Rama: Kur të votoni merrni dhe një
tjetër dhe kështu Saliu s' vjedh dot

Rama: Kur të votoni merrni dhe një<br />
tjetër dhe kështu Saliu s' vjedh dot
ELBASAN -    Kryetari i PS-së udhëtoi sot drejt fshatrave të Elbasanit ku ngriti "këndin e fjalës" fillimisht në Belsh dhe më pas në fshatin Tregan. Në këtë fshat Rama u ndesh disa herë me frikën e votuesve për vjedhjen e votës dhe Rama iu përgjigj duke i thënë të marrin një person tjetër me vete, në këtë mënyrë blindohet vota.  Banorëve të Belshit kreu i PS-së u premtoi se  do ta shkallmojë monopolin e duhanit që qeveria ka vënë aty dhe do të zhvillojë bujqësinë, për të zhdukur zymtësinë dhe rrënimin, që u rri si re e zezë mbi kokë, belshiotëve.

SI TE BLINDOJME VOTEN
“Ne ta japim votën ty, por kujdes se do të vjedhin votën” i tha një banor, dhe përgjigjja e Ramës është: "Mjafton që secili çdonjeri që e ka vendosur të votojë për PS-në kur të shkojë në kutinë e votimit mos të shkojë vetëm, por të marrë me vete edhe një tjetër që nuk ka votuar herën e kaluar, dhe pastaj Saliu le të vjedhë gjithë ditën, nuk ka çfarë t’i bëjë fitores tonë. Mjafton që secili të marrë dhe një tjetër me vete, një të shtëpisë, një nga këta me xhel që çohen vonë, thonë prit njehëre të më dalë gjumi, pastaj dua të ha drekë, pastaj flenë gjumë në drekë, pastaj në fund fare kur kujtohen këta është mbyllur qendra e votimit, ose një komshi, ose një shok klase, ose një shok pune, ose një shok të papunë një njeri që nuk ka votuar herën e kaluar dhe kështu e blindoni komplet votën tuaj."
 
MBESHTETJA PER FERMERET
Rama njohu fshatarët dhe me programin e saj në mbështetje të fermerëve. “Ne do ta bëjmë shtetin aleatin dhe partnerin e fermerit, pasi kemi masa konkrete për të ulur kostot e prodhimit, për heqjen e akcizës së naftës dhe taksës së qarkullimit të saj” tha Rama.
Rama shtoi se programi socialist për fshatin, garanton 160 mln $ që do shkojnë për ujitjen dhe për kullimin e tokës”. Ai premtoi se do bëjë zero taksën 20%, tatim mbi vlerën e shtuar për plehrat kimike, si dhe përgjysmim të kësaj takse për farërat dhe fidanët.     

BELSH, DO SHKALLMOJME MONOPOLIN E DUHANIT
Kryetari i PS-së, Edi Rama, iu ka premtuar sot banorëve të Belshit se PS-ja do ta shkallmojë monopolin e duhanit që qeveria ka vënë aty dhe do të zhvillojë bujqësinë, për të zhdukur zymtësinë dhe rrënimin, që u rri si re e zezë mbi kokë, belshiotëve. "Sot ju rri si një re e zezë mbi kokë, një monopol mbi duhanin. Një monopol që ne do ta shkallmojmë, siç do të shkallmojmë të gjitha monopolet në Shqipëri për t’i hapur rrugë konkurrencës së lirë", - theksoi ai". 

Kur po vinim rrugës mu kujtua që kemi ardhur edhe në zgjedhjet e vitit 2009 dhe në zgjedhjet e vitit 2011 dhe kemi folur, pikërisht, këtu në këtë pozicion", - tha Rama. - " Ajo që më ra në sy është që, sot, pas katër vjetësh ka shumë më shumë gropa në këtë rrugë. Ka shumë më shumë zymti në këtë vend ku ka mbetur vetëm shpirti i mirë i njerëzve të mirë, po ku asgjë tjetër përveç rrënimit nuk të zënë sytë. Asnjë ndryshim për mirë! Asgjë që mund të shohësh dhe të thuash qenka bërë kjo në këto katër vite. Rrënim nga të katërt anët! Gropa dhe braktisje! Ky është realiteti. Kjo është, fatkeqësisht, historia e këtyre viteve, ku qeveria thotë kemi bërë rrugë dhe Saliu thotë shikojeni buxhetin sa shumë para kemi shpenzuar për rrugë.

