TIRANE- Kryesia e PS mbrëmë ka diskutuar për riorganizimin e partisë dhe përgatitjen e strukturave për sfidën elektorale të verës së ardhshme.

Sekretari organizativ Blendi Klosi bëri një përmbledhje të ecurisë së procesit të brendshëm zgjedhor në PS dhe i paraqiti Kryesisë vendimet për shpalljen e kandidaturave për kryetar partie në disa njësi vendore. Ai informoi mbi regjistrimin e anëtarëve të rinj në degët e PS në bashki e komuna. Kryesia miratoi propozimin e Kryetarit të PS të Tiranës, Saimir Tahiri, për të nisur procesin e riorganizimit të partisë në Kryeqytet, që konsiston në regjistrimin e anëtarëve të rinj dhe riorganizimit të strukturave të forumit të rinisë e gruas në Tiranë.

Sekretari për çështjet e rinisë e emigracionit, Erion Veliaj informoi Kryesinë e PS mbi ecurinë e riorganizimit të FRESSH në mbarë vendin që do kulmojë me kongresin zgjedhor në fund të muajit prill. Anëtarja e Kryesisë së PS, Eglantina Gjermenji, njëherazi përgjegjëse për grupin e punës të ngarkuar me ristrukturimin e forumit të gruas socialiste, i paraqiti kryesisë hapat e ndërmarra deri tani në këtë fushë. Njëherësh është miratuar dhe një strategji komunikimi që ka të bëjë me programin dhe riorganizimin e strukturave të PS.
(sg/shqiptarja.com)