Rama homazh për Naim Frashërin: I verbër si një Homer kur bëhej fjalë për begatinë e tij të përveçme, por vizionar për kombin

Rama homazh për Naim Frashërin: I verbër si një Homer kur bëhej fjalë për begatinë e tij të përveçme, por vizionar për kombin

Naim Frashëri

Kryeministri Edi Rama ka risjellë në vëmendje ndarjen nga jeta të poetit dhe shkrimtarit  kombëtar Naim Frashërit.

Ai ka kujtuar disa nga vargjet që kolosë të tjerë të penës shqiptare kanë shkruar për Naim Frashërit. Rama shkruan se 120 vjet si sot ai mbylli sytë në Këzëll-Toprak të Stambollit, pas një jete të urtë e butë, pa salltanete e pa tjetërsend veç lotit të fjalës për Shqipërinë.

Postimi i plotë:

Naimi është mbase i vetmi që s'ka nevojë t'ia thuash mbiemrin për t'ia ndjerë hijen në formë Shqipërie të të afrohet sapo e zë me gojë!

« Sikur të shoh, i tmerrshmë Frashër,

Tek po mban zi përgjithmonë,

Ti: më besniku trashëgonjës

I dashuris’ së vendit t’onë », shkruan Lasgushi për të, poetin e poetëve, që 120 vjet si sot mbylli sytë në Këzëll-Toprak të Stambollit, pas një jete të urtë e butë, pa salltanete e pa tjetërsend veç lotit të fjalës për Shqipërinë.

S'është as rastësi e as çudi, që një ndër faqet më të bukura e më të ndjera që ka lënë vesveliu i madh Faik bej Konica i përket Naimit, pas vdekjes natyrisht:

«Treqind shqiptarë të anës kombëtare, ndër të cilët edhe të krishterë, e shpunë në vend të fundmë. Treqind veta e përcuallnë, e armiqtë, duke parë këta burra të latshmë që shkonin muarrnë vesh se ky njeri diç gjë të re kish bërë në Shqipëri. Edhe ne i falemi me mall e me nder këtij atdhetari të pavdekur!»

Si në të gjallë, si në të vdekur, Naimi,

«Omir’i Shqipërisë » vepra e tij monumentale letrare, u ushqyen e vijojnë t'u ushqejnë shqiptarëve ndjesinë e njësisë kombëtare! Por jo vetëm. I detyrohemi atij që Sevasti Qiriazi e quante « magnet dashurie », bindjen për epërsinë e qytetërimit dhe qytetarisë mbi çdo tërheqje, rrëmbim apo arrogancë vetëkënaqësie kalimtare.

Zemërmadh e i paanë në dhuntinë e tij përnjimend hyjnore, ky i dërguar « nga fron’i lart i Perëndisë, si engjëll i Marisë, me frymë të shenjtëruarë », u bë njësoj at shpirtëror dhe gur themeli i bektashizmit shqiptar dhe një uratë e gjallë « Përpara Krishtitë », orakull i vërtetë për vëllazërimin tonë, për atë që ai vetë e quante « besën tonë të shenjtëruarë ».

Fatlum në mes të një vëllazërie që rrallë shekujt u falin kombeve, i verbër si një Homer kur bëhej fjalë për begatinë e tij të përveçme, por vizionar e vështrimkthjelltë kurdoherë për të mbrothësuar gjithë një komb, Naim beu, u be guri e gjoksi ku vunë kokën, u prehën, u burrëruan e nxunë, të gjithë ata qe iu mveshën veprës emancipuese rilindase.

«I varfër shkoja te Naim beu e i nginjur kthehesha; i dëshpëruar shkoja tek ai e i mbushur me shpresë e lija », thuhej rëndom prej atyre që kishin fatin të piqeshin me të. Ja vlen që sot, në këtë 120 vjetor të kalimit të tij në amshim, ta kujtojmë me mirënjohje birnore këtë At në atdhedashuri e qytetari. T’i lexojmë një copëz nga vepra madhështore, t’i kundrojmë një fotografi të atij vështrimi të dlirë e ndriçues, t’i falim një uratë, t’i ndezim një qiri. Kush të mundet, me një lule le t’ia zbukurojë vendprehjen.

Mos ta harrojmë Naim Frashër Shqipërinë!

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë