Rama konferencë me Conten: Miqësi e shkëlqyer me Italinë! Meritojmë negociatat pa kushte

Kryeministri shqiptar vlerësoi miqësinë me Italinë dhe e vendosi theksin te hapja e negociatave me Bashkimin Europian. "Ishte një moment i rëndësishëm ky i ditës së sotme, ku Kryeministri i Italisë mik, erdhi në Tiranë, pavarësisht një momenti të ngarkuar punësh në Romë dhe mbledhjes së qeverisë në fund të ditës së sotme, për të dëshmuar një miqësi tradicionale dhe njëkohësisht, një vullnet për të thelluar bashkëpunimin e shkëlqyer mes të dy vendeve, ku padiskutim ka një potencial shumë të madh për të bërë shumë më tepër akoma.

Vizita  e Kryeministrit Conte në Tiranë, sot, është edhe në kuadrin e një jave shumë të rëndësishme për Bashkimin Europian dhe për Shqipërinë, në vigjilje të një takimi të BE-së , ku ndër të tjera do të diskutohet edhe vendimi për çeljen e negociatave për anëtarësim për Shqipërinë dhe për Maqedoninë e Veriut.

E në këtë aspekt, unë dua ta falënderoj Kryeministrin, ta falënderoj qeverinë italiane, që në koherencë të plotë me gjithë vijën e politikës së jashtme italiane, por edhe në një shprehje kuptimplotë të vullnetit të mirë, nuk është lëkundur për asnjë moment në mbështetjen e Shqipërisë, të Maqedonisë së Veriut dhe të gjithë rajonit  në perspektiven e integrimit europian.

Unë besoj, - ja përcolla këtë edhe Kryeministrit, - se përtej faktit që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut i kanë kryer detyrat e tyre të shtëpisë dhe meritojnë çeljen e negociatave pa kushte, përtej faktit që në proces ka shumë më tepër sesa thjeshtë çfarë kemi bërë ne, apo çfarë  ka bërë Maqedonia e Veriut, është me rëndësi strategjike që përfundimi i këtij procesi të shikohet jo vetëm me sytë e interesave të përveçme kombëtare, por edhe me sytë e interesit të përbashkët, sepse është sa në interesin tonë, aq edhe në interesin e vetë BE-së, që ky proces të shkojë përpara.

Ne nuk jemi në këtë proces se na e kërkon Brukseli, se na e kërkon Berlini, apo na e kërkon Parisi dhe e gjithë BE-ja, por jemi në këtë proces, sepse e kërkon e ardhmja dhe se përmes këtij procesi ndërtojmë një Shqipëri europiane, me një shtet të së drejtës, me institucione funksionale, me një demokraci të zhvilluar.

E së fundmi, prekëm me Kryeministrin, natyrisht aspektin e marrëdhënieve bilaterale. Në të gjitha planet, marrëdhëniet janë pa asnjë shqetësim, por mbetet sfida e thellimit të tyre, sidomos në aspektin e bashkëpunimit ekonomik. E sëbashku qasëm edhe faktin se procesi i reformës në drejtësi, procesi i integrimit në tërësi përbën një shtyllë të fortë mbështetëse për rritjen e këtij bashkëpunimi ekonomik.

Dua ta falënderoj edhe njëherë Kryeministrin dhe pa u zgjatur, - mua këtu më keni, - besoj se është më e arsyeshme që t’i lëmë Kryeministrit kohën për të komunikuar me ju dhe me opinionin tonë publik, lidhur me këtë moment kaq të rëndësishëm në marrëdhëniet bilaterale dhe në marrëdhëniet mes nesh dhe Bashkimit Europian" tha Rama.


Lajmi kryesor:

Conte: Italia do të luftojë për hapjen e negociatave, qeveria të propozojë platformë për dialog me opozitën (Video)


/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen