngjarje e madhe në jetën time. Më pas, iu thashë “dua të shoh një prift”. Nuk kisha parë kurrë në jetë një prift, sepse feja në Shqipëri ishte e ndaluar dhe doja vetëm të shihja një prift, sa për ta parë, sa për të kuptuar si dukej një prift. Vlera e shtuar ishte se prifti kishte mjekër të gjatë, më të gjatë se e imja, por po kaq të bardhë. Ju do të qeshni tani, po nuk është shaka, ishte mjekra e parë që shihja në jetën time, sepse deri përpara vitit 1990, mjekra ishte e ndaluar në Shqipëri.

Po, mjekra, flokët e gjata ishin të ndaluara. Mustaqet ishin një element që vetëm njerëz që ishin krejt të padyshimtë mund ta mbanin, si burrat në moshë ose shkrimtarët, ose veteranët e luftës, pleqtë në fshatra, por jo ne, jo të rinjtë. Meqë ra fjala, do ju tregoj diçka – dhe nuk është shaka, ishte diçka që vinte nga ndikimi i Revolucionit Kulturor kinez – ne kishim në aeroportin e Shqipërisë, i cili në atë kohë kishte shumë pak fluturime, Shqipëria kishte vetëm disa mijëra turistë dhe ishin thuajse të gjitha grupe marksiste-leniniste që vinin për të bërë pushimet këtu. Në aeroport kishte një dyqan berberi. Çdo turist që kishte mjekër ose flokë të gjata duhej të shkonte te berberi për të hequr mjekrën dhe për të prerë flokët. Kështu që edhe vetë Karl Marksi nuk do mund të hynte në Shqipërinë marksiste pa u rruar mirë e pa prerë flokët. Pra, ja pse isha në Korfuz. Më pas, bleva bojëra e letër dhe nisa të bëja piktura në ballkonin e asaj shtëpie shumë të bukur të të afërmve të mi dhe hyra në kontakt me dikë, që s’e kam takuar më, një piktor nga Korfuzi, i cili quhej Spiros Surxhinos. Atij i pëlqyen dhe më tha: “Pse nuk bëjmë një ekspozitë?” I thashë: “Uau, fantastike”. Kësisoj, unë çela një ekspozitë atëherë në dimër, në dhjetor, në sallën e ekspozitave të Teatrit të Korfuzit dhe kjo ishte ekspozita ime e parë jashtë.'- tregoi Rama.


Lajmi kryesor:

Rama për ‘Kathimerinin’: Beleri mund të mos shkarkohet pasi i mbaron afati i betimit! Presim fjalën e drejtësisë, qeveria zero kompetenca në këtë çështje


M.Q./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    16 Nëntor, 09:13

    Kush ka pension më të ulët bonus më të madh në fundvit? Si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Zyrtari i lartë rus: Vendimi i Biden për Ukrainën mund të çojë në Luftën e Tretë Botërore

Zyrtari i lartë rus: Vendimi i Biden për Ukrainën mund të çojë në Luftën e Tretë Botërore