Është zbardhur axhenda e mbledhjes së zgjeruar të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste dhe kabinetit qeveritar, e cila do të zhvillohet të premten në Pallatin e Brigadave.
Sipas axhendës takimi do të nisë në orën 09:30 dhe fjalën hapëse do ta ketë kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, i cili do të paraqesë një bilanc mbi drejtimin e Kuvendit, futjen e teknologjisë në funksionimin e institucionit, si edhe perspektivën e godinës së re të Kuvendit.
Më pas, kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, do të bëjë një bilanc të punës së grupit gjatë këtij sesioni parlamentar, duke u ndalur te angazhimi i deputetëve në komisionet parlamentare dhe në seancat plenare.
Në përfundim të mbledhjes, fjalën përmbyllëse do ta mbajë kryeministri Edi Rama.
Mbledhja zhvillohet rreth një muaj pas takimit të fundit të zgjeruar të socialistëve, ku u analizua ecuria e punës së qeverisë, si dhe u përcaktuan orientimet për vijimin e reformave dhe realizimin e objektivave të ekzekutivit.
Komente










