'Po bëhem copash përditë që mos të lë asnjë vetëm'! Rama: Të hënën nisin fluturimet për kthimin në atdhe të shqiptarëve (VIDEO)

TIRANË - Ashpërsohen masat kufizuese për të parandaluar përhapjen e koronavirusit. Nga dita e hënë nga shtëpia do të duhet të dalë vetëm një familjar dhe për këtë i duhet të marrë autorizim online përmes një aplikacioni, me email apo me mesazh në telefon. Ndërkohë nga ora 13:00 e së shtunës deri në 05:00 të mëngjesit të së hënës, ashtu siç ndodhi edhe javën e kaluar, do të jetë gjithçka mbyllur dhe nuk do të lejohet asnjë lëvizje, përveç efektivëve të policisë, bluzave të bardha, përfaqësuesve të mediave dhe mjeteve që transportojnë mallra.

Po ashtu, nga dita e hënë do të nisin fluturimet për riatdhesimin e shqiptarëve të mbetur jashtë atdheut. Kështu njoftoi kryeministri Edi Rama i cili siguroi se shtetasit që do të kthehen nuk do të paguajnë asnjë lek nga xhepi i tyre për udhëtimet. Nga zyra e tij në kryeministri, Rama tha se fluturimet do të bëhen me avionin "Lasgushi" të kompanisë "Air Albania".

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:18
Nga e hëna vetëm një familjar do dalë nga shtëpia për pazaret...por jo pa autorizim! Të dielën ASGJË hapur!

Kryeministri Edi Rama shtrëngon masat kufizuese ndaj situatës së koronavirusit, duke lejuar daljen nga shtëpia vetëm të një familjari për të bërë pazaret, edhe kjo përmes një autorizimi që do të merret me e-mail ose me telefon.

Kreu i qeverisë bën të ditur se njëjtë siç ndodhi edhe javën e kaluar, nga ora 13:00 e së shtunës, deri në 05: të mëngjesit të së hënës, askush nuk do të lejohet të dalë nga shtëpia, dhe nga ky orar, pra nga ora 13:00 e të shtunës dhe gjatë gjithë të dielës nuk do të jenë hapur as supermarketet dhe farmacitë.

"Gati aplikacioni online ose me sms për leje-daljen e vetëm një personi nga familja për të bërë pazar!

Njësoj si javën e shkuar, nga ora 13.00 nesër deri të hënën 05.00 të gjithë në shtëpi dhe të gjithë qepenat mbyllur!

Nga e hëna askush nuk del dot më në pazar, pa marrë lejen digjitale me e-mail ose telefon në emër të familjes

*Pas pak do të bëjmë prezantimin e aplikacionit që është shumë i thjeshtë dhe nga e hëna e deri në mbarim të luftës, do të jetë e vetmja rrugë për të dalë nga shtëpia në tiranë e në qendrat urbane", shkruan kryeministri Edi Rama.

Ora 12:11
LAJM I MIRË/ Të hënën nisin fluturimet për riatdhesimin e shqiptarëve të mbetur jashtë atdheut, si do të funksionojë (VIDEO)

Kryeministri Edi Rama dha lajmin e mirë se nga dita e hënë do të nisin fluturimet për riatdhesimin e shqiptarëve të mbetur jashtë atdheut, dhe se nuk do të paguhet asnjë lekë nga xhepi i tyre për udhëtimet. Kreu i qeverisë në një komunikim në Facebook, LIVE nga zyra e tij në kryeministri, tha se fluturimet do të bëhen me avionin "Lasgushi" të kompanisë "Air Albania", dhe se aktualisht ministrja Belinda Balluku është duke punuar për marrjen e lejeve të posaçme.

"Unë po bëhem e të gjithë ne po bëhemi katërmbëdhjetë copash përditë e përnatë, që të mos lëmë asnjë prej jush vetëm. As edhe një! Që nga familjet e individët që kanë nevojë për ndihmë imediate ushqimore, shëndetësore, lëvizjeje e me radhë, deri tek ata që nuk kthehen dot në shtëpi se kanë ngecur në vende të ndryshme të kontinentit. Për hir të së vërtetës shumë prej tyre kërkojnë vetëm të vijnë një orë e më parë në shtëpi dhe kanë shprehur gatishmërinë të paguajnë udhëtimin. Unë i falenderoj për këtë, sepse shoh ndërkohë plot të tjerë që rrinë mbyllur por e vrasin kohën brenda mureve, dukë bërë lloj - lloj komentesh të pa lëvdueshme nëpër rrjetet sociale, me qarje për popullin me demek, që po vdes për bukë, me ndihma që po vidhen, me kërkesa absurdë deri edhe për të mos paguar drita apo më tallje e fyerje për njerëzit në uniformë apo punonjësit social që po sakrifikojnë duke shkuar derë më derë për të shpërndarë ndihma.

