TIRANË- Qeveria ka gati projektligjin për rritjen e pagave të sektorit publik dhe pritet që të kalojë në Kuvend për miratim. Kreu i qeverisë Edi Rama tha se brenda harkut kohor të një viti, paga mesatare në vend do të shkojë 900 euro. Reforma e rritjes së pagave, do të prekë edhe sektorë të tjerë, duke nisur nga pedagogët e mësuesit, tek infermierët, zjarrfikësit, si edhe policinë e Shtetit, Burgjeve dhe punonjësit e Gardës. Kryeministri Rama theksoi se paga mesatare nga 563 euro që është aktualisht do të shkojë në 900 euro.

“Sapo kemi dakordësuar projektligjin për reformën e re të pagave. Kemi sanksionuar e zeza mbi të bardh se në harkun e një viti paga mesatare do shkojë nga 563 euro në 900 euro”, tha Rama.

Ministrja e Ekonomisë dhe Financave, Delina Ibrahimaj shpjegon se kjo rritje do të shtrihet në dy faza. Brenda këtij muaji, me vendim të Këshillit të Ministrave, do të rritet paga për punonjësit e arsimit, shëndetësisë, zjarrfikësve, si edhe për policinë e Shtetit, Burgjeve dhe Gradës. Ndërkohë, në fazën e tjetër do të rritet paga për administratën, pasi projektligji i dakordësuar ditën e sotme të kalohet në Kuvend.

Rritja e pagave do të nisë në muajin prill për të gjithë kategoritë e arsimit, shëndetësisë, policia  e shtetit, burgjeve, garda dhe zjarrfikësit. Ndërkohë administratës publike qendrore dhe vendore, rritja do fillojë me miratimin e ligjit në parlament. Urojmë që miratohet brenda muajit prill, që ti hapë rrugë rritjes së pagave pas muajit maj”, tha Ibrahimaj.

Konkretisht, paga e infermierëve do të shkojë 87 mijë lekë, paga për mësuesit në shkollat 9 vjeçare do të shkojë 81 mijë lekë, ndërsa për mësuesit në shkollat e mesme do shkojë 106 800 lekë. Rritje do të ketë sërish edhe për pedagogët, paga e tyre do të pësojë një rritje prej 20%. Po ashtu do të përfitojnë edhe punonjësit e zjarrfikësve, paga e të cilëve do të shkojë në 80 mijë lekë.

I pyetur se sa efekt do të ketë në rritja e pagave në buxhetin e shtetit, Rama tha se është një efekt i konsiderueshëm, por që do të përballohet nga buxheti i shtetit.

“Do të ketë një efekt në buxhet të konsiderueshëm por plotësisht të përballueshëm. Sipas kategorive janë shuma të konsiderueshëm që ne vendosim në dispozicion”, tha Rama.

Nga kjo rritje do të përfitojnë edhe punonjësit e Policisë së Shtetit, punonjësit e Policisë së Burgjeve, si edhe Garda e Republikës.

TABELA E NDRYSHIMIT TË PAGAVE

PAGA MESATARE ishte 563 euro- Bëhet 900 euro

ADMINISTRATA PUBLIKE: Nga 49 000 lekë - Bëhet 81 000 lekë

MËSUESIT E ARSIMIT BAZË: Ishte 74 000 lekë - bëhet 95 000 lekë

MËSUESIT E CIKLIT TË MESËM: Mbi 1 milionë lekë

PEDAGOGËT: Paga bazë rritet + 20%

INFERMIERËT: Paga bazë 87 000 lekë, me shtesat mbi 90 000 lekë

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:37
Rritja e pagave për administratën, Rama: Do detyrojë edhe privatin që t’i rrisë, do vazhdojmë të nxisim sipërmarrjet! S’ka më shfrytëzim punonjësish

 

Kryeministri Edi Rama tha për gazetarin e Report Tv, Arbi Fortuzi se rritja e pagave të administratës do të detyrojë bizneset private që të rrisin pagat. I pyetur se si do të rriten pagat në sektorin privat, Rama tha se qeveria nuk ka asgjë tjetër në dorë përveç rritjes së pagës minimale. Kreu i qeverisë tha se do të vijojnë takimet me bizneset për t’i nxitur për rritjen e pagave.

“Është një proces i ndërthurur sepse rritja e pagave në sektorin publik rrit patjetër dhe aftësinë e sektorit publik për të thithur burime njerëzore më të kualifikuara dhe nga kjo sektori privat do jetë i detyruar të rrisë pagat, gjë që po ndodh sot. Sot pagat në sektorin privat po rriten me shpejtësi. Ne po vazhdojmë të nxisim duke shtyrë nga poshtë sepse i vetmi element që ne kemi në dorë është paga minimale të cilën e arritëm jashtë edhe parashikimit elektoral, jo vetëm tonit, por edhe të gjitha partive politike, madje dhe të atyre partive që e dinë që nuk do vijnë kurrë në pushtet dhe premtojnë gjëra për të cilën asnjëherë nuk do japin llogari.

