Kryeministri Edi Rama u ka bërë kritika kryebashkiakëve, në takimin e zhvilluar në Golem.
Rama u shpreh se bashkitë duhet të kalojnë në një fazë tjetër dhe ta shohin territorin me një qasje sipërmarrëse.
Sipas kreut të qeverisë, bashkitë presin fonde nga buxheti i shtetit dhe kjo nuk mund të vazhdojë.
"Deri dje kemi dhënë shumë asete falas. Janë dhënë dhe janë lënë rrugëve në të shkuarën asete që nuk numërohen. Janë dhënë dhe janë lënë në duar të pasigurta plot prona shtetërore, të cilat nuk janë përkthyer në investime serioze dhe në të ardhura për ekonominë tonë dhe në rritje të punësimit, etj, etj. Janë dhënë një pafundësi tokash për zhvillim dhe kjo gjë ka ndaluar përfundimisht. Ne për shembull nuk i japim më asnjë metër katror tokë në rast se një ndërtues gjendet në kushtet kur ka 95 % të pronës, dhe 5 % ose 1 %, ose 0.5% s’ka rëndësi sa është, është pronë shtetërore dhe normalisht në të shkuarën menjëherë ndërtuesi paguante me çmim reference, merrte tokën. Nuk ka më, për çdo metër katror tokë, ku nuk ka pronarë dhe pronarë është shteti, ne kemi kushtëzuar pjesëmarrjen si pronarë për të marrë mbrapsht njësoj si pronarët atë që i takon shtetit
I vetmi motiv për të dhënë tokë me një kontratë simbolike, që është kontrata 1 euro, i vetmi motiv është hoteleria. Pra, në rast se ka dikush një pronë shtet, pronë private dhe një pjesë është shtet, ose në raste se në një zhvillim të caktuar ka një resort turistik dhe aty ka një pjesë shtetërore, nuk bën vaki më që pjesa shtetërore të jepet për vila, e të jepet për pishina, e të jepet për këto historia, po vetëm për hoteleri, asgjë tjetër. Çdo gjë tjetër është merr pjesën që kërkon dhe paguaj, kokërr më kokërr, atë që ia paguan edhe privatit. Në këtë drejtim bashkitë mund të marrin një rol të rëndësishëm, në bashkëpunim me AIC-në mund të bëjnë projekte dhe mund të bëjnë zhvillime të jashtëzakonshme me përfitim. Përftim që shkon nga ndërtimi i aseteve publike, do të thotë zyra, që do të thotë shkolla, kopshtet, çerdhe e tjera e tjerë, deri tek përfitimi i të ardhurave të drejtpërdrejta, pa harruar dhe përfitimin për qëllim social të atyre familjeve që kanë nevojë për strehim.
Kështu që ne po bëjmë një reformë dhe do të kemi së shpejti një agjenci ku planifikimi, zhvillimi dhe strehimi do të jenë bashkë dhe kjo agjenci do të jetë në dispozicion të pushtetit vendor, së bashku me AIC-në dhe natyrisht nën lidershipin e Ministrisë së Ekonomisë ky proces do të jetë i hapur për të gjithë, por duhet një qasje kreative, proaktive, agresive, vullnet plotë e juaja, duhet iniciativë, duhet parë çdo pjesë e territorit me një qasje sipërmarrëse. Çfarë mund të nxjerr unë nga kjo pjesë e territorit për të ardhurat e bashkisë, me të cilat pastaj të bëjmë punë publike, të bëjmë më shumë shërbime publike. Nuk mundet dot të rrini dhe të prisni vetëm nga buxheti i shtetit dhe të prisni vetëm nga tarifat dhe nga qirat. Nuk mundet dot. Duhet të kaloni në një fazë tjetër, sidomos disa bashki që i kanë të gjitha mundësitë, kërkesat potencialet, por edhe bashkitë më të vogla mund dhe duhet ta bëjnë këtë gjë.", theksoi ai.
Lajmi kryesor:
Përmbytjet, Rama me kryebashkiakët në Golem: Task Forcë kundër ndotjes plastike! Flotë e dedikuar për pastrimin e kanaleve kulluese, fondi 20 mln euro











