Kryeministri Edi Rama inspektoi mëngjesin e së hënës rrugën Bunavi – Kërkovë në qarkun Vlorë, e cila ka hyrë në fazën e dytë të ndërtimit. Kreu i qeverisë tha se ky projekt hap një perspektivë të re zhvillimi për shtatë fshatra të njësive Shushicë dhe Llakatund.
I pranishëm ishte edhe ministri i Mbrojtjes, Pirro Vëngu, i cili u shpreh se rruga e re do t’i shërbejë edhe Bazës Ushtarake të Bunavisë, e cila do të ketë rreth 500 forca të emergjencave civile.
“Ështe edhe baza dhe qendra e formimit profesional të të gjithë ushtarakëve, baza e Bunavisë, që do t’i bashkohet edhe një Brigadë e Emergjencave Civile, e dedikuar për qarkun e Vlorës. Praktikisht në këtë bazë do të jenë 500 ushtarakë dhe personel mbështetës, çka e bën një vend ku nevojiten më shumë shërbime.”, u shpreh ministri.
![]()
Rama foli edhe për projekte të tjera në këtë zonë.
“Duhet ta përmirësojmë cilësinë këtu, po bëjmë gjithë atë punë me konviktet dhe shkollat profesionale. Do të bëhen konvikte evropiane që kush çon fëmijën në një shkollë profesionale ta ketë në kushte më të mira. Kur vijnë ushtarakët në muajt e parë duhet t’u bëjmë kushtet optimale. Do të bashkëpunojmë me Fondin e Zhvillimit.”, shtoi kryeministri.
Nuk munguan as batutat me qytetarët e pranishëm.
Pjesë nga diskutimi
Rama: Unë me traditë, pa traditë do ta pi kafen.
Qytetari: Na duhesh edhe shumë vite.
Qytetari: Kemi ndërruar për ty.
Rama: Ke ndërru parti për mua. Dëgjo, parti ka ndërruar edhe Churchill kur e kërkon atdheu. Ju i doni me figurat botërore.
Qytetari: Kemi vite që votojmë një parti.
Rama: Ti je tjetër gjë se të ka qëlluar partia e duhur. Këtij që i qëlloi e gabuar, e ndërroi. Kjo partia e re që kemi ka edhe ata 70 e 40, ka edhe të rinjtë. Je penduar se ke ndërruar parti?
Qytetari: Jo, jo.
Rama: Është i vështirë moment i ndërrimit, por më pas kalon.
Kryeministri Edi Rama, gjatë inspektimit të rrugës Bunavi – Kërkovë në Vlorë, konsumoi edhe një kafe me qytetarët e pranishëm. Kreu i qeverisë tha se ai është demokrat socialist sikurse të rinjtë e FRPD-së, pasi siç shtoi ai, ata janë me detin dhe jo me kënetën.
Më pas ai ngriti edhe një dolli ndërsa tha: “Dua të ngre një dolli për të tërë ju bashkë, për partinë tonë nuk diskutohet, për Shqipërinë në BE. Duhet ta fusim në BE.”
Pjesë nga diskutimi:
Rama: Birçjen e kam vëlla partie. Sa kohë kemi bashkë? Ka qenë një nga ata që më ka mbështetur, kur këta të tjerët që thonë kemi 70 vjet në parti, thoshin çfarë do ky këtu. Haram qumështi i nënës. Se më shikonin si demokrat. Unë jam demokrat socialist. Unë jam demokrat në det si ata të rinjtë e FRPD të Vlorës. Edhe ata janë me detin, nuk mund të rrijnë në kënetë ata. Kush do të na e japë kafen se po insistojnë shumë.
Qytetari: Na duhesh edhe për shumë vite të tjera.
Rama: Një kafe bëre kaq shumë u vonove për mua. Po çfarë më dini mua ballist? Të ha unë dhe të shoh të tjerët duke më parë mua? Agolli ky është drejtori i Fondit Shqiptar të Zhvillimit. Udhëheqësi i transformimit të madh të Shqipërisë rajonale dhe fondi shqiptar po bën këtë rrugë. Është vullneti i të gjithë këtyre këtu. Këta kanë hedhur italianin prapa në det, i kanë treguar dhëmbët gjermanit kur donte të vinte e të kapte italianin, kanë fshehur hebrenjtë nëpër male dhe s’i kanë lënë t’i hapin gjermanët. Këta kanë rezistuar imperializmit amerikan fuqishëm, sovjetikun s’e llogarisin fare. Kanë kthyer mbrapsht Bashkimin Sovjetik dhe mbajtën nëndetëset peng. Këta për një 1 km rrugë, e di se çfarë bëjnë apo jo? Kështu që më mirë bëja se ta bënë pastaj.
Kryeministri Edi Rama, gjatë inspektimit të rrugës Bunavi – Kërkovë në Vlorë, bashkëbisedoi me telefon me një qytetar që jetojnë jashtë vendit. Qytetari i shprehu shqetësimin për një problematikë në zonë, ndërsa i tha se madje i ka dërguar edhe mesazh në telefon për këtë gjë.
Kreu i qeverisë shkëmbeu edhe batuta me të teksa i tha se duhet të përqendrohet në timon, pasi duke ngarë makinën sheh vetëm Bashën.
Pjesë nga diskutimi:
Rama: O Pavlo si je?
Qytetari: Zoti kryeministër të uroj shëndet. Të kam marrë në telefon vetëm për këtë hall. Të kam dërguar edhe mesazh.
Rama: Më ke dërguar edhe mesazh, unë çfarë kam bërë.
Rama: Shiko se çfarë bëhet te fshati. Ktheje kokën, mos shiko Anglinë. Ore çfare ke që lëviz sa andej këtej, përqendrohu këtu. Dëgjo, jemi këtu te kjo rruga. I thashë që të flasim edhe për atë lidhjen. Orë për 1 mijë metra, e bëjmë përpara se sa ti të arrish atje. S’e ka mendjen. Ik se po na bën ndonjë të pabërë. Shiko duke i dhënë makinës unë shoh vetëm Lulin, ty jo.
Qytetari: Ti do të ndihmosh fshatin që të lidhet rruga, Ne jemi me ty.
Komente