Ne do të nisim dhe ky është një lajm i mirë për ta besoj, ditën e hënë fluturimet për t'i sjellë në atdhe. Nesër do të publikojmë besoj kalendarin e misioneve të riatdhesimit dhe pikat përkatëse ku do të bëjmë imbarkimin e personave të listuar tanimë. Këto misione do t'i kryejmë pa pagese nga ana e individëve dhe unë besoj se i takon Lasgushit t'i sjellë njerëzit tanë në shtëpi. Air Albania është kompania e flamurit kuqezi dhe në këtë hall të madh kombëtar, unë i kam kërkuar kompanisë të marrë përsipër barrën e të qenit shtëpia e shqiptarëve në qiejt e Europës, e të mos kërkojë lekë për të kryer këto misione humanitare. Jam i lumtur që gatishmëria e kompanisë ka qenë e menjëhershme dhe ndërkohë ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, ka punuar gjatë gjithë kësaj kohe e po punon për lejet speciale të këtyre fluturimeve charter.

Shpresoj miq, që ky mesazh të përcjellë tek ju edhe një të vërtetë të thjeshtë tek ju të gjithë. Unë nuk jap premtime pa u siguruar mirë që do të realizohen dhe ndërkohë që ju ankoheni e ankoheni, ne punojmë e punojmë për ta adresuar gjithë tërësinë e ankesave. Siç bëjmë më çdo ankesë legjitime. Ne nuk jemi një shtet i madh, ne nuk jemi as një shtet më fuqi të pakufishme, por ju siguroj se përkushtimin e kemi të madh dhe fuqinë për të luftuar për Shqipërinë e për shqiptarët e kemi të pakufishme. Do të luftojmë kështu, përditë, përnatë, deri në fund, duke besuar së ju do të bëni të gjithë luftën tuaj dhe duke shpresuar se do të na i bëni hallall vuajtjet e kësaj luftë, që nuk e sollëm në, po na gjeti të gjithëve bashkë dhe të gjithë bashkë duhet ta bëjmë e duhet ta fitojmë në fund fare. Nuk kemi rrugë tjetër!​", theksoi shefi i mazhorancës.

Rama tha se ka marrë jo pak mesazhe nga studentë, familjarë të ndarë nga kufiri i mbyllur, dhe tha se shumica e rasteve janë zgjidhur. "Por jemi plotësisht të vetëdijshëm për stresin që rritet përditë për njerëzit që kanë mbetur rrugëve Evropës", tha Rama.

Më herët Ministria e Jashtme ka deklaruar se sa i përket shqiptarëve të mbetur jashtë atdheut, dhe që nuk mund të kthehen dot për shkak të bllokimit të kufijve nisur nga situata me koronavirusin, është arritur dakordësia me një numër të madh shtetesh për të toleruar afatet e qëndrimit 90 ditor, ndërsa po negociohet edhe me disa vende të tjera.

Grupi më i madh është në Itali, 650 persona, në Britaninë e Madhe 114 persona, në Kroaci 341 persona, në Zvicër 77, në Greqi 45, Gjermani 35, Francë 37, Austri 19, Suedi 21 dhe pastaj në një sërë vendesh të tjera ka nga një, dy deri në 10 a 12 persona.

G.M./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Iris: 27/03/2020 23:34

    Z.Rama farmacite nuk duhen te mbyllen kurre ,dhe vec kesaj mjaft dole prane portretit te I.Qemalit se dukesh sikur ke krize identiteti e nuk e njeh vetveten e do te identifikohesh me nje tjeter.Ti je ai qe je.

    Përgjigju
  • Koli: 27/03/2020 18:12

    Te shpresojme. Por problemi eshte qe nr e emergjences nuk pergjigjen...ne email jo e jo. Prandaj nuk po e kuptojme si do organizohemi ?? Dikush nga ju gazetaret duhet te na japi ze ne keto dite te veshtira. Sepse zeri yn nuk vjen dot deri tek autoritetet. Nr e Italise nuk pergjigjen.

    Përgjigju
  • Toni Tirane: 27/03/2020 13:18

    Pune te mbare

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

‘Në Librari’ me 3 tituj në rinj: ‘Lufta e fshehtë në Shqipëri’, ‘Jeta e shkurtër e Lukas Santanës’ e ‘20 mjeshtrit e hershëm shqiptarë’! ‘Tektonika e Shpirtit’ te Melodia e Vargut

‘Në Librari’ me 3 tituj në rinj: ‘Lufta e fshehtë në Shqipëri’, ‘Jeta e shkurtër e Lukas Santanës’ e ‘20 mjeshtrit e hershëm shqiptarë’! ‘Tektonika e Shpirtit’ te Melodia e Vargut