TIRANË- Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se "procesi i legalizimit falas është prioritet i qeverisë".
I pranishëm të enjten në mbrëmje në takimin "ALUIZNI shkon te qytetari", që u zhvillua në mjediset e Akademisë së Arteve në Tiranë, kryeministri Rama tha se "kemi marrë përsipër të kryejmë legalizimet falas, si një proces që do të fomalizojë infrastrukturën urbane dhe do t'i japë fund ndërtimeve të paligjshme".
"Gjatë këtyre viteve shumë leje legalizimi nuk ishin gati, ndaj kemi marrë përsipër ta mbyllim këtë proces", u shpreh Kryeministri Rama, ndërsa shtoi se, legalizimi do t'i japë siguri mijëra familjeve që presin të finalizojnë investimet e tyre. Kryeministri vuri theksin dhe një herë gjatë fjalës së tij, se legalizimi është një proces falas për shtëpitë, ndërsa bëri të ditur se nuk do të legalizohet asnjë ndërtesë e ngritur për qëllime fitimi, buzë rrugës, në mes të lagjeve, buzë detit, liqenit, në parqe arkeologjike, dhe që dëmton interesat e komunitetit . "Me legalizimin falas do të mbyllet njëherë e mirë kapitulli i ndërtimeve pa leje", tha kryeministri Rama.
"Pavarësisht se çfarë thonë cinikët, ky proces do të jetë falas. Jo vetëm legalizimi është falas por është një proces që e bën shteti. Qytetari rri në shtëpi, ALUIZNI shkon tek dera e tij", tha Kryeministri Rama, ndërsa nënvizoi se pagesa është për të mbyllur konfliktin potencial të shtëpisë së legalizuar dhe trashëgimtarëve të pronës.
"Do legalizojmë shtëpitë, ngrehinat e sakrificës dhe mundit të familjeve që kanë lëvizur në drejtim të qyteteve të mëdha. Nuk ka proces legalizimi për ata që kanë zënë trotuaret, zaptuesit për qëllime përfitimi nuk mund të bëhen pronarë të buzës së liqenit, rërës, detit, zonave arkeologjike", tha Kryeministri . Me legalizimin falas, sipas kreut të qeverisë, do të mbyllet njëherë e mirë kapitulli i ndërtimeve pa leje. Ndërsa ky proces ka dy aspekte, ai i formalizimit dhe i dhënies fund të abuzimit dhe ndërtimit pa leje", tha Rama.
Rama e quajti fatkeqësi kombëtare që në 8 vitet e shkuara janë legalizuar vetëm 21 mijë e 700 objekte dhe ato, kryesisht për qëllime fitimi. Ai premtoi më tej se deri në prill të vitit tjetër do të legalizohen 25 mijë ndërtesa. "Faktikisht, është e habitshme si në 8 vitet e shkuara u legalizuan në tërësi vetëm 21 mijë e 700 objekte, kjo një fatkeqësi kombëtare që pjesa dërrmuese e tyre nuk ishin shtëpitë e njerëzve në hall e nevojë në të drejtë për ta marrë dokumentin, por ishin ndërtimet më problematike më dëmtuese dhe të legalizuara për qëllime fitimi, lokale, motele, hotele mu në buzë të detit, liqenit, mu në mes të lagjeve, që s'kanë asgjë të përbashkët me arsyet pse politika ndërmerr një nismë. Fatura financiare e këtyre legalizimeve po paguhet nga ne. Duhet t'i shpronësojmë si të ishin shtëpi e prona të trashëguara, jo si frut i korrupsionit", tha kryeministri. /ATSH/