Mirëmbrëma të gjithëve!
Dëshiroj që të flas gjithnjë e më pak për të shkuarën dhe më gjithnjë e më shumë për të ardhmen.
Sot nuk dua të flas fare për të shkuarën, por nuk mundem ta filloj këtë fjalë veçse duke u nisur nga e shkuara. Sepse kjo ditëlindje, na gjen përsëri në drejtimin e vendit, falë mbylljes me kurajë, vullnet dhe sukses të një dasie të fortë të së shkuarës mes nesh.
Kemi mbyllur më në fund një kapitull cfilitës ndarjeje dhe kemi hapur një kapitull premtues bashkimi. Prandaj edhe dëshiroj që në këtë ditë të shënuar të vitit për të gjithë ne socialistët dhe progresistët, fjalën e rastit t’ia kushtoj bashkimit. Sapo thashë një ditë e shënuar për të gjithë ne, socialistët dhe progresistët dhe nuk ishte lapsus. Sigurisht që është një ditë e shënuar për të gjithë ne përderisa, pavarësisht se sot, nuk jemi më të gjithë në të njëjtën parti, themeluesit e partisë simotër të “Aleancës për Shqipërinë Europiane” u lindën dhe u rritën politikisht në këtë shtëpi të madhe të së majtës europiane të shqiptarëve. E cila, 23 vjet më parë u themelua si Partia Socialiste e Shqipërisë. Dhe padyshim është një ditë veçanërisht e gëzuar kjo, kur askush ndër ne nuk mungon, sepse nuk është i ftuar dhe kur çdo i ftuar që është këtu, ndjehet në festën e vet. Natyrisht, e kam fjalën ende për të bashkuarit rishtazi pas pësimesh dhe mësimesh që na ndihmuan të gjithëve për të kuptuar si të ndihmojmë Shqipërinë dhe shqiptarët. Po besoj në radhë të parë mua vetë dhe Ilirin, kryetarin tjetër të kësaj aleance strategjike -, të gjejmë brenda vetes fuqinë transformuese të përgjegjësisë historike të së majtës, përballë rrënimit ku u rrokullis vendi në duart e paafta të së djathtës edhe për fajin tonë.
Kjo histori ndarje dhe bashkimi ngjan si një ilustrim i gjallë i shprehjes së famshme së Antoine de Saint-Exupéry, “njeri mund të qëllojë në shenjë tjetri mund t’ja fusë kot. Po këto nuk duhen llogaritur as ndaras dhe as për t’u ndarë. Sepse vetëm nga aleanca e njërit, duke me, dhe përmes tjetrit, lindin gjërat e mëdha.”
Ky bashkim që premtojmë sot nën çatinë e shtëpisë sonë të madhe pati efektin çlirues që një bashkim i domosdoshëm ka mes njerëzish, grupesh, sipërmarrjesh të çdo lloji, atëherë kur koha nuk pret po ndëshkon kë nuk ecën me ritmin e saj.
Falë këtij bashkimi populli ynë, mbarë Shqipëria, u çlirua nga makthi i vjedhjes së votës dhe u dynd lumë drejt kutive të votimit, duke e nxjerrë Shqipërinë njëherë e mirë matanë hendekut të zgjedhjeve të manipuluara dhe të kontestuara që na ndau nga rruga e integrimit real europian për vite me radhë. Falë këtij bashkimi vendi ynë u kthye në normalitetin demokratik të të qenit i qeverisur nga vullneti i shumicës së popullit dhe sot ne, përfaqësuesit e zgjedhur të 1 milionë shqiptarëve, kemi në dorë jo një mandat të zakonshëm qeverisës, po një mandat të cilësuar si konsensus kushtetues për reforma transformuese – njëra ndër to, reforma e reformave, ajo territorial – administrative, e cila nuk u bë dot realitet për njëzet vjet, do të bëhet realitet brenda këtij sesioni të parë kuvendor të mandatit tonë qeverisës. Falë këtij bashkimi Shqipëria ka sot një qeveri jo thjesht të re, sepse s’ka bërë ende 300 ditë, po një qeveri të re në moshë, më e reja në historinë tonë; të re në përmbajtjen gjinore, më e balancuar se mesatarja e qeverive të vendeve të Bashkimit Europian; të re në mendësi e në sjellje, punohet në skuadër si asnjëherë më parë në traditën qeverisëse të këtij vendi dhe çdo reformë e punë për t’u kryer, parashikohet e monitorohet me metoda tërësisht të reja.
