Ai ka falenderuar USAID, Universitetin e Nebraskës, për masterat amerikanë dhe përvojën amerikane në Fakultetin e Ekonimik. "Më tepër se gjysma e stafit pedagogjik ka pasur fatin të trajnohet në SHBA për mbi 3 muaj secili. Por dhe përvojë gjermane nga Universiteti i Bambergut", theksoi Kule, duke shtuar se "ne kemi përkthyer dhe botuar tekstet më të mira botërore që i duhen Ekonomikut".
Ndërsa Kryeministri Edi Rama pasi evidentoi para të rinjve se "jetoni në një vend ku vështirë të ruash ëndrrat dhe shpresat", ka shtuar se në fjalën e tij se "ju mund të bëni më shumë për vendin se sa vendi për ju".
Rama e quajti sfidën ekonomike para së cilës gjendet Shqipëria si sfidë adaptive e llojit të veçantë, që duhet ta çojmë përpara së bashku, duke e menaxhuar krizën jo si fatkeqësi që na ka rënë kokë, por si mundësi për të nxjerrë nga vetja më të mirën" dhe "duke e bërë profesionistin më të rëndësishëm se kryeministri". Sipas Ramës, "buxheti nuk do jetë aq bujar".
KULE: FALENDEROJMË KRYEMINISTRIN QË NA PRISHI GODINËN TE KAMPUSI
Kule ka falenderuar Kryeministrin Rama për heqjen e ndërtesës së paligjshme, ku është dhënë leja për kampusin e UT dhe ka kërkuar ngritjen e Kampusit. "Do ta vlerësoja për mundësitë që do ketë qeveria bashkë me mundësitë financiare të universitetit, që të fillojë ngritjen e këtij kampusi, që do t’i japë zgjidhej përfundimtare problemit të arsimit të lartë për sa i përket elementit infrastrukturor", i kërkoi kryeministrit Rama rektori Kule.
RAMA: JETONI NË NJË VEND KU S'ËSHTË E LEHTË T'I RUASH ËNDRRAT"
Pasi ka bërë një shaka me kapelen që vihet gjatë diplomimit, kryeministri ka thënë se "nuk e vuri kapelen se s’i bën" dhe se "ka pasur problem me kapelet që nga zbori".
"Është surprizë e bukur për mua, që më bëtë nderin me këtë ftesë. Në ditën që kurorëzoni një ëndërr të parë te jetës së suaj, ëndërr edhe e prindërve, që akoma mbi kokë i keni. Është fillimi për ju i një rruge me shumë ëndrra, shpresa, dëshira. Jetoni në një vend ku s’është e lehtë t’i ruash ëndrrat të paprekura dhe të mbash shpresat e ndezura. Do doja t’u flisja shumë se për sa shumë mundësi ju ofron Shqipëria nesër, kur do të nisni pjesën tjetër të rrugës suaj, por është më reale dhe e ndershme se çfarë mundësish mund të krijojmë së bashku për Shqipërinë", u shpreh Rama.
RAMA: JU MUND TË BËNI MË SHUMË PËR VENDIN SE SA VENDI PËR JU
"Jemi në një moment kur ju mund të bëni më shumë për vendin se sa vendi për ju. Falë jush vendi do jetë në gjendje të bëjë më shumë për ata që do vijnëe pas jush në këtë universitet. Ndihem shumë i privilegjuar për faktin se sot nuk jam përpara thjesht një grupi studentësh që diplomohen, por para studentëve të Ekonomikut, me të cilët lidhet një pjesë e mirë e pyetjeve që kërkojnë përgjigje në rrugën e vështirë, por të domosdoshme të zhvillimit ekonomik të vendit. Do ishte më mirë sikur t’u thosha, që situata ekonomike është shumë e mirë, tregu është gati për t’u përqafuar dhe akomoduar në një vend pune. E gjitha kjo është pak më e ngatërruar se kaq. Dimë se për ta bërë më të lehtë do të duhet në fillim më shumë punë dhe mund", vijoi Rama.
RAMA: MARRJA NË PUNË ME LEKË TË NDRYSHOJË NJË ORË E MË PARË
"Ne do bëjmë çmos që realiteti i marrjes në punë me lekë dhe jo sipas meritës të ndryshojë një orë e më parë. Unë jam i bindur që shumë nga ju të kenë një vend në sektorin publik falë dijes dhe meritës së tyre. Sfida për të gjeneruar vende të reja pune përtej fenomenti të së shkuarës është më e vështirë se kaq. Ekonomia është në një nga momentet më të vështira për arsye jo ato të viteve më parë, por njësoj si vite më parë na duhet të bëjmë një kapërcim të ri. Dita e diplomimit tuaj është diçka shumë e mirë për vendin. Sikurse është ogur i mirë për vendin, sepse ndër ju ka jo pak që mbarojnë me rezultate të shkëlqyera edhe me medalje ari dhe atyre dua t’u përulem me shumë respekt".
