Kryeministri Edi Rama ka inspektuar punime në rindërtimin në lagjen e re në Vaqarr, që po ndërtohet për të prekurit e tërmetit. Lagja e re do të jetë si një qendër rezidenciale me shtëpi individuale, me lulishte përpara, do të ketë objekte arsimore dhe qendër komunitare duke sjellë në zhvillim të ri për zonën e Vaqarrit.
Gjatë inspektimit Rama tha se ky investim po krijon një komunitet shumë më të zhvilluar, më modern dhe më social për fëmijët dhe vetë banorët. Ai tha se kjo lagje e re që duket si banesa rezidenciale duke perfekt dhe se kjo është puna më e mirë që mund t'u tregohet qytetarëve.
"Kjo krijon komunitet më të zhvilluar dhe mw social për fëmijët, gjyshërit dhe vetë banorët ta kthejnë këtë zonë në lagje rezidenciale. Perfekt" , tha Rama.
Ndërsa kryebashkiaku Erion Veliaj, i cili ishte i pranishëm tha se këtu do të ndërtohet dhe një stacion autobusi pasi komuniteti që po ngrihet është i madh, do të ketë shkollën dhe qendrën e vetë komunitare për zhvillimin e aktiviteteve të ndryshme.
"Pallatin e kulturës e kemi prishur dhe do te bëhet e gjitha e re duke u kthyer në qendër komunitare, do të ketë shkollën dhe një stacion autobusi këtu pasi është bërë një komuniteti i madh", tha Veliaj
Edhe Manza është një tjetër kantier i hapur ku punimet vijojnë me ritme të larta në mënyrë që të gjithë banorët e goditur nga tërmeti i 26 nëntorit të akomodohen në shtëpitë e reja, më të forta, më të mira e sigurisht se ato që humbën natën tragjike të tërmetit.
Kryeministri Rama, së bashku me kryebashkiaken e Durrësit Emiriana Sako dhe me ministrin e Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj ishin në Manzë ku jo vetëm u dorëzuan çelësin e banesave disa prej familjeve që përfituan shtëpi individuale nga Programi i Rindërtimit, por vizituan edhe kantierin e pallateve. Janë 9 të tilla që po ndërtohen e që deri në fund të vitit banorët do t’i kenë marrë në dorëzim apartamentet e tyre.
Një pjesë e mirë e familjeve në këtë zonë ka marrë grantin në dorë për ta rindërtuar shtëpinë vetë.
Ndërkohë pallatet janë tashmë në një fazë të avancuar të ndërtimit, teksa puna vijon me ritme të larta. “Këtu kemi 9 pallate, 224 apartamente dhe një projekt i plotë infrastrukturor. Gjithashtu pallatet shoqërohen me parkime nëntokësore”, - u shpreh ministri Ahmetaj.
“Objektet që u shembën janë shumë afër me këtë zonë dhe menduam të mos i ndërtojmë në formë pikësore, por të akomodohen këtu edhe me shërbime më bashkëkohore”, - nënvizoi kryebashkiakja Sako
Manza, bashkë me Thumanën dhe Fushë-Krujën do të jenë lagjet e reja model të Programit të Rindërtimit.
Rindërtimi i objekteve arsimore të shkatërruara apo dëmtuara rëndë nga tërmeti nuk është ndalur për asnjë moment.
Shkolla “Ismet Nanushi”, në fshatin Sukth të Durrësit, e cila në vjeshtë do të jetë gati për 705 nxënës dhe 80 fëmijët e kopshtit, është një nga objektet arsimore të Fazës 2, që po rindërtohet nga themelet me fondet e Bashkimit Europian, EU4Schools dhe zbatohen nga UNDP Albania.
Në kantierin ku çdo gjë është ngritur nga themelet ishte sot Kryeministri Edi Rama, së bashku me Ministrin e Rindërtimit Arben Ahmetaj dhe kryetaren e Bashkisë së Durrësit, Emirjana Sako.
“Ky është objekti i tretë që fillon me programin e rindërtimit në këtë njësi administrative,” - u shpreh Sako, ndërsa shtoi se dy objekte të tjera arsimore që janë funksionale në këtë njësi janë rindërtuar me fonde të qeverisë.
“Ne kemi mbaruar dy objekte me fondet e qeverisë shqiptare që funksionojnë aktualisht. Ndërsa kjo dhe një shkollë tjetër janë të ndërtuara mbi programin e BE-së me donacionet e PNUD. Kështu që kemi katër objekte të reja vetëm në këtë njësi administrative për t’i dhënë një mundësi sa më të madhe nxënësve që të edukohen në kushte sa më optimale,” – u shpreh kryebashkiakja Sako.
Ndërsa Ministri i Rindërtimit Ahmetaj tha se “Ismet Nanushi” është një nga shkollat më të mëdha të Programit të Rindërtimit, e cila renditet përkrah më të mirave për kushtet optimale që do t’u ofrojë nxënësve.
Sezoni turistik është në prag dhe kudo po punohet për të lehtësuar sa të jetë e mundur komunikimin në zonat më të frekuentuara. I tillë është segmenti Sukth-Maminas ku po punohet për zgjerimin e trasesë, asfaltin, trotuaret dhe ndriçimin.
“Këtu jemi në një aks shumë të rëndësishëm në njësinë administrative Sukth, ku kemi filluar riparimin e një segmenti prej 6,3 kilometrash, i cili konsiston në rehabilitimin e gjithë shtresave asfaltike. Ky segment do të shërbejë për të shfryrë edhe fluksin gjatë sezonit turistik në qytetin e Durrësit, pasi do të shkarkojë rrugën e Maminasit deri në gjirin e Lalsit.” – u shpreh kryetarja e Bashkisë së Durrësit Emirjana Sako gjatë inspektimit që kryeministri Edi Rama bëri sot në kantierin e rrugës.
“Gjatë gjithë aksit zgjerimi i rrugës është bërë 6 metra. Edhe atje ku rruga ka qenë më e ngushtë është rehabilituar. Atje ku ka zonë urbane rruga do të pajiset me trotuar dhe me sinjalistikë për qëndrimin e autobusëve. Do të ketë sinjalistikë edhe përgjatë gjithë aksit. Do ti vijë në ndihmë komunitetit, bizneseve që janë në këtë zonë, por edhe pushuesve që frekuentojnë këtë zonë turistike” – shtoi kryebashkiakja Sako.
Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar edhe nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj kanë inspektuar punimet për rindërtimin në lagjen e re në Ndroq.
Sipas tyre lagja e re do të jetë gati në fund të gushtit dhe rreth 350 banorë do të mblidhen ne lagjen qendrore.
‘Lagja e re në Ndroq, do të jetë gati në vjeshtë, me shtëpitë e banimit, kopshtin, shkollën dhe një qendër komunitare. Pasi humbën shtëpitë e vjetra në pika të largëta e të veçuara, rreth 350 banorë do të mblidhen në këtë lagje qendrore, me akses të shpejtë në shërbime për të gjitha moshat.’- shkruan Rama.
‘Në fund të gushtit do të përfundojë, para fillimit të vitit të ri shkollor.’- tha Veliaj.