TIRANE- Sapo është kthyer nga Samiti i Uellsit kryeministri Edi Rama ka nisur kontaktet për të diskutuar mbi situatën e re të krijuar me arrestimin e mbrëmshëm të Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani. Mëngjesin e sotëm, kreu i qeverisë ka zhvilluar një takim me Kryetarin e Kuvendit, Ilir Meta, duke pasuar më tej me një sërë telefonatash me partnerë e ekspertë ndërkombëtarë.
 
Ndërkaq, kryeministri Rama ka zhvilluar një takim edhe me përfaqësues të FMN-së.
 
Kryeministri shpreh mbështetjen e qeverisë që drejtësia të çojë deri në fund punën e nisur, ndërsa thekson rëndësinë e marrjes së masave që kjo situatë të mos përsëritet.
 
“Mbështetja për prokurorinë e drejtësinë për të kryer deri në fund punën e nisur dhe garantimi i pavarësisë së Bankës së Shqipërisë për ta kapërcyer situatën me autoritet të plotë moral e profesional, duhet e do të jenë dy pika të palëvizshme referimi për qeverinë në trajtimin e këtij problemi madhor. Kryeministri e Qeveria, në bashkëpunim të ngushtë me Kuvendin e Shqipërisë, do të ndërmarrin me përgjegjshmëri të lartë morale e përgjegjësi të plotë ligjore, të gjithë hapat e nevojshëm që Banka e Shqipërisë të dalë më e fortë moralisht, më e sigurt institucionalisht, më transparente administrativisht dhe padyshim plotësisht e pavarur, nga një situatë si kjo që nuk duhet të përsëritet më kurrë në të ardhmen”, thuhet në deklaratën e kryeministrisë.
 
Ndërkaq, kreu i qeverisë ka shprehur mbështetje edhe për teknicienët e Bankës së Shqipërisë, duke theksuar rëndësinë e punës së tyre në qëndrueshmërinë e këtij institucioni.
 
“Kryeministri Edi Rama dëshiron t'i shprehë respektin e mbështetjen e Qeverisë të gjithë teknicienëve të Bankës së Shqipërisë, aftësitë e spikatura dhe puna e përkushtuar e të cilëve, janë një bazë shumë e sigurt për qëndrueshmërinë e padiskutueshme të institucionit, pavarësisht situatës së krijuar në majën e drejtimit të tij", vijon më tej deklarata.

Ndërkaq, në deklaratën e kryeministrisë theksohet se kontaktet e Kryeministrit Rama do të vazhdojnë.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)