Rama: Mbi 300.000 bebe te lindura
jashte vendit. Ne nuk dime ku janë

Rama: Mbi 300.000 bebe te lindura<br />jashte vendit. Ne nuk dime ku janë
SARANDE - 300 mijë fëmijë shqiptar kanë lindur jashtë vendit nga viti 1990 e deri më sot. Shifra është bërë publike nga kryeministri, Edi Rama, gjatë fjalës së tij në kuadër të një aktiviteti në Sarandë. Shefi i qeverisë shtoi problem është se shteti shqiptar nuk disponon asnjë informacion për këta fëmijë dhe nuk ka mundësi t'ju shërbejë.


"Para dy ditësh prezantuam projektligjin për të regjistruar shqiptarët. Më thoni mua ju, më tregoni mua ju një vend, jo në Europë, por në botë, ku shteti nuk di sa njerëz të gjallë ka. Me siguri duhet të ikim shumë larg, në ato vende që janë bishti i botës së tretë, për të gjetur shtete që s’dinë sa njerëz kanë." Deklarata e kryeministrit erdhi gjatë ndalesës në Sarandë në kuadër të turit “Të pastrojmë më tej Shqipërinë”.

"E pra, ne që kemi pasur një kërcënim historik të vazhdueshëm, që jemi një komb i ndarë sot nga armiqësitë dhe nga fuqitë që kanë mundur të krijojnë armiqtë tanë në të shkuarën, nuk dimë sa jemi. 300 mijë bebe, është statistikisht e saktë, kanë lindur jashtë Shqipërisë që nga viti 90. Ku janë? Çfarë bëjnë? Ku banojnë? Si u shërbejmë ne? Në censusin tonë themi jemi 4.4 milionë, por ju e dini shumë mirë, është ngulitur prej vitesh e vitesh që ne jemi vetëm 3 milionë. Kjo është armiqësore. Me vetëdije, pa vetëdije, qëllimisht, me injorancë, këto nuk kanë asnjë rëndësi.

 Ndërkohë që sot të jesh shqiptar jashtë Shqipërisë dhe të kërkosh një shërbim minimal nga shteti yt, vuan njësoj si një i huaj që donte të vizitonte Shqipërinë e Enver Hoxhës. Të marrësh një certifikatë, e dini ju shumë mirë, se keni shumë njerëz në emigracion, - të marrësh një certifikatë lindjeje që provon që ti ekziston, nga shteti yt, duke qenë jashtë, - është procedura njëlloj si të kërkoje vizë në kohën e Enver hoxhës për të ardhur në Shqipëri. Dy muaj duheshin atëherë që të thonin: “nuk lejohet se ne jemi më vete dhe për vete”. Dy muaj duhen dhe sot. Duhet ti çosh prokurë familjes, një nga anëtarët e familjes duhet të shkojë te prefekti, pasi të shkojë te prefekti, të merret vesh me prefektin, duhet të shkojë të gjejë përkthyes të autorizuar për prokurën. Mbasi ta përkthejë prokurën duhet të shkojë në Ministri të Jashtme. Duhet të niset ngado që të jetë, për në Tiranë. Të iki te Ministria e Jashtme, të presë atje sa t’i japin përgjigje, e mbasi t’i japë përgjigje Ministria e Jashtme, duhet të shkojë pastaj në gjendje civile ose ta çojë atje në konsullatë. Një histori e paimagjinueshme, 48 euro, plus koha. Dy muaj thotë procedura, se ju e dini vetë se sa mund të zgjasë. Imagjinoni sikur certifikata të duhet për një çështje jetike, “ke vdekur dhe je ngjallur”, dhe ke vdekur përfundimisht derisa shteti yt të përgjigjet.

Po pronat?! Sa prona kanë humbur shqiptarët që janë jashtë në këto vite në mungesë të plotë dijenie. Se prona kemi humbur të gjithë këtu, se në raport me gjykatat e sistemin e drejtësisë jemi të gjithë emigrantë, jemi njësoj si emigrantët shqiptarë në ditët e para kur vajtën jashtë, që i merrnin, i çonin nëpër gjyqe dhe i bënin gjyq pa prezencë. Kështu jemi në raport me sistemin e drejtësisë, por pronat që kanë humbur shqiptarët jashtë, pa i lajmëruar njeri fare që “hajde se ke gjyq” dhe e kanë marrë vesh që kanë humbur pronën vetëm kur i është vrarë ndonjë nga shtëpia për konfliktin e pronësisë në Shqipëri. Kjo sepse shteti nuk di fare ku janë, edhe po të dojë ta lajmërojë, ku ta lajmërosh, ku ta gjesh?!

Ne duam t’i regjistrojmë të gjithë. Sa herë, - se këtu jemi në Sarandë, këtu ka njerëz që kanë vajtur, kanë bërë fushatë në emigracion, që nga 90-ta, - sa herë është vajtur në emigracion dhe ju ëhstë thënë “na jepni votën e hajdeni, merrni autobusin, merrni makinën e merrni gomarin e nisuni, sepse ne, po na dhatë votën do t’u japim të drejtën të votoni dhe ju”.  I kanë gënjyer! Kësaj i thonë: “Ta shalosh një popull me gënjeshtra”. Po mirë që nuk u bë dot në 20 vjet, po si ka mundësi që nuk ka asnjë shenjë, nuk ka asnjë copë letër Këshilli i Ministrave që të jetë nisur ndonjë procedurë, që të thotë të nisim procesin për të parë si mund t’ua japim këtyre të drejtën e votës?! Kurrë! Asnjëherë!

Po s’është vetëm për shqiptarët jashtë atdheut, është edhe për shqiptarët këtu. Këtu ka dhjetëra mijëra, qindra mijëra njerëz që tjetërkund figurojnë që kanë shtëpinë, tjetërkund banojnë, tjetërkund votojnë, tjetërkund vdesin, tjetërkund varrosen.

Është i vetmi vend në Europë që vazhdon Posta me të pyetur: “Ku e ka?”. I vetmi vend që adresa nuk shkruhet me numër, e me kod, por shkruhet: “Te kthesa, mbas Pallatit me Shigjeta, pyet Sanijen se ajo e di ku jeton tezja ime”.

  • Sondazhi i ditës:

    Kë doni ju që të fitojë zgjedhjet në SHBA?



×

Lajmi i fundit

Zgjedhjet në SHBA, mbyllen qendrat e para të votimit

Zgjedhjet në SHBA, mbyllen qendrat e para të votimit