Por falë këtij bashkimi ka ende më shumë gjëra me rëndësi që kanë ndodhur për mirë, jashtë kufijve të Partisë Socialiste apo të aleancës sonë me LSI-në. Plot njerëz të rinj pa parti, individë të spikatur nga shoqëria civile e bota akademike, si edhe plot të tjerë, plot gra e vajza që natyrshëm kanë lexuar qartë vlerën dhe fuqinë e këtij bashkimi, i janë bashkuar në rrugë të ndryshme përpjekjes sonë pa drojen e tmerrshme prej politikës së deri një viti më parë. Nuk kanë sot as droje po as pasoja të çfarëdo natyre qofshin, për shkak të mos rreshtimin me ne as mediat, as sipërmarrësit, as mësuesit dhe nxënësit. Zëri i shoqërisë sot mund të ngrihet sa të dojë, ku dhe kur të dojë. Falë këtij bashkimi, që solli fitoren e shumicës së këtij populli në 23 qershor dhe i riktheu popullit tonë të drejtën për t’u qeverisur nga një qeveri e shumicës së zgjedhur, fitoi si kurrë më parë hapësirë dhe dëgjim zëri i qytetarëve gjatë javëve të debatit të armëve kimike.
Në këtë pikë, tek liria dhe energjia pozitive që sollëm për të gjithë me bashkimin tonë, na takon besoj ta përjetojmë me gëzim - pas gjithë atyre që hoqëm kur ishim opozitë në këtë vend të kapur peng nga frika e pushtetit -, çdo afrim drejt politikës së njerëzve të rinj, edhe kur drejtohen përnga krahu tjetër. Sa më shumë njerëz të rinj, jo thjesht në moshë po në mendësi dhe dëshirë për ndryshim, të jetë në gjendje të afrojë politika si e tërë, aq më shumë ajo do të mund të bëjë për të përmirësuar të ardhmen e kësaj shoqërie.
Do të kishim qenë padyshim të gëzuar sot, nëse të ftuarit tanë të Partisë Demokratike, do të na kishin nderuar me pjesëmarrjen e tyre në këtë festë bashkimi. Dhe pa asnjë dyshim nuk do të kishim ngurruar ta ngrinim një dolli edhe për ditëlindjen e kryetarit të tyre të ri. I cili, ky i riu e kam fjalën, është më i vjetër se partia jonë, po sidoqoftë ka lindur në një datë të shënuar. Shpresoj që kur vitin e ardhshëm, kur ne të bëhemi 24 e ai 41, të jemi së bashku.
Ditëlindja ime nuk përkon me atë të Partisë Demokratike - në fakt nuk e di datën kur lindi PD-ja, po di që ka lindur në dhjetor e jo në 4 korrik. Por nëse më ftojnë, unë do të shkoj me shumë kënaqësi në festwn e tyre këtë vit edhe pse s’do ta kem fatin që në festën e tyre të ngrihet dolli për ditëlindjen time.
Të mos keqkuptohet kush, kjo nuk është shenja e një përpjekjeje për t’u bashkuar edhe me PD-në pasi jemi bashkuar mesvedi si socialistë e si progresistë. Por edhe të ndarë deri edhe për festa kaq modeste si ditëlindjet, nuk shkon më. E jo vetëm kaq, po nuk shkon më as që ndarja e natyrshme, e domosdoshme, thelbësisht demokratike mes kampeve politike, të jetohet prej nesh e të përjetohet prej popullit tonë, si luftë e ftohtë vëllavrasëse ndërkohë që vendi synon t’i bashkohet Bashkimit Europian.
Kjo s’është dita e ky s’është fare vendi për të thënë fajin e ka Saliu, aq më tepër që kjo dihet, por për mua është dita për të nënvizuar se kjo e jona nuk është një histori engjëjsh nga një anë e djajsh nga tjetra, po është historia e një gjenerate me vite të ndara mes diktaturës e demokracisë. Por kjo nuk e bën përgjegjësinë gjeneratës sonë më relative, po më absolute. Sepse, ndërkohë që ndarja e re demokratike mes kampeve politike, zhvillohet sot e gjithë ditën, prej më shumë se dy dekadash, mu si ndarja e vjetër gjysmëshekullore mes armiqsh klasorë. Ata që ishin kalamaj kur diktatura ra, sot janë po njësoj të kontaminuar nga helmi dasia të së shkuarës kur marrin fjalën në parlament apo në kafene. Në një mënyrë a një tjetër, duhet të dalim të gjithë së bashku nga kurthi i këtij keqkuptimi të madh. E na takon ne socialistwve e progresistwve tw udhëheqim me forcën e shembullit drejt daljes përfundimtare nga tranzicioni i gjuhës dhe i sjelljes politike.