RAMA: SHQIPËRIA, PËRBALLË NJË KRIZE ADAPTIVE
"Çdo krizë është edhe një mundësi. Në çdo krizë ka gjithmonë edhe një rrugë tjetër përveç thellimit të krizës, ajo e kapërcimit të krizës, duke përfituar nga vetë kriza. Kjo është sifda jonë dhe jam i bindur, që në kapërcimin e kësaj krize ju jeni një vlerë e shtuar dhe aset i çmuar. Nëse të marrurit me politikë për ditë nuk të mban çdo ditë të freskët dhe të gatshëm për të folur në raste kaq të veçenta si ky, u mundova të pyes dy-tri njerëz që të thosha diçka të veçantë për ju. Dikush më tha të thoja fjalët e një profesori të Harvardit, i cili është edhe miku im: përballë krizave ka sfida teknike dhe sfida adaptive. Problemet që mund t'i zgjidhim përmes dijeve të ekspertëve janë sfida teknike. Probleme që duan më shumë se ekspertiza teknike, adaptive. Kjo është qasje ndriçuese, sepse momenti na përball me sfidë adaptive, që t’i përgjigjemi disa pyetjeve thelbësore mbi ekonominë, llojin e sipërmarrjes, çfarë presim nga shteti, mbi kulturën e punës, e parbashkëta, nga ku secili kërkon të përveçmen. Ne sot jemi shumë të vendosur ta trajtojmë me gjithë përgjegjësinë që na ngarkon e ardhmja. Kriza e borxhit hyn tek sfidat adaptive, nuk është thjesht teknike, aq sa na imponon krijimin e një raporti të ri mes të tashmes dhe të ardhmes, se çdo borxh është mënyrë se si huazojmë nga e ardhmja për të tashmen, duke i lënë të ardhmes një faturë që e tashmja e ka të vështirë ta përballojë".
RAMA: KRIZA JO FATKEQËSI, POR QË TË NXJERRIM MË TË MIRËN, BUXHETI JO BUJAR
"Ky moment kërkon sakrifica. Buxheti i vitit tjetër nuk do jetë shumë bujar në kuptimin teknik, por duhet të jetë një moment, mjet për të ndryshuar modelin ekonomik dhe financiar, por për të filluar përballjen me një sfidë adaptive. Për sa i përket modelit që na duhet, më lejoni të them dy gjëra që kanë lidhje me arsimin dhe ekonominë. Është e padyshimtë se arsimimi i brezit të ri është politika më e mirë e zhvillimit ekonomik. Ne duhet dhe do bëjmë çmos mos i largojmë sytë nga kjo politikë e zhvillimit, që i flet të ardhmes, pavarësisht se duhet të merremi me shtrëngesat që e shkuara i imponon të tashmes. Çlirimi i burimeve njerëzore, element kyç i një modeli ekonomik që garanton impakt social. Model që krijon hapësira të reja. Kjo është rruga e një Shqipërie me punësim të lartë. Sfidë adaptive e llojit të veçantë, që duhet ta çojmë përpara së bashku, duke e menaxhuar krizën jo si fatkeqësi që na ka rënë kokë, por si mundësi për të nxjerrë nga vetja më të mirën, për të bërë atë që veçanërisht për brezin tuaj është e domosdoshme; krijimin e mundësisë për të jetuar me dinjitet përmes një pune të ndershme", theksoi Rama.
RAMA: TË BËJMË PROFESIONISTIN MË TË RËNDËSISHËM SE SA KRYEMINISTRI
"Ndryshimi që duhet të presim në përballje me këtë sfidë nuk është rezultat, por proces. Duke bashkërenduar forcat, që të kalojmë nga një fazë fëminore e ekonomisë, në një fazë ku ekonomia është prodhuese, shteti është i përgjegjshëm, shoqëria është solidare brenda vetes, por dhe me brezat që vijnë. Për një vend është shumë më i rëndësishëm profesionisti se kryeministri. Që vendi të shkojë në rrugën e duhur nuk mjafton të ketë një kryeministër, por duhet të ketë profesionistin më të rëndësishëm se kryeministri. Ju uroj çdo të mirë megjithë zemër në emër të gjithë mundit që keni bërë, në emrin e gjithë atyre që janë atje lart, prindërve tuaj, që kanë bërë gjithçka që ju të jeni sot këtu. Ejani ta bëjmë së bashku Shqipërinë një vend ku të jetë më i rëndësishëm profesionisti se kryeministri!"
Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)