E pra, këtu fillon dhe arsyeja për ta ndëshkuar këtë qeveri, sepse është e vërtetë, kanë shpenzuar shumë më shumë para sesa ç’tregojnë rrugët e Shqipërisë. Sesa ç’tregojnë edhe rrugët që kanë filluar t’i ndërtojnë dhe i kanë lënë përgjysmë dhe po ju shkatërrohen. Edhe rrugët kanë mbetur rrugëve, përveç popullit që ka mbetur në mes të rrugës dhe që më 23 qershor do t’i japi drejtim vetes dhe vendit.

Unë jam shumë krenar që bashkë me Benin dhe me Qazimin kemi ardhur këtu për të folur me ju duke pasur privilegjin e madh që në emër të PS të mbështesim me gjithë zemër një njeri, një mik, një socialist 24 karatësh, por edhe një deputet të përkushtuar ndaj njerëzve dhe për njerëzit, si Musa Ulqinin, bashkë me dy njerëz që i kemi zgjedhur këtu midis jush, si Mediu dhe Altini. Dy njerëz të cilët e plotësojnë më së miri këtë skuadër të vogël të Belshit dhe Dumresë brenda skuadrës së Rilindjes së Elbasanit, që ju siguroj do të jetë kontributore e shkëlqyer e në fitoren e Partisë Socialiste në 23 qershor.

Dua t’ju bëj edhe një rrëfim të vogël. Për të sjellë Musain këtu në Belsh dhe në Dumre na është dashur në një farë mënyrë të marrim përsipër edhe zemërimin e shumë socialistëve në Tiranë që e donin Musain aty. Socialistëve në Tiranë, që e donin Musain aty, sepse me Musain, në të shkuarën kanë pasur provën e të qenit bashkë çdo ditë me një njeri që i ka përfaqësuar në parlament me dinjitet, por mbi të gjitha që vendin e vet të përditshëm nuk e ka pasur në karrigen e parlamentit, por në komunitet mes njerëzve. Në shtëpi aty ku janë hallet dhe problemet për t’u zgjidhur. Në spital, aty ku duhet solidaritet për ata që janë në nevojë. Në zyra, ku duhet mbështetje për ata që nuk marrin përgjigjen. Ne jemi të sigurt që me Musain deputet këtu ju keni fituar një fuqi të madhe më shumë.

Ne nesër në qeveri do kemi një “dhimbje koke” më shumë miqtë e mi, sepse jemi të bindur që Musai nuk do të na ndahet për të realizuar të gjitha zotimet e veta këtu në funksion të programit të PS, por edhe për t’ju mbështetur të gjithëve ju për problemet tuaja, në familje, në biznesin tuaj të vogël, apo atje në fushë. Atje në fushë, ku sot ju rri si një re e zezë mbi kokë, një monopol mbi duhanin. Një monopol që ne do ta shkallmojmë, siç do të shkallmojmë të gjitha monopolet në Shqipëri për t’i hapur rrugë konkurrencës së lirë dhe për t’i dhënë mundësinë çdo njeriu të zakonshëm që me talentin dhe vullnetin e vet të bëhet sipërmarrës i suksesshëm, pa gjetur përpara muret e monopoleve dhe barrikadat e klientëve të pushtetit.

Ne kemi një program, që është në radhë të parë programi i Rilindjes së fshatit. Sepse ne besojmë që nga rilindja e fshatit, nga rritja e prodhimit të tokës fillon mirëqenia për fshatin, por siguron dhe mirëqenien për qytetin", - përfundoi Rama.

Kreu i opozitës do të takohet sot edhe me banorët e Elbasanit, Cerrikut, Treganit dhe Bradasheshit, duke i konsideruar ata në Fb "si stacionet e ditës së sotme në rrugën e fitores. Rilindje për qarkun me papunësi të madhe", - nënvizon ai.

Redaksia online
(ar.sh/s.g/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Netanyahu do të apelojë urdhrin e arrestit të lëshuar nga GJPN

Netanyahu do të apelojë urdhrin e arrestit të lëshuar nga GJPN