Rama tha se socialistët po zhvillojnë një tryezë në Durrës në lidhje me “turizmin e të nesërmes”. Ai ironizoi Ministrinë e Turizmit në faqen online të së cilës “Tirana u shfaqet të huajve me foton e një arre të emërtuar në një anglishte fantastike: Baba Nuts Myslimi”. “Në gusht-shtator 1944, në kulm të luftës, Shqipëria kishte reviztë zyrtare për turizmin. Sot nuk ka, por ka një ministri me një website qesharak”, shtoi lideri socialist.
Rama vazhdoi më tej me krahasimet me të kaluarën: “Në vitet 30 edhe në Theth kishte zyrë turizmi, sot nuk ka as mjek për 15 mijë vizitorë që shkojnë në Theth falë vetorganizimit të mikpritësve”.
Sipas kreut të PS, “politika jonë e re turistike do të ndërtohet duke mos e marrë parasysh kufirin e Shqipërisë me Kosovën. Kështu do kemi ofertë për 12 muaj. Shqipëria ka 1000 vendndodhje të trashëgimisë kulturore, shtuar ato të Kosovës të dy shtetet mund të fitojnë shumë me politikë të përbashkët”.
Në foto: Arra e Babë Myslymit, përkthyer automatikisht në anglisht, del "Baba nuts Myslymit". Prova që Ministria e Turizmit nuk ka një version të faqes në anglisht por e përkthen atë nëpërmjet Google Translate!
(im/shqiptarja.com)