Faktikisht sot jemi në një situatë kur kemi filluar dhe një proces komunikimi me sipërmarrjen private për të sensibilizuar sipërmarrësit lidhur me domosdoshmërinë e mbrojtjes së kapitalit njerëzor në kushtet kur është bërë kjo botë gjithmonë e më e egër për të marrë krah pune, të kualifikuar ose jo dhe në këtë luftë të egër janë përfshirë të gjithë vendet e zhvilluara. Ne jemi optimistë dhe shikojmë shenja shumë pozitive nga sipërmarrja private. Natyrisht, ne do të marrim të tjera, jemi duke i konceptuar dhe natyrisht, për ne kjo nuk është thjesht çështje rritje pagash, është dhe çështje mbrojtje e punonjësve dhe punëtorëve në kompani të ndryshme nga shfrytëzimi. Ka pasur një periudhë kohe kur kjo ka qenë pjesë e natyrshme e një zhvillimi të caktuar. Të mos harrojmë që e kemi filluar këtë punë me të ardhura për frymë 3200 - 3300 euro dhe sot jemi mbi 6000 euro të ardhura për frymë, pavarësisht se të gjitha bien, të gjitha rrënohen dhe na i marrin ne nëpër arbitrazhe, por faktikisht, ne sot i kemi dyfishuar të ardhurat për frymë dhe dyfishimi i të ardhurave për frymë është rezultat i gjithë këtyre politikave, gjithë këtyre reformave, por është njëkohësisht edhe një mundësi për të kuptuar se nuk vazhdohet më!

Një grua, një vajzë e re që para 30 vjetësh, përpara 25 vjetësh shkonte dhe punësohej në një fason, sot është në fazën që do dalë në pension. Me kë do zëvendësohet? Një vajzë e re që është sot në moshën që kjo grua ishte atëherë nuk shkon të punojë aty për atë pagë; jo vetëm për atë pagë, por edhe për atë lloj pune. Kështu që, këtu sipërmarrja duhet të vihet në alarm dhe të kuptojë se duhet të ndryshojë qasjen; duhet të ndryshojë qasjen, duhet të rrisë produktivitetin, duhet të rrisë eficencën e të tjera. Të gjitha këto janë sfida të një kohe të re sepse Shqipëria ka hyrë në një fazë të re, është në një kohë të re ekonomike dhe sociale, duan apo nuk  duan ata që nuk duan dhe kurrë nuk do duan dhe kurrë mos daçin dhe sot, unë jam shumë i kënaqur që ia kemi dalë t’i çojmë pagat për shqiptarët në një nivel që është një nivel në mesataren e lartë të rajonit tonë dhe sigurisht që nuk jemi të vetëkënaqur, por jemi thjesht të kënaqur”- tha ai.

Ora 11:03
Rama: Paga bazë e infermierëve do të shkojë në 87 mijë lekë, zjarrfikësit do marrin 80 mijë lekë

 

Kryeministri Edi Rama thotë se me reformën e pagave do të rriten edhe pagat e infermierëve dhe zjarrfikësve. Rama tha se infermierët do marrin pagë bazë 87 mijë lekë, ndërsa zjarrfikësit 80 mijë lekë.

"Po kështu është kënaqësi e posaçme që t’ju them sot infermiereve që do të kapin një bazë prej 87 mijë lekësh dhe ndërkohë kjo bazë shkon dhe përtej 90 mijë lekësh sipas pozicioneve në punë. Kemi rritur ndjeshëm pagat për Forcat e Armatosura. Do të vazhdojmë t’i rrisim po në mënyrë të ndjeshme, kemi rritur pagat për gjithë sistemin e sigurisë. Do të vazhdojmë t’i rrisim. Kemi rritur pagat për zjarrfikësve dhe siç e pata premtuar duke qenë se zjarrfikësit janë gjithmonë e më të rëndësishëm për shoqërinë në kushtet kur zjarret janë gjithmonë e më të pranishëm, për shkak të ndryshimeve klimatike dhe jo vetëm, pagën e zjarrfikësve do ta çojmë deri në 80 mijë lek. E gjitha kjo do të bëhet me dy hapa. Një hap i parë i menjëhershëm do të jetë tani me mësuesit, me sigurinë dhe me mjekët dhe infermieret menjëherë dhe ky hap i parë për të gjithë të tjerët do të jetë pasi parlamenti të kalojë projektligjin që ne sot miratuam dhe pastaj hapi i dytë do të jetë prillin e ardhshëm ku do të bëjmë gjithë plotësimin e kuadrit të kësaj reforme pagash dhe do të mbërrijmë kryelartë 900 euro pagë mesatare", tha Rama.

Ora 10:58
Rama: Paga e mësuesve të arsimit të mesëm do të shkojë mbi 100 mijë lekë! Rritet me 20% paga e pedagogëve

Kryeministri Edi Rama ka prezantuar sot vendimet e qeverisë për rritjen e pagave.

'Nuk dua të humbas vëmendjen në shumë shifra. Jam këtu së bashku me ministren e Financave. Dua ta falënderoj ekipin e sa për punën e palodhur që ka bërë. Kemi pasur diskutime të pafundme, kemi pasur debate të pafundme, kemi konfrontuar volume të pafundme shifrash, opsionesh, skemash dhe në fund kemi rënë të gjithë dakord që detyra jonë është tu japim shqiptarëve maksimumin e produktit të reformave dhe nuk ka kënaqësi më të madhe për mua sesa t’ju them specialistëve më të ulët që punojnë në administratën qendrore se paga e tyre do të shkojë nga 49 mijë lekë në 81 mijë lek apo tu themi mësuesve në arsimin e mesëm që paga e tyre do shkojë mbi 1 milionë lek, pra mbi 100 mijë lek. Apo në arsimin bazë do të shkojë nga 74 mijë deri në 95 mijë. Të gjitha këto janë shifra bazë pastaj vjetërsia e punës, kohëzgjatja në detyrë domethënë dhe nivelet e kualifikimeve bëjnë që gjërat të jenë edhe më mirë sesa ç’duken nga niveli bazë. Po kështu, është koha t’iu bëjmë një rritje të konsiderueshme pedagogëve të universiteteve të gjithë sistemit arsimor universitar, me 20% duke iu dhënë diskrecion që ata të mund të shkojnë deri në 30 % sepse ata janë autonom në administrimin e buxheteve të tyre dhe siç bëmë në fund të vitit të shkuar, do të bëjmë përsëri"- tha Rama.