TIRANË- Në një kohë kur bota po përballet me rritjen e çmimit të karburantit, energjisë elektrike dhe produkteve të shportës, qeveria ka miratuar sot planin me 7 pika për t’iu gjendur pranë qytetarëve shqiptarë në mënyrë që ata të mos preken nga kjo rritje.

Pas mbledhjes me qeverinë, kryeministri Edi Rama prezantoi 7 masat e marra, ku shpjegoi se do të kompensojnë me 3 mijë lekë rritjen e çmimeve të shportës për shtresat në nevojë. Kjo shumë do të përfitohet për 3 muaj nga pensionistë që marrin më pak sesa gjysma e pagës minimale, pensionistë të invaliditetit, pensionistët që jetojnë vetëm, personat me aftësi të kufizuar, paraplegjikë, tetraplegjikë apo të verbër dhe të gjitha familjet me ndihmë ekonomike.

Nga muaji prill paga minimale do të rritet në 32 mijë lekë nga 30 mijë lekë që është aktualisht. Rama tha se rritja e pagës minimale do të afrohet me dy muaj për shkak të krizës në të cilën ndodhemi. Sakaq, me dy muaj do të afrohet edhe futja në fuqi e ligjit për zerimin e taksës mbi pagat deri në 40 mijë lekë, përgjysmimi i taksës mbi pagat deri në 50 mijë lekë, si edhe ulja e taksës mbi pagat nga 1.5 deri në 2 milionë të vjetra.

Mbështetje do të ketë edhe për fermerët, ku qeveria do të vendosë në dispozicion 5 milionë dollarë për subvencionimin e tyre me naftë pa taksa. Në total mbështetja për fermerët shkon në 14 milionë dollarë. Kreu i qeverisë theksoi se 36 milionë dollarë do të shkojnë për indeksimin e pensioneve nga muaji i ardhshëm, ku përfitojnë 673.542 pensionistë.

Qeveria ka marrë masa edhe për një tjetër shqetësim që është ngritur ditët e fundit, atë të transportit urban. Kryeministri tha se do të derdhen 500 milionë lekë për transportin qytetas dhe ndërqytetas, në mënyrë që të mos rritet çmimi i biletës për udhëtarët.

Rama ka ritheksuar edhe njëherë se çmimi i energjisë për familjarët dhe biznesin e vogël nuk do të rritet, por do të paguhet nga shteti, ndërsa bëri me dije se do të shtohen edhe 20 miliardë lekë të reja për financimin. Ai theksoi se deri në fund të vitit qeveria do të paguajë 650 mln euro për faturat e energjisë për familjet dhe për bizneset.

Nga kjo krizë nuk kanë mbetur pa u prekur edhe funksionarët publikë, duke nisur nga vetë kreu i qeverisë. Qeveria do u paguajë qeveritarëve vetëm 50% të karburantit, nga 100% që paguhet aktualisht.  

'Qeveria do të paguajë vetëm 50% të shpenzimeve të zakonshme për naftë për të gjithë funksionarët publikë, duke filluar që nga unë, që nga ministrat, e drejtuesit e administratës pjesën tjetër lë ta paguajnë nga xhepi.'- tha Rama.

Kryeministri ka komentuar edhe protestat për rritjen e çmimeve, duke thënë se “i vjen turp që Shqipëria është i vetmi vend i NATO-së që proteston për pasojat e luftës në Ukrainë”.

Paketa e Rezistencës Sociale me shtatë pika

1- 3.6 mld lekë ose 36 mln USD, për indeksimin e pensioneve. Përfitojnë 673.542 pensionistë.
2- Kompensim i rritjes së çmimeve të shportës për 3 muaj me nga 3 mijë lekë. Bazuar në përllogaritjen e INSTAT-it është 7% ose e kthyer në rritje mbi konsumin mesatar të llogaritur përpara goditjes, është 25 mijë lekë të vjetra. Përfitojnë 434 mijë qytetarë: pensionistë që marrin më pak sesa gjysma e pagës minimale, pensionistët e invaliditetit, pensionistët që jetojnë vetëm, personat me aftësi të kufizuar, paraplegjikë, tetraplegjikë apo të verbër, të gjitha familjet me ndihmë ekonomike.
3- Mbështetja për fermerët me naftë pa taksa do të shkojë në 1.4 miliardë lekë ose 14 milionë USD, me një shtesë plus prej 5 milionë USD e cila do të derdhet menjëherë.
4 - Qeveria do të mbështesë të gjithë shqiptarët që përdorin linjat urbane, qytetase dhe ndërqytetase, duke derdhur menjëherë 500 milionë lekë ose 5 milionë dollarë, për të paguar diferencën e çmimit të biletës, në mënyrë që asnjë udhëtar të mos preket nga ndryshimi i çmimit.
5 - Afrojmë dy muaj përpara futjen në fuqi të ligjit për zerimin e taksës mbi pagat deri në 400 mijë lekë të vjetra, përgjysmimin e taksës mbi pagat deri në 500 mijë lekë të vjetra, si edhe uljen e takses mbi pagat nga 1.5 deri në 2 milionë të vjetra. Këto masa lehtësuese do të reflektohen në pagat e prillit dhe prej tyre do të përfitojnë 360 mijë të punësuar. Numri i të punësuarve në Shqipëri që paguajnë zero taksë mbi pagën, arrin një shifër që s’e ka askush në rajon, 56%!
6 - Afrojmë dy muaj përpara edhe futjen në fuqi të ligjit për pagën minimale, e cila në prill do të bëhet 320 mijë lekë të vjetra.
7 - Shtojmë me 20 miliardë lekë të reja ose 200 milionë USD, financimin e mburojës së çmimit të energjisë për konsumatorët familjarë dhe biznesin e vogël.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:09
Rama: Mbështetja me naftë pa taksa për fermerët do të vijojë, shtojmë 5 mln dollarë

