Heshtja në një situatë tillë po krijon konspiracionin se ju po fshiheni! Ky ishte mesazhi i prerë i kryeministrit Edi Rama drejtuar ligjvënësve socialistë gjatë mbledhjes së grupit parlamentar mëngjesin e kësaj të marte, ku në fokus të diskutimeve ishte marrja e masave ndaj personave që kanë kryer akte dhune gjatë 7 ditëve të protestave në Tiranë.

Report Tv ka mësuar ekskluzivisht se kreu i ekzekutivit nuk i ka kursyer kritikat ndaj deputetëve duke kërkuar që të rrisin praninë në terren dhe të jenë sa më prezentë në rrjetet sociale.

Shefi i qeverisë tha në mbledhje se populli po i kërkon socialistët në platformën ‘Pasqyrë Albania’, por sipas tij aty ka vetëm heshtje.

“Populli ju kërkon te ‘Pasqyra’, atje ka heshtje. Heshtja po krijon konspiracionin se deputetët janë fshehur. Po çfarë më merreni me politikë në këto ditë?”, mësohet t’u ketë thënë kryeministri Rama deputetëve socialistë gjatë mbledhjes së Grupit të PS.

Pas mbledhjes, kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla përsëriti edhe njëherë ftesën për dialog mes protestuesve dhe qeverisë.

“Sot besoj që është tepër e qartë, pa dyshim që studentët duhet të dëgjohen, dhe qeveria, Kryeministri ka ofruar tryezën ose, le të themi, sheshin e dialogut. Ku unë mendoj që është momenti i duhur për t'u ulur me studentët, studentët e thashë meritojnë të dëgjohen", tha Balla. 

Duke u ndalur te pasojat e dhunës në protestë, Balla tha se numri i efektivëve të lënduar është më i madh se ai i protestuesve.

Balla shtoi se në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste është diskutuar që të vijohet puna e Kuvendit në mënyrë të menjëhershme, për shkak të axhendës që lidhet me negociatat dhe me rolin e Kuvendit si ligjvënës përgjatë këtij procesi.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 10:57
Protestat e dhunshme, Balla pas mbledhjes së Grupit të PS: Gjaku i policëve është gjaku i shtetit! Të enjten votojmë në Kuvend marrëveshjen për më shumë investime në konvikte (VIDEO)

 

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka ftuar protestuesit për të dialoguar me Qeverinë.

Ai paralajmëroi gjithashtu se të enjten në Kuvend do të votohet një marrëveshje për të investuar më shumë në konvikte.

Lidhur me sulmet e protestuesve të dhunshëm ndaj Policisë, Balla tha se ‘gjaku i policëve është gjaku i shtetit’.

“Pakti 2.0 për universitetin është tani. Ditën e enjte votojmë në Parlament një marrëveshje për të investuar më shumë në konvikte. Kushtet sot në konvikte as që krahasohen me kohën kur kemi qenë ne studentë. Gjithë këto dëme që janë bërë deri më sot, shkojnë përtej një investimi për korpusin e universitetit. Në mbledhjen e Grupit të PS ka pasur një mesazh prej kryeministrit, për të vijuar punën e Kuvendit në mënyrë të menjëhershme. Axhenda që lidhet me negociatat dhe me rolin e Kuvendit në këtë proces është shumë intensive. Ditën e enjte janë 3-4 ligje që kanë kaluar nga seanca e kaluar në këtë seancë. Afati i fundit që këto ligje të kalohen është fundi i këtij muaji. Thirrja ime është për dialog. Këtu janë vendosur karriget. Gjithçka është gati. Studentët duhet të zgjedhin përfaqësuesit e tyre. Grupi i PS dënon dhunën. Elementi thelbësor këtu është ngritja e dorës kundër Policisë së Shtetit. Sot protesta të ngjashme ka në shumë vende të Europës dhe botës. I vetmi dallim është që nëse në Francë ¾ të lënduar janë protestues, në Shqipëri 2/3 nga ata që janë lënduar janë punonjës policie. Gjaku i policëve është gjaku i shtetit. Nuk duhen lënë që fëmijët të përdoren si mish për top nga axhenda nga jashtë. Lajmi i mirë sot është që në të gjitha shkollat po bëhet mësim. Nuk është pedagog Jamarbër Malltezi”, tha mes të tjerash Balla.