Pas pak ditësh do të mësojmë rezultatin e përpjekjes sonë për marrjen e statusit të vendit kandidat për në BE. Le të shpresojmë se Europa do të jetë e çliruar këtë herë nga influenca e paragjykimeve dhe e paragjykuesve që influencuan në vendimin e padrejtë ndaj Shqipërisë në dhjetor. Pas vizitës në Gjermani dhe bisedës aq inkurajuese me kancelaren Merkel, unë kam fituar një besim të madh se shumëçka do të ndryshojë në vitet që vijnë për Shqipërinë e për rajonin. Para pak ditësh na ka mbërritur edhe ftesa zyrtare nga kancelarja, si materializim i asaj çka biseduam në parim qysh në takimin e Berlinit, dhe tanimë kemi filluar punën për mbledhjen shpresëdhënëse të fundgushtit në kryeqytetin gjerman mes kryeministrave, ministrave të jashtëm e ministrave të ekonomisë, të Gjermanisë e të gjithë rajonit. Ndërsa vizitat në Hollandë dhe Francë, më kanë përforcuar besimin që kam pasur qysh ditën e parë se ne, kjo shumicë e bashkuar, qeveria jonë, do t’i japim Shqipërisë dinjitet të plotë në marrëdhëniet ndërkombëtare. Axhenda jonë e reformave të thella shihet me admirim dhe puna e qeverisë sonë që flet me gjuhën e rezultateve shihet me respekt të shprehur nga të gjithë miqtë e partnerët tanë ndërkombëtarw. Presidenti Hollande u shpreh veçanërisht i mbresuar nga axhenda e reformës territoriale dhe puna e bërë për këtë reformë kyç. Kur unë i thashë se shpesh oponenca na jep shembull Francën, mu përgjigj “Thuajuni oponentëve se Franca po përpiqet gjithashtu të futet në rrugën e kësaj reforme jetike”.
Shqipëria ka filluar të thotë atë që bën sepse kjo aleancë qeverisëse qysh prej ditës së parë bën atë që thotë. Por padyshim ky është vetëm fillimi i një rruge të re drejt bashkimit me Europën, dhe sot dua të uroj nga zemra që statusi të vijë jo si një medalje për ta varur në qafë një palë dhe për t’i nxjerrë gjuhwn palës tjetër, siç do të kishte ndodhur po të mos ishim ne, sot, por të tjerë këtu në prag, por si shtysa e një fillimi të ri në rrugën e ndarë, po sidoqoftë jo të kundërt, mes nesh dhe opozitës për të futur Shqipërinë në Bashkimin Europian. Një fillim i ri që nuk do të thotë më pak luftë politike, përkundrazi, do të thotë në fakt më shumë luftë politike, por shumë më pak sherr e shamata mes politikanësh. Më shumë debate të zjarrta për problemet e vendit e të njerëzve, shumë më pak shkëmbime zjarresh për librat e shtëpisë. Më shumë orë të harxhuara për si duhet të jetë Shqipëria nesër dhe shumë më pak kohë e humbur kush jam unë e kush je ti.
Të dashur miq dhe shok, motra dhe vëllezër, të ftuar,
Kjo është ditëlindja e Partisë Socialiste, ky është viti i parë i “Aleancës për Shqipërinë Europiane”. Gëzuar këtë ditë të shënuar dhe qoftë ky vit i pari një zinxhiri vitesh edhe më të suksesshëm se ky vit i parë, derisa kjo aleancë të nënshkruajë anëtarësimin në BE dhe të gjejë pastaj emrin e ri për sfida të reja.
Sepse sfidat asnjëherë nuk mbarojnë. Ndërkohë që jeta e gjithsecilit është shumë e shkurtër për të mos e harxhuar për të fituar sfidat e përbashkëta.
Me mirënjohje i përulem të gjithë atyre që dhanë çka mundën, nga fshati më i largët deri në qendër të Tiranës, nga dita e parë e themelimit të PS deri ditën që po flasim që kjo familje e madhe politike të arrinte në këtë ditë.
Më besoni çdo ditë e mbarë për këtë familje është një ditë e mbarë për Shqipërinë tonë të dashur.
Faleminderit!
Redaksia Online