Kryeministri Edi Rama tha se qeveria do të vijojë që të mbështesë me naftë pa taksa për fermerët.

'Mbështetja për fermerët me naftë pa taksa, do të shkojë në 1.4 miliardë lekë ose 14 milionë USD, me një shtesë plus prej 5 milionë USD, e cila do të derdhet menjëherë. Ju lutem shumë të gjithë atyre që dalin në bulevard për të mbrojtur fermerët dhe që në fshat kanë shkuar vetëm për të ngërë qingja të pjekur, - mësojeni mirë fermerët e Republikës së Shqipërisë, jo ata të cilët kanë dhe ata ato partitë e tyre, kanë dha ata nxitësit e tyre, janë dhe ata peng I hijenave të tyre, por fermerët e Republikës së Shqipërisë e kanë naftën pa taksa. Mund të rritet sa të dojë çmimi, taksat ata nuk i paguajnë. E dyta, kjo bëhet mbi bëzen e regjistrimit të NIPTI-t dhe kritereve minimale dhe e treta jemi gati ti mbulojmë të gjithë fermerët që janë atje në punë dhe që janë ata të cilët, i kanë ndryshuar fytyrën  bujqësisë shqiptare, jo fytyrën që duket në ekranet e atyre që kanë të tjera qëllime për Pse-në e hapjes së ekraneve dhe përfshrjes në botën mediatike, por fytyrën e atyre që duket në pasyrën e ekportit'- tha Rama.

Ora 16:05
Rama: Paguajmë 500 mln lekë për transportin, asnjë qytetar mos të preket nga rritja e çmimit të biletës

Kryeministri Edi Rama tha se do të mbështeten të gjithë qytetarët që përdorin transportin urban.

'Qeveria do mbështeë të gjithë shqiptarët që përdorin linja urbane qytetase dhe ndërqytetase, duke derdhur menjëherë 500 milionë lekë ose 5 milionë dollarë për të paguar diferencën e çmimit të biletës, në mënyrë që asnjë udhëtar të mos preket nga ndryshimi i çmimit, qoftë kur hipën në autobus brenda qytetit e qoftë kur hipën në një autobus për të shkuar nga një qytet në tjetrin. Këta janë ata, të cilët goditen dhe këta janë ata që ne marrim në mbrojtje. '- tha Rama.

Ora 15:53
Rama: Paga minimale të bëhet që nga prilli 320 mijë lekë të vjetra! Zërojmë taksën për pagën deri në 400 mijë lekë, e përgjysmojmë deri në 500 mijë lekë

Kryeministri Edi Rama tha se paga minimale duhet të bëhet që nga prilli 320 mijë lekë të vjetra.

' Do e sjellim 2 muaj përpara futjen në fuqi të ligjit për zerimin e taksës për pagat deri në 400 mijë lekë të vjetra dhe përgjysmimin e taksës mbi pagat deri në 500 mijë lekë të vjetra, si dhe uljen e taksës mbi pagat nga 1,5 deri në 2 milionë lekë të vjetra. E gjashta, do tërheqim dy muaj përpara edhe futjen në fuqi të ligjit për pagën minimale, e cila në prill do bëhet 320 mijë lekë të vjetra'- tha Rama.

Ora 15:41
Rama: Transparencë për faturën e energjisë, do iu vijë në shtëpi me vlerë sa paguani ju dhe pjesën që duhet të paguajë qeveria

Kryeministri Edi Rama thotë se tani e tutje do tregohen transparent me faturën e energjisë elektrike. Sipas tij, fatura do u shkojë familjarëve dhe biznesit të vogël me vlerën që ata duhet të paguajnë pa rritjen e çmimit të energjisë, ndërsa krahas, tha Rama do të shkruhet vlera qw duhet tw paguajw qeveria.

"Të tjerët kolegë në rajonet në Europë më thonë kjo është një çmenduri financiare, çmenduri është edhe lufta edhe pandemia, këtij populli i ra edhe taksirati i një çmendurie më shumë që quhet tërmeti, që rëndoi ata që e pësuan. Qeveri bashkë me ju do rezistojë sa të mundemi dhe ju do të keni nga hera e parë që do vijë fatura tjetër e energjisë transparencën e kësaj krizë të shkruar aty me përgjegjësi institucionale dhe morale ndaj jush, Do shikoni që ju do paguani aq sa paguani gjithmonë dhe pjesën tjetër do ta paguajë qeveria, që i kërkohen edhe gjëra që s’kanë lidhje fare me demokracinë. Pulsi i kësaj qeverie është një gjatësi vale me pulsin e këtij populli", tha Rama. 

Ora 15:41
Rama: Do të derdhim 3.6 miliardë lekë për të indeksuar pensionet! Ja ata që do marrin në dorë 3 mijë lekë në muaj për produktet e shportës

Kryeminstri Edi Rama po prezanton paketën me 7 pika.

"Ne do të derdhim menjëherë 3.6 miliardë lekë ose 36 milionë dollarë për të indeksuar pensionet. Kjo masë do të reflektohet që në pensionin e radhës së 673.542 pensionistëve. Për 434 mijë përfitues qyterare e qytetarë të këtij vendi,  ne do të kompensojmë me lekë në dorë, rritjen e çmimeve të shportës, e cila bazuar në përllogaritjen e INSTAT është 7% ose e kthyer në rritje mbi konsumin mesatar të përllogaritur përpara goditjes është 25 mijë lekë të vjetra plus. Qeveria do të japë 30 mijë lekë të vjetra për 3 muaj rresht si kompensim për rritjen çmimeve të shportës, për: pensionsitët që marrin më pak sesa gjysma e pagës  minimale, pensionistët e invaliditetit, pensionistët që jetojnë vetëm, (në kuptimin individualisht apo në çift), persona me aftësi të kufizuar, paraplegjikë, tetraplegjikë apo të verbër dhe të gjitha familjet që janë aktualisht në skemën e ndihmës ekonomike.

Pra, 434 mijë përftues nga kjo paketë rezistence për 3 muaj do të marrin 90 mijë lekë të vjetra, 30 mijë lekë të vjetra në çdo muaj sepse këta janë ata, që duhet normalisht të flasin dhe këta janë ata që dëgjojmë ne, në radhë të pare. Këta janë ata me të cilët jetoj unë çdo ditë, këta janë ata për të cilët mendoj unë edhe kur ata që vijnë bërtasin këtu, flenë gjumë dhe gërhasin. ", tha Rama. 

Ora 15:32
Rama nxjerr faturën e energjisë: Nëse qeveria nuk do të kishte vendosur mburojën financiare, fatura do të ishte 7 herë më e lartë

Kryeministri Edi Rama tha se qytetari shqiptar nuk e paguan i vetëm çmimin për energjinë elektrike por bashkë me qeverinë. Kreu i qeverisë ka publikuar një faturë ku ka treguar se nëse nuk do të kishte mburojnë  e qeverisë, qytetari do të paguantë çmimin 7 herë më shumë.

'Kjo është një faturë energjie dhe është fatura, që të mos, se emri nuk ka rëndësi, është fatura e një konsumatori familjar. Ky konsumator familjar, ja ku e kemi këtu, në faturë ka një çmim i cili është 4229 lekë të reja. Ndërkohë real, këto ditët e fundit, ka qenë 7 herë më i lartë. Pra urdhëroni. E nëse nuk do kishim vendosur ne mburojën financiare për këtë familje e si për këtë, për të gjitha familjet e republikës së Shqipërisë, çmimi në këtë faturën këtu do ti vinte në shtëpi 29 743 lekë ose 297 mijë lekë, reali, i krizës energjitike që nuk ekziston. Kjo do të thotë që qeveria për të mos e rritur asnjë qindrakë çmimin, atë 9.5 lekëshin për KËh për çdo familje, para se të fillonte kriza, paguan këtu në këtë faturë, qeveria, paguan as më shumë e as më pak por 254 mijë lekë. Doni të hiqni taksat e naftës dhe t’ia faturojmë gjithë dynjasë pensionistë, invalidë, paraplegjik, tetraplegjik, të verbër, familje me ndihmë ekonomike, famailje me të ardhura të ulëta apo dhe mesatare, gjyshe, gjyshër, prindër, baballarë, nënat, se diku dikush do mbajë më shumë barrë apo jo?'- tha Rama.

Ora 15:26
Rama: Taksat e naftës nuk do hiqen, se çmimi i energjisë elektrike nuk do të rritet

 

Kryeministri Edi Rama u përgjigj thirrjeve që të hiqen taksat e karburantit. Ai tha se kjo nuk do të ndodhë pasi çmimi i enrgjisë nuk do të rritet për familjarët dhe biznesin e vogël.

“Taksat e naftës nuk do të hiqen, dhe këtë nuk ka protestë me drita iPhone dhe bllokim rrugësh me goma X5 që e zhbën. Taksat e naftës nuk do të hiqen sepse çmimi i energjisë nuk do të rritet. Ky është thelbi i moralit dhe arsyes së kësaj zgjedhje. 

Duhet ta fusin mirë në kokë të gjithë ata që flasin pa u informuar, por duke përpsëritur si në jerm fakte krejt të sajuara se ato 650 milionë euro, në rastin më të keq ose ato 290 milionë euro në rastin më të mirë që do duhet t’i paguajmë deri në fund të vitit për të mos ngarkuar asnjë familje shqiptare dhe asnjë biznes të vogël me një faturë të rëndë energjie, nuk kemi mundësi t’i paguajmë nëse ndërkohë mbajmë taksat më të ulëta në rajon, se në Europë po e po, qoftë për individin e qoftë dhe për biznesin e vogël, kemi edhe kontributet më të ulëta shëndetësore dhe shoqërore në rajon, se në Europë nuk diskutohet, e me radhë. Jo vetëm kaq, jo vetëm do t’i mbajmë, por siç do ta shihni nga paketa e Rezistencës Sociale, do vijojmë të ulim akoma më tutje taksa mbi pagat, por për ata që realisht kanë nevojë për mbrojtje dhe jo domosdoshmërisht kanë veturë”, tha Rama.

Ora 15:26
Rama: Qeveria do paguajë vetëm 50% të karburantit të qeveritarëve, kush harxhon më shumë ta paguajë vetë

Kryeministri Edi Rama tha se qeveria do të paguajë vetëm 50% të shpenzimeve për naftë për të gjithë funksionarët publikë.

'Qeveria do të paguajë vetëm 50% të shpenzimeve të zakonshme për naftë të të gjithë funksionarëve që kanë një automjet shtetëror në dispozicion, që nga unë, tek ministrat, tek deputetët e deri tek drejtuesit e tjerë të administratës. Pjesën tjetër të shpenzimeve, të gjithë le ta paguajnë nga xhepi i tyre nëse nuk kursejnë dot. Është shumë e thjeshtë.'- tha Rama.

Ora 15:19
Rama: Më vjen turp që Shqipëria është i vetmi vend i NATO-s që proteston për pasojat e luftës në Ukrainë

Kryeministri Edi Rama tha se i vjen turp që Shqipëria është i vetmi vend i NATO-s që proteston për pasojat e luftës në Ukrainë.

'Më vjen turp që Shqipëria është i vetmi vend i NATO-s dhe i Europës ku protestohet për pasojat e para të luftës në Ukrainë. Që kërcimi i  lartë i çmimit të naftës është pasojë e luftës, këtë e mohojnë vetëm ata që bëjnë sikur nuk kuptojnë dhe pastaj, ata të tjerët që dëgjojnë nga ata, që bëjnë sikur nuk kuptojnë dhe e përsërisin", tha Rama. 

Ora 15:19
Rama: Asnjë familje shqiptare nuk e paguan vetë çmimin e energjisë, por me qeverinë! Deri në fund të vitit paguajmë 650 mln euro për faturat e energjisë

Kryeministri Edi Rama tha se qeveria shqiptare paguan 80% të faturës së energjisë së qytetarëve. Deri në fund të vitit tha kryeministri Rama do të paguajmë 650 mln euro për faturat e energjisë.

'Që kjo qeveri nuk ka pritur luftën apo protestën që të tregojë gatishmërinë e saj sociale, e tregon më shumë se çdo gjë troç fatura juaj e energjisë, së çdo familje shqiptare, asnjë familje shqiptare dhe asnjë biznes i vogël nuk e paguan vetë energjinë, por bashkë me qeverinë. Këtë nuk e ka bërë asnjë qeveri tjetër. Qeveritë e tjera kanë rritur çmimin e energjisë. Ne u zotëruam se nuk do ta rrisim çmimin dhe as nuk do të na e priste mendja, por mesa kuptoj jo të gjithë e dinë se çfarë do të thotë me të gjitha fuqitë. Qeveria i bie paguajmë 80% të faturës tuaj të energjisë. Me këtë çmim të çmendur deri në fund ne do të paguajme 650 mln euro për faturat e energjisë për 780 familje rezidente dhe 95 mijë biznese të vogla. Duhet të derdhë 259 mln euro për të kompensuar diferencën mes çmimit real dhe të paprekur për të kompensuar çmimin e energjisë.'- tha Rama.