Kreu i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi ka reaguar pas deklaratës së kryeministrit Edi Rama, i cili tha se do të presë raportin e Këshillit të Mandateve, e më pas do flasë për imunitetin e zëvendëskryeministres Belinda Balluku, për të cilën SPAK ka kërkuar arrestimin.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Bardhi u shpreh se pasi nuk i mjaftuan dy muaj zvarritje, Rama po kërkon edhe dy javë të tjera për një raport të deputetëve të tij, për të cilin urdhrin do ta japë vetë.

Sipas Bardhit, Rama po kërkon të blejë kohë dhe të sulmojë drejtësinë, sepse nuk bëhet fjalë vetëm për Ballukun, por për të personalisht. Bardhi shton se Rama ka rol në vendimet se kush i fiton tenderat dhe se ai ka frikë për humbjen e pushtetit.

“Nuk i mjaftuan dy muaj zvarritje. Tani kërkon edhe dy javë të tjera për gjoja një raport të deputetëve të vet, për të cilin urdhrin do ta japë po vetë. Por çfarë ka për t’u analizuar kaq gjatë? Janë 11 tenderë me vlerë 1.1 miliardë euro, të firmosura nga Belinda Balluku, me urdhër apo dijeni të Edi Ramës. Një pjesë janë projekte publike që sot po shemben dhe po bllokojnë qytetarët kudo në vend.  Janë 16 mijë faqe prova ku faktohet korrupsioni i neveritshëm i qeverisë dhe administratës së lartë të Edi Ramës.

Janë mjaftueshëm përgjime që faktojnë shantazhin mafioz ndaj dëshmitarëve në proces, përmes të fortëve, parave të pista dhe presionit ndaj familjes. Pra, pse kërkon të blejë akoma kohë Edi Rama? Pse sulmon drejtësinë? Pse pengon drejtësinë? Sepse nuk bëhet më fjalë thjesht për Belinda Ballukun. Në lojë është personalisht Edi Rama. Rolin e tij në vendimet se kush i fiton tenderat, e kemi parë e zeza mbi të bardhë në dosjen antikorrupsion të SPAK-ut.

Fatkeqësisht për Edi Ramën, koha nuk ndryshon faktet. Shtyrja nuk ndryshon përgjegjësinë. Sa më shumë të zvarritet vendimi, aq më e qartë bëhet se problemi nuk është tek hartimi i raportit të shumicës, por tek frika e Edi Ramës për humbjen e pushtetit. Mesazhin e ka marrë shumë të qartë: çështja e Belinda Ballukut është test për Shqipërinë në raport me Bashkimin Europian. Integrimi nuk matet me fjalime (anti) “revolucionare”, por me akte që tregojnë se askush nuk është mbi ligjin. Kur pushteti zvarritet për të mbrojtur veten, qytetarët nuk kanë arsye të presin. Prandaj, 28 shkurti, ora 18:00, është dita kur frika e pushtetit do të përballet përsëri me vendosmërinë e qytetarëve. Është dita e shqiptarëve që e duan Shqipërinë si gjithë Europa”, shkruan Bardhi.

Kryeministri Edi Rama deklaroi në mbledhjen e grupit të PS se ia ka refuzuar 3 herë dorëheqjen Belinda Ballukut. Rama tha se për këtë çështje do të presë raportin e Këshillit të Mandateve, ndërsa shtoi se qeveria nuk mund të futet në vallen e dorëheqjeve kur ngrihet një akuzë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:33
Tabaku reagon pas mbledhjes së Grupit të PS: Modeli i qeverisjes së Ramës vendos interesin personal para atij kombëtar

1772123646_syruyuud.JPG

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar pas mbledhjes së sotme të Grupit Parlamentar të PS, ku kryeministri Edi Rama deklaroi se do të presë raportin e Këshillit të Mandateve dhe më pas do të flasë për imunitetin e Belinda Ballukut, për të cilën SPAK ka kërkuar arrestimin.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Tabaku ka shkruar se kryeministri Rama dhe qeveria e tij po rrezikojnë integrimin europian të vendit, për shkak se sipas saj, refuzojnë të zbatojnë ligjin dhe drejtësinë.

Po ashtu, Tabaku shtoi se modeli aktual i qeverisjes vendos interesin personal mbi atë kombëtar.

Reagimi i Tabakut:

Shqipëria përballë Zgjedhjes së Saj Historike

Shqipëria është realisht në një udhëkryq. Dhe ironia është se ata që e kanë sjellë vendin në këtë pikë janë e njëjta forcë politike që në vitin 2010 refuzoi të votojë tre ligje të rëndësishme, duke bllokuar institucionet për interesa të ngushta politike. Sot, po e njëjta parti dhe i njëjti kryetar partie e kanë degdisur Shqipërinë në një tjetër udhëkryq – atë të integrimit europian – sepse refuzojnë të zbatojnë ligjin dhe drejtësinë siç kërkohet në çdo vend europian: njësoj për të gjithë, pa përjashtime dhe pa privilegje.

Në një Shqipëri që renditet e fundit në rajon për fuqinë blerëse për frymë, që lëngon për pensione dinjitoze, që përballet me një klimë biznesi të pasigurt dhe ku zhvlerësimi i euros nga paratë e pista shoqërohet me rritje të përditshme të çmimeve të shportës, ky udhëkryq bëhet edhe më dramatik. Nuk është një ndalesë që e kemi zgjedhur. Është një pengesë që na është imponuar nga një model qeverisjeje që vendos interesin personal mbi interesin kombëtar.

Kjo aventurë politike, që përpiqet të ndërtojë mitin e një lideri të pazëvendësueshëm, e ka zhvendosur debatin nga standardet europiane te kultivimi i pushtetit personal. Por zgjedhja përpara nesh është e qartë: ose një sistem i mbyllur, ku korrupsioni institucionalizohet dhe pushteti përqendrohet në një dorë të vetme, ose një Shqipëri europiane – me institucione të forta, ekonomi të ndershme dhe drejtësi të barabartë për të gjithë.

Çdo shqiptar e di se cilën rrugë duhet të zgjedhë. Dhe përgjigjja nuk është vetëm një mendim. Është një qëndrim. Një akt qytetar. Një zë që duhet të dëgjohet. Prandaj të shtunën përballë Kryeministrisë në orën 18:00 bëje zërin tënd të dëgjohet!