Rama jep kontratat e para në
bujqësi: Mbështesim fermerët

Rama jep kontratat e para në<br />bujqësi: Mbështesim fermerët
MALESI E MADHE - Kryeministri Edi Rama dhe Ministri i Bujqësisë,  Edmond Panariti u takuan sot, me fermerë dhe investues në Malësinë e Madhe dhe të qarkut të Shkodrës, nga ku nisi edhe procesi i aplikimit të  skemave mbështetëse në bujqësi, me dorëzimin e kontratave të para të investimit në bujqësi.

Kontratat fituese janë të përzgjedhur pas aplikimeve të bëra në Agjencinë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural, nga vetë fermerët dhe investuesit dhe për këtë vit janë arritur kontrata për 60 investimet e para në bujqësi. Drejtoresha e AZHBR-së Suela Popa theksoi se skema e investimeve ka si fokus kryesor infrastrukturën bashkëkohore që do të mundësojë rritjen e investimeve dhe eksporteve, por, mbi të gjitha, përafrimin e standardeve dhe kërkesave me tregun e përbashkët europian.

Ndër përfituesit e skemës është kompania “AgroAlesio”, një bashkim i disa rinjve shqiptarë dhe italianë që kanë ndërmarrë një nismë sfiduese, për të investuar në bujqësi. Teksa i dorëzoi kontratën, Kryeministri Rama theksoi se qeveria e mbështet me entuziazëm këtë nismë, edhe si një model për të rinjtë, për ta parë fshatin dhe tokën si një mundësi e madhe pune dhe mirëqenie.

“Ne e mbështesim me shumë entuziazëm këtë nismë, se duam ta kthejmë në një model për shumë vajza e djem, që duhet të shohin në fshat një mundësi të madhe për të jetuar mirë dhe copë, për të bërë lekë. Për të bërë lekë nëpërmjet punës dhe prodhimit. Fermerë të varfër në Europë nuk ka, nuk ekzistojnë. Familje në fshat, të varfra, në Europë nuk ka, nuk ekzistojnë, sepse fshati është pasuri, toka është pasuri. Por, sigurisht, siç e dinë shumë këtu, është një pasuri që nuk i nxjerr lekët vetë, duhet përpunuar që të nxjerrë lekë. Prandaj, kësaj nisme, ne i japim një mbështetje entuziaste,”  u shpreh Kryeministri, ndërsa i uroi sukses, gjithë atyre që përfituan nga skemat dhe inkurajuar të tjerët që të aplikojnë.

Në bashkëbisedimin që pati Kryeministri Rama dhe Ministri Panariti me fermerët, theksi u vu tek sfidat e ardhshme në bujqësi, rajonalizimi i kulturave, ruajtja e kulturave autoktone dhe investimet për të kaluar në cikël të mbyllur të prodhimit.

“Ju falenderoj për mikpritjen dhe më vjen mirë që po bëjmë realitet zotimet që kemi marrë dhe kryesorja, që po shkojmë vazhdimisht, për t’i takuar njerëzit e punës aty ku punojnë dhe për t’i mbështetur qoftë në industri, qoftë në bujqësi, qoftë edhe në fusha të tjera, në mënyrë që së bashku të bëjmë realitet shumë gjëra që janë lehtësisht të mundura, por që shumë vite janë bërë të pamundura, për shkak se nuk ka pasur një qeveri që të ketë menduar për njerëzit e zakonshëm, që të ketë menduar për zhvillimin kombëtar, që të ketë menduar për interesat e përbashkëta. Më lejoni t’ju them ju dhe nëpërmjet jush, atyre më Malësinë e Madhe, në Shkodër dhe në Lezhë, që na besuan në 23 qershor, që në 300 ditë kemi bërë jo pak, po më besoni që kjo është në radhë të parë merita e gjithkujt që vendosi e investoi me votën e vet tek ne. Sinqerisht, unë ju them faleminderit gjithë atyre që na e dhanë votën. Gjithë atyre që s’na e dhanë, u them mos u mërzisni, ne do t’ju bindim që të na e jepni herës tjetër,” u shpreh Kryeministri.

Për Ministrin Panariti, edhe pse ky ka qenë një vit i vështirë financiar, investimet për bujqësinë rritur, por se objektivat janë shumë më ambiciozë.

“Siç patëm premtuar, ne prioritet dhe përparësi i dhamë skemave të investimeve, sepse këto janë skema gjithëpërfshirëse, ku përfitojnë të gjithë. Përfiton prodhuesi, agro-përpunuesi, transportuesi dhe krijohet një zinxhir i mirëfillte i vlerave. Ne kemi pasur 40 % më tepër aplikime, sesa një vit më parë. Kjo tregon një interes në rritje të fermerëve për mbështetje, por shkon në sinkron me vizionin tonë për mbështetjen për mbështetjen e bujqësisë. Paralelisht me rritjen e këtij interesi do të rritet jo vetëm masa e aplikimeve, por edhe e mbështetjes financiare.” u shpreh Ministri Panariti.

Gjatë vizitës në Malësinë e Madhe, Kryeministri Rama dhe Ministri Panariti vizituan edhe fidanishten e kultivimit të sherbelës, një ndër bimët medicinale shqiptare më të kërkuara në tregun e jashtëm, kultivuesi i të cilës është një tjetër aplikues i suksesshëm dhe përfitues i fondit të mbështetjes. Kultivuesi tha se sherbela shqiptare përfaqëson një farë autoktone dhe kërkohet gjithnjë e më shumë, për mënyrën e tradicionale të kultivimit dhe të tipareve të saj cilësisht më të larta, krahasuar me varietet e huaja.

“80% e këtij produkti shkon në Amerikë. Këtu bëhet fjalë për fidanët më të mirë në botë. Tani po kap sipërfaqet më të mëdha të Malësisë së Madhe dhe më tej në Shqipëri,” u shpreh kultivuesi. Ambiciet e tij flasin për një shtrirje të plantacionit deri në 4 mijë hektarë këtë vjeshtë, krijimin e një marke shqiptare dhe zgjerimin e hartës së vendeve për eksportin e saj.

“Ne po përgatisim një varietet të ri dhe synojmë që brenda dy vjetësh ta regjistrojmë, ta fusim në katalogun shqiptar. Perspektiva e punës janë shumë të mëdha dhe grupi synon që në të ardhmen të krijojë një produkt me markë shqiptare, që të konkurrojë në treg,” tha kultivuesi.

Edhe Ministri Panariti e vuri theksin në ruajtjen e farërave autoktone, si një avantazh krahasues në treg, duke e shoqëruar këtë avantazh në cilësi me investimin në të gjithë ciklin e prodhimit, që nga pikat e grumbullimit deri të paketimi, çka i jep produktit, vlerë të shtuar në treg.

Redaksia Online
(e.c/g.f/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Dhjetëra automjete të KFOR-it drejt veriut

Dhjetëra automjete të KFOR-it drejt veriut