Kryeministri Edi Rama vlerësoi se është marrëveshja më e mirë dhe nuk ka më rritje taksash.
“Me FMN bëmë marrëveshjen më të mirë që mund të ketë Shqipëria. Është në grupin shumë të vogël të marrëveshjeve të FMN. Janë marrëveshje antishtrëngim dhe fleksibël për rritje dhe këtë e kemi marrë me angazhim për reforma. Nuk ka rritje taksash apo ngrirje rrogash. Çfarë taskash janë rritur, janë rritur. E kemi marrë për një marrëveshje në këmbim që të angazhohemi për reformën”, tha Rama.
Sipas tij, qeveria ka negociuar për disa javë për të arritur këtë marrëveshje. “Kemi negociuar 1 muaj resht. Kemi marrë përsipër për të marrë reformën e pensioneve, që askush se ka marrë përsipër për 20 vjet dhe kemi të bëjmë me një deficit të përvitshëm”, tha kryeministri në Kuvend.
“Po bëjmë një reformë moderne. FMN nuk është Sudja. Do sjellë një rritje graduale të moshës shumë të projektuar dhe që u takon atyre të moshës 40 vjeçare dhe jo ata që dalin sot në pension”, deklaroi kryeministri Edi Rama në sallën e Kuvendit.
BRAÇE
Ndërkaq, kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Erion Braçe, tha se kjo është çështja më e rëndësishme nga pikëpamja ekonomike që do të diskutojmë përgjatë muajit prill, konkretisht bëhet fjalë për huanë në vlerën 330.9 milionë euro që merret në kuadrin e marrëveshjes që qeveria ka firmosur me
FMN-në.
Braçe kërkoi që ky projektligj të diskutohet dhe të marrë kohën e mjaftueshme edhe në komisionet parlamentare për të shmangur akuzat e opozitës lidhur me marrëveshjen. “Është borxh publik me një adresim të qartë edhe në këtë marrëveshje, bëhet fjalë për borxhin që kemi miratuar me ligjin e buxhetit të shtetit që ish-kryeministri i ka dhjetëra sipërmarrjeve private në këtë vend. Para që ua ka marë për të financuar fushatën elektorale dhe jo për të ndërtuar vepra në infrastrukturë”, deklaroi Braçe.
Sipas tij, bëhet fjalë për paratë që ish-kryeministri i përdori për këto qellime duke i marrë borxh tek sipërmarrësit e duke i futur ato në një zinxhir tjetër huamarrjeje përkundrejt bankave private e duke i krijuar Shqipërisë një dëm kolosal. “Berisha kur të ngrihet në Kuvend , të flasë për paratë që ai dhe familja e tij u ka marrë sipërmarrësve private, si 10 %, shpeshherë edhe 15-20 %”, tha Braçe.
Sipas Braçes, bëhet fjalë edhe për ato para që ish-kryeminsitri Berisha dhe familja e tij u ka mbajt sipërmarrjes si rimbursim i Tatimit mbi Vlerën e Shtuar . Këto, sipas Braçes, janë para që do të shlyehen përmes kësaj huaje